Japonezet prane zbulimit te madh te jetes

Japonezet, prane zbulimit te madh te jetes

Nga Japonia shkencëtarët njoftojnë ‘revolucionarizimin e mjekësisë’ duke përdorur qelizat staminale në atë që ata e cilësojnë si hapi i parë drejt epokës së “mjekimit të personalizuar”. Studiuesit e këtyre qelizave thonë se kanë gjetur metodën e përftimit të këtyre qelizave duke hedhur në acid qeliza normale gjaku.

Qelizat staminale prej vitesh janë në qendër të shumë studimeve shkencore. Ato njihen për aftësinë e tyre për t’u transformuar në qeliza të specializuar. Në mbarë botën, këto qeliza po testohen në fushën e mjekësisë si në rikthimin e shikimit, rigjenerimin e zemrës apo të trurit.

Edhe cmimi Nobel për Mjekësinë në vitin 2012 shkoi për John B. Gurdon dhe Shinya Yamanaka, dy studiuesit që treguan se si qelizat e lëkurës mund të riprogramoheshin dhe të shndërroheshin në qeliza staminale. Haruko Obokata, shkencëtare e Qendrës së Biologjisë së Avancuar në Japoni deklaroi se “ishte e mahnitëshme reagimi i qelizave të gjakut në momentin kur hidheshin në një mjedis acidi”.

“Është emocionues të mendosh për rrugët e reja, mundësitë më të shpejta, më të lira dhe më të sakta që ky zbulim mund të na japë”, shton Obokata.

Eksperimenti është testuar me sukses në gjakun e minjve dhe testimet do të vazhdojnë me qelizat e gjakut të njeriut. Zbulimi është cilësuar si revolucionar nga emra të mëdhenj të studimit të qelizave staminale si Robin Lovell-Badge dhe Dusko Ilic. Megjithatë ata thonë se do të duhet ende disa kohë për të kuptuar natyrën dhe aftësitë për shëruese të këtyre qelizave të përftuara me këtë metodë.

Aktualisht qelizat staminale përftohen nëpërmjet metodave të ndërlikuara teknologjike dhe përvec kohës që pacienti duhet të presë që këto qeliza të maturohen, duhet të shpenzojë edhe një shumë të madhe parash, pasi metoda është mjaft e kushtueshme dhe e përballueshme nga pak njerëz. Zbulimi i fundit i publikuar në revistën shkencore “Nature” ul kostot dhe kohën për prodhimin e këtyre qelizave. Trupi i njeriut është i ndërtuar nga qeliza të specializuara për funksione të caktuara, si qelizat nervore, ato të mëlçisë, muskujve etj, ndërsa qelizat staminale mund të shndërrohen në cilëndo prej tyre. Kjo është vetia se përse këto qeliza janë kaq të rëndësishme për mjekësinë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama