Java e 15-te e gjuhes dhe kultures italiane ne bote- Koncert i kuintetit frymor Anemos ne Vlore

Koncert i kuintetit frymor Anemos ne Vlore Foto Harilla KoçiVLORË, 25 Tetor/ATSH-Harilla Koçi/.- Koncerti i kuintetit frymor "Anemos", çeli javën e 15-të të kulturës dhe të gjuhës italiane nëpër botë, në qytetin e Vlorës.

Koncerti që u dha mbrëmjen e së shtunës në sallën e Teatrit "Petro Marko", u ndoq me interes nga dhjetra artdashës, qytetarë, artistë, dashamirës të artit dhe të muzikës klasike.

Në repertorin e këtij kuinteti përfshiheshin pjesë nga Mozart, Rossini, Jacques Ibert, Nino Rota, Bize, Virginio Zoccatelli, Malcolm Arnold, etj., të cilat u interpretuan me virtuozitet nga 5 të rinjtë, pjesëtarë të këtij kuinteti, të cilët u pritën me mjaft ngrohtësi nga të pranishmit në sallë.

Tingujt frymorë krijuan një atmosferë mjaft të këndshme, duke i dhënë mbrëmjes një profil të veçantë nga ato që rrallë përjetohen. Interesi për këtë koncert, që ishte një organizim i përbashkët i Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, me Bashkinë dhe Institutin Italian të Kulturës, u reflektua edhe në shkallën e pjesëmarrjes së artdashësve.

Në çelje të këtij koncerti, Drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës znj.Adriana Frisenna, bëri një përmbledhje të shkurtër të historisë së këtij kuinteti, ndërkohë që evidentoi faktin se, aktivitete të tilla, krijojnë mundësitë për njohjen e kulturës italiane, veçanërisht atë pjesë të saj, që është muzika klasike, me autorë të njohur në të gjithë botën.

Nga ana e tij, Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë, Stefano Bergesio, theksoi se, ky koncert është pjesë e aktiviteteve që do të zhvillohen në Vlorë, në kuadrin e javës së 15-të të gjuhës dhe kulturës italiane nëpër botë, tema e të cilës është "italishtja e muzikës dhe muzika e italishtes".

Edhe këtë vit, këto evente kulturore organizohen nën Patronazhin e Lartë të Presidentit të Republikës së Italisë.

Kuinteti "Anemos" përbëhet nga 5 të rinj italianë, Anna Govetto- flaut, Giulia Crisante- oboe, Carlo Pinardi- klarinetë, Paolo Armato- korno dhe Paolo Dreosto- fagot, të apasionuar veçanërisht me muzikën e shekullit të XX-të.

Pjesëtarët e këtij grupi janë fitues të shumë çmimeve kombëtare e ndërkombëtare. /m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama