Dy vjet pas shpalljes së iso-polifonisë popullore shqiptare "Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit" nën mbrojtjen e Unesco-s, botohet gati në kohë rekord enciklopedia që i kushtohet kësaj forme të rrallë muzikore e kënduar për shekuj në Shqipërinë poshtë Lumit Shkumbin. Projekti u realizua tërësisht falë mbështetjes së Programit të Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, krijuar nga Kongresi i SH.B.A. Me këtë rast, Ambasada e SHBA në Shqipëri organizoi dje promovimin e veprës me autor etnomuzikologun prof. dr. Vaso Tole.
Ky është një botim dygjuhësh, shqip dhe anglisht, i pajisur me foto të rralla që nga fillimi i shek. XX ku paraqiten njerëzit e Jugut, dhe me një CD që përmban këngë dhe instrumentale iso-polifonike.
Është hera e katërt që Fondi Amerikan i Ambasadorëve mbështet kulturën shqiptare të këtij niveli. Kurse për Ambasadorin amerikan në Shqipëri John L. Withers, II, është hera e parë që komenton lidhjet e tij me kulturën e vendit ku po kryen shërbimin diplomatik prej korrikut 2007.
Keni dëgjuar ndonjëherë isopolifoni?
Po, kam dëgjuar. Kur pashë për herë të parë enciklopedinë për muzikën iso-polifonike, më duhet të pranoj se nuk e dija fort mirë ç'ishte. Pyeta njerëzit e stafit tim: ç'është kjo? Më bënë të ndihesha shumë më mirë kur më thanë se bëhet fjalë për një formë unike muzikore dhe është pjesë traditës së Shqipërisë së Jugut. Kështu pra, dëgjova një CD me të dy variacionet instrumentale dhe vokale. Vërtet është unikale.
Pse, ju si do ta komentonit muzikën që nuk e paskeni ndeshur më parë?
Mund të them se e krahasuar me shumë forma të muzikës folklorike, është gjenuine. Njerëzit që e këndojnë këtë lloj muzike, e këndojnë besnikërisht prej një tradite të gjatë vokale dhe e këndojnë nga zemra. Në një farë mënyre ata janë trashëgimia kulturore e të shkuarës, ata po e ruajnë atë formë muzikore që ka ekzistuar për shekuj dhe shekuj me radhë. Ata duket sikur janë të vetëdijshëm, sepse zërat e tyre janë kaq të dëlirë, kaq të thellë dhe të arrirë. Ka një copë shpirt në të kënduarit e tyre. Kjo e bën kaq të veçantë.
Në fjalën e rastit thatë që jeni i interesuar për kulturën shqiptare dhe se keni lexuar autorë shqiptarë. Na jepni ju lutem një opinion për çfarë keni njohur deri tani.
Jam admirues i letërsisë dhe i poezisë shqiptare. Kam lexuar disa gjëra dhe pak, për fat të keq, sepse akoma nuk flas shqip. Më duhet t'i lexoj nga përkthimet në anglisht, por kam lexuar disa romane të Ismail Kadaresë "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Ura me tri harqe", "Prilli i thyer" dhe të tjera që janë të famshme tashmë. Kam lexuar poezi. Unë iu referova më parë poemës "Donika" të Besnik Mustafajt. Do këshilloja cilindo që ta lexonte. Poema fillon duke treguar për një grua, për mënyrën se si ajo është atje për t'i dhënë forcë burrit të saj që quhet Gjergj, i cili kur përleshet larg kthehet në shtëpi dhe është vetvetja dhe qetësohet. Ai është Gjergj Kastrioti, ajo është gruaja e tij, Donika. Është një portret madhështor.
Kujtuam se ju po flisnit qëparë për një poezi që quhej thjesht "Donika" njëlloj si emri i bashkëshortes së shkrimtarit.
Do të dal dhe aty. E bukura është që nga njëra anë kemi heroin si një qenie e çiltër njerëzore, dhe nga ana tjetër kemi rolin e jashtëzakonshëm që kanë luajtur gratë në historinë e Shqipërisë. Veç kësaj, dhe po i kthehem pyetjes suaj, zoti Mustafaj është një burrë i mençur. Ka shkruar një poemë gjeniale që ia kushton së shoqes. Kam për t'ia marrë hua që kur gruaja ime të jetë e zemëruar me mua, do të shkruaj një poemë për të (Qesh).
