KE Shqiperise ti jepet statusi kandidat

KE: Shqiperise t'i jepet statusi kandidat

Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka përmbushur kushtet për dhënien e statusit kandidat, por për të bindur shtetet hezituese anëtare të cilat vendosin në dhjetor, vendi duhet të vazhdojë veprimet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

"Komisioni Europian arriti në përfundimin se Shqipëria shënoi progres të mirë në rrugën drejt integrimit evropian, veçanërisht me miratimin e masave të përcaktuara si thelbësore për dhënien e statusit kandidat dhe duke vazhduar reformat e përcaktuara si prioritete kyçe në Opinionin e Komisionit të vitit 2010. Shqipëria ndërmori hapa fillestarë në përmirësimin e efikasitetit të hetimeve dhe ndjekjeve penale në lufën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zgjedhjet parlamentare të 2013-s u zhvilluan në një mënyrë përgjithësisht te qetë dhe të rregullt. Në funksion të kësaj, Komisioni Europian rekomandon që Shqipërisë t’i jepet statusit kandidat, në kuptimin që Shqipëria vazhdon të ndërmarrë veprime në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit", thuhet në raport.

Sipas Komisionierit, Shtefan Fyle, në mënyrë që Shqipëria të hedhë hapin e radhës, çeljen e bisedimeve për anëtarësim, vendi duhet të përmbushë plotësisht pesë kushtet e mbetura që nga opinioni i vitit 2010.

"Shqipëria duhet të: 1). Të vijojë zbatimin e reformes për administratën publike; 2) të ndërmarrë veprime të mëtejshme për të përforcuar pavarësinë, efikasitetin dhe përgjegjshmërinë e institucioneve gjyqësore ; 3) të bëjë përpjekje më të vendosura në luftën kundër korrupsionit 4) të bëjë më shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar, 5) të ndërmarrë masa efikase për të përforcuar mbrotjen e të drejtave të njeriut, përfshirë politikat ndaj romëve dhe ato anti-diskriminuese, si dhe të zbatojë të drejtën e pronës", tha Fyle. 

Berisha: Shqipëria e meriton statusin

Pas publikimit të raport-progresit të Komisionit Eurpian, ish-kryeministri Sali Berisha reagoi në rrjetin social Facebook, duke shkruar se Shqiperia e ka merituar dhe e meriton plotesisht statusin e vendit kandidat.

"Ky eshte nje rekomandim plotesisht i merituar. Me reformat e realizuara ne keto vite nga mazhoranca e PD, demokracia dhe ekonomia e tregut ne Shqiperi jane bere me funksionale. Stausi i vendit kandidat qe u rekomandua nga Komisioni Europian ne tetor te vitit 2012, me kushtin e vetem qe te votoheshin tre ligjet ne parlament, per te cilat ishte arritur konsensusi qe ne fillim te vitit 2012, u mor peng nga Edi Rama. Ai refuzoi votimin e ketyre ligjeve vetem e vetem qe statusi te bllokohej. Natyrisht ne suksesin e bllokimit te statusit, Rama u ndihmua dhe nga albanofobe jo shqiptare ne Bruksel dhe ne ndonje vend Europian. Ligjet u votuan me konsensus me date 30 maj dhe perseri neser Rama me votimin e aktit normativ asgjeson konsensusin e dates 30 maj, ne nje perpjekje te re antishqiptare per ta shtyre statusin per me vone, me qellim qe kjo te mos njihet si merite e PD.

 

Integrimi eshte jetik per Shqiperine. Ai nuk eshte proces pa veshtiresi, por veshtiresia e pare dhe me e rendesishme per shqiptaret ne kete rruge eshte Rama, te cilit per integrimin nuk i beson njeri ne Bruksel dhe Europe. Ramen nuk e besojne jo se e paragjykojne por sepse ne memorjen europiane ai eshte politikani i vetem ne kontinent qe beri gjithçka per te penguar Marreveshjen e Stabilizim Asociimit (futi daullet dhe bilbilat ne parlament), hapjen e proçesit per vendimin e statusit (bojkotoi parlamentin), heqjen e vizave (organizoi greven e urise) dhe rekomandimin per statusin e vendit kandidat (refuzoi votimin e tre ligjeve qe kerkoi si kusht te vetem Komisioni Europian)", shkruan Berisha.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama