Të shqetësohesh, ndonjëherë i bën mirë shëndetit, ndërsa optimizmi jo gjithmonë duhet mbivlerësuar. Divorci mund t’u bëjë mirë vetëm grave dhe të punosh shumë, nuk të shkurton jetën. Këto janë disa prej përfundimeve të shumta që kanë arritur Howard S. Friedman dhe Leslie R. Martin. Dy kërkuesit sapo kanë publikuar rezultatet e “Longevity Project”, një kërkim i nisur në vitin 1921 nga psikologu Lewis Terman, i cili vendosi të “ndjekë” sekretin e jetëgjatësisë, duke ekzaminuar përgjigjet e 1500 amerikanëve të vëzhguar që nga shkolla fillore e pastaj për të gjithë jetën. Ja se cilat janë, sipas studimit, bindjet e zakonshme që duhen rrëzuar dhe sekretet e jetëgjatësisë.
Të punosh shumë e të Stresohesh, i bën keq shëndetit?
Sa herë kemi dëgjuar të na thonë apo që kemi thënë vetë se puna e tepërt dhe stresi i bën keq shëndetit. Por sipas analizave të Universitetit të Kalifornisë, kjo këshillë është krejtësisht e pabazë, madje e kotë. Rezultatet e “Longevity Project”, në fakt, tregojnë se kush është i motivuar dhe punon shumë, bën karrierë dhe bëhet dikush në jetë, jeton më gjatë. Kjo sepse bëhet fjalë për persona që e duan punën e tyre e që janë të kënaqur prej saj. Shumë analiza statistikore kanë treguar se personat më jetëgjatë, janë ata që nuk kanë hequr dorë nga të punuarit shumë, nga frika se stresi mund t’i çojë shumë shpejt drejt vdekjes së parakohshme
Vërtet personat më të lumtur jetojnë më gjatë?
Një tjetër mit për t’u rrëzuar është ai se personat më të lumtur dhe më optimistë jetojnë më gjatë. Në fakt, nga studimi u vu re se fëmijët më socialë dhe më të qeshur jetojmë më shumë se bashkëmoshatarët e tyre me karakteristika të kundërta. Në të njëjtën mënyrë ambicia nuk përbën aspak një problem, ndërsa të qenit një person i qetë nuk ju zgjat jetën, siç besohet zakonisht. Ajo që është vëzhguar ka të bëjë me faktin se ata që janë të papërqendruar që fëmijë dhe nuk kanë ambicie për t’u bërë dikush kur të rriten, kanë një rritje të rrezikut të vdekshmërisë. Ndërgjegjësimi është një tjetër faktor i rëndësishëm që ndikon te jetëgjatësia. Shpjegimi, sipas kërkuesve, qëndron në faktin se kush ka personalitet të fortë dhe vetëkontroll shmang një sërë rreziqesh. Për shembull ata që nuk pinë alkool, duhan apo drogë. Me pak fjalë ata persona që ruhen gjithmonë e ndjekin me kujdes këshillat e mjekëve. Këta persona gjenden gjithmonë në situata dhe marrëdhënie sociale më të shëndetshme. Janë ata që bëjnë martesa të lumtura, gjejnë miq më të mirë dhe ambiente më të shëndetshme pune.
Martesa i bën mirë shëndetit
Ky pohim vlen vetëm për meshkujt. Kush është martuar me njeriun e duhur dhe ka një bashkëjetesë paqësore jeton më shumë se sa ata që janë divorcuar apo rimartuar. Meshkujt që kanë një martesë të shëndetshme jetojnë zakonisht më shumë se 70 vjeç, ndërsa mes të divorcuarve vetëm një e treta e tyre shkon në këtë moshë. Në bazë të të dhënave të “Longevity Project”, për gratë ndarja më shumë se martesa mund të ketë efekte pozitive mbi shëndetin. Sipas rezultateve të studimit, ndarjet janë më pak të dëmshme për gratë e divorcuara që nuk martohen. Ato kanë të njëjtat mundësi për të jetuar gjatë si gratë e tjera që kanë një martesë të gjatë e të qëndrueshme. Përkundrazi gratë që divorcohen nga një martesë e palumtur duken sikur rilindin.
Seksi të zgjat jetën
Të dhënat e studimit janë të qarta. Gratë që kanë raporte seksuale të zjarrta e që arrijnë më shumë orgazmën jetojnë më gjatë se ato me të cilat ndodh e kundërta. Kjo vlen edhe për meshkujt që kanë qenë pjesë e studimit. Mesa duket ka një lidhje të drejtpërdrejtës mes seksit, shëndetit dhe jetëgjatësisë. Kënaqësia seksuale, sipas autorëve, luan rol thelbësor për një lidhje të shëndetshme dhe rrjedhimisht për një shëndet më të mirë mendor dhe fizik. Edhe pse studimet shkencore ende nuk mund të thonë përse është arritur në përfundimin se një jetë e mirë seksuale është një faktor që ndikon, edhe pse pak te jetëgjatësia.
Ta nisësh shkollën më herët rrezikon jetën
Të nisje shkollën fillore para moshës 6-vjeçare konsiderohej si një faktor rreziku për vdekjen e parakohshme në të ardhmen. Sipas studiuesve është krejtësisht e gabuar të mendosh kështu dhe e vetmja gjë që mund të theksohet lidhet me faktin se kush është më i shkolluar, bën një jetë më të shëndetshme. Sipas studiuesve te jetëgjatësia nuk ndikojnë vitet e shkollës, por edhe efikasiteti për të përballuar sfidat e jetës me guxim.
Ankthi, ndonjëherë duhet
Mendo pozitivisht dhe diçka e mirë do të ndodhë: kjo është motoja me të cilën jemi mësuar, por jo gjithmonë ndodh kështu. Psikologët kanë treguar se të jesh gjithmonë i shqetësuar dhe në ankth për diçka, nuk të shkurton jetën. Përkundrazi, “mbron” jetën. Një përfundim i paparashikueshëm sidomos për burrat që janë përballur me humbje të rëndësishme në jetë, si vdekja e gruas. Teoria e tyre është se nëse pret gjithmonë më të mirën gjendesh i papërgatitur përballë surprizave negative që jeta na rezervon. Të jesh pak në ankth, na përgatit t’i përballojmë më mirë momentet më pak të vështira.
Të hash ushqime që përmbajnë Omega-3
Sigurisht të bën mirë për shëndetin, sepse acidet yndyrore Omega-3 janë shumë të rëndësishme për shëndetin, por kjo nuk ndikon te jetëgjatësia. Gjithsesi këshilla e artë për ata që duan të jetojnë 100 vjet është të hanë pak, sepse kështu plaken më ngadalë.