Për çfarë mendoni ka nevojë në veçanti kultura e një vendi në tranzicion?
Gjëja kryesore për një vend në tranzicion është që të mbrojë dhe të respektojë traditën e vetë kulturore. Mendoj se në një vend si juaji i cili është si shumë vende që kanë dalë nga diktatura ku shumica e kulturës shqiptare ishte mbajtur nën tirani, ose ishte shfytyruar prej qëllimeve ideologjike, para së gjithash për shqiptarët, është kaq e nevojshme të kërkojnë përsëri rrënjët e tyre në të shkuarën, gjërat që e bënë Shqipërinë Shqipëri dhe shqiptarët shqiptarë përgjatë historisë. Mendoj, për shembull, çfarë e shpëtoi shqiptarin gjatë gjithë periudhës së pushtimit të gjatë këtu, çfarë ishte ajo pra, që e mbajti gjallë atë identitet. Ishte kultura që rizgjodhet në epokën e demokracisë dhe të lirisë. Ndoshta po flas gjatë, po më lejoni t'ju them diçka tjetër. Kam takuar këtu shkrimtarin Fatos Kongoli dhe poetin Fatos Arapi. Kur nisa të interesohesha për kulturën tuaj në momentin që u emërova Ambasador në Shqipëri, nisa të lexoj poezi shqiptare të përkthyera në anglisht. Një nga ato ishte poezia e zotit Arapi e titulluar "Sulltan Murati dhe shqiptari". Me pak vargje ajo ishte kaq dramatike, e arrirë dhe tejet emocionuese dhe që shpreh shumë më shumë nga çfarë kam lexuar në vite, pra fisnikërinë e kërkesës për liri. Dhe nëse nuk e keni lexuar, shkoni dhe lexojeni, unë mund ta recitoja për ju, por nuk dua ta bëj, sepse e kam recituar kaq herë. Kur betohesha si ambasador në Departamentin Amerikan të Shtetit përballë qindra njerëzve, duhet të mbaja një fjalim të cilin e mbyllja duke cituar poezinë e zotit Arapi. Edhe pse 99% e audiencës ishte amerikane, njerëzit në auditor po qanin, kaq prekëse është ajo poezi. Kur mbërrita këtu, pata mundësi ta takoj poetin. E veçanta e asaj poezie është se ka dy karaktere Sulltan Murati dhe shqiptari. Sulltan Murati është një figurë historike që mund t'ia gjesh vendin në kohë dhe në hapësirë, kurse shqiptarit nuk i vihet asnjë emër, shqiptari është i përjetshëm, shpirti i lirisë që ai po kërkonte është i përjetshëm. Ja pse është e rëndësishme kultura dhe nuk ka rëndësi se çfarë vështirësish duhet të përballohen për aq kohë sa ekziston ai shpirt për të kërkuar liri për një jetë më të mirë, për të qenë ai që je.
Kështu pra, ju jeni edhe studiues arti?
Jo, aspak, jam një njeri i thjeshtë që i pëlqen fjalët dhe e do mënyrën se si njerëz të aftë si këta shqiptarë i kompozojnë fjalët, kompozojnë muzikën, apo artin.
Do donim të dinim shkurtimisht diçka për rrënjët e kulturës suaj.
Kjo është një temë e gjërë. Më lejoni t'ju them se prej origjinës jam afrikano-amerikan dhe besoj që e dini që për shekuj kemi jetuar në skllavëri dhe duke dalë prej skllavërisë, mund ta themi se kemi qenë kontribues jo vetëm në kulturën amerikane, por në kulturën botërore. Kemi kontribuar me shpirtërat tanë, me poezinë tonë, me vallëzimin dhe artin tonë dhe ishin sërish ato rrënjë kulturore, këngët e skllevërve dhe ndjenja se kurrë askush nuk ua ka hequr shpresat për liri. Një nga ato këngë thotë: Faraon lëri njerëzit e mi të lirë. Pastaj kjo traditë e artit të gjallë nuk mbeti vetëm në mes afroamerikanëve, dhe amerikanëve por iu dha botës. Unë dëgjoj jazz edhe në Shqipëri. Kështu, kultura është si shpirti i njeriut që kurrë s'ka për t'u zhdukur.
Elsa Demo : Gazeta Shekulli











