Ja si te perfitoni Bursa ne 15 universitetet me te mira te botes

Ja si te perfitoni: Bursa ne 15 universitetet me te mira te botes
Studentët më të mirë shqiptarë tashmë do të kenë mundësi të studiojnë në 15 universitet më të mira të botës. Qeveria shqiptare ka marrë vendimin që vit pas viti do të akordojë një fond prej 100 milionë lekësh për të mundësuar bursa studimi për studentët e shkëlqyer dhe shkencëtarët e rinj. “Qeveria shqiptare po kontribuon me një fond të posaçëm për studime të plota doktorate apo postdoktorate të dhjetëra shkencëtarëve të rinj, në universitete perëndimore prestigjioze.

 Këta studiues që do të formohen me dijet e kohës dhe detyrimisht do të japin kontributin e tyre për 3 vjet në Shqipëri, do të jenë një mbështetje e rëndësishme e arsimit tonë të lartë dhe kërkimit shkencor. Ata do të ndihmojnë jo vetëm në rritjen cilësore të formimit dhe kërkimit në universitetet tona, por edhe në rritjen e nivelit të bashkëpunimit me universitetet perëndimore, ku këta studiues do të kryejnë kualifikimin e tyre,” bëjnë të ditur burime zyrtare nga Ministria e Arsimit. 

Aplikimet do të jenë individuale dhe klasifikimi i kandidatëve do të jetë transparent dhe publik. Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpall hapjen e procedurave të aplikimit për programin, për vitin akademik 2011 - 2012. Afati i dorëzimit të dokumentave është deri në datën 31. 03. 2011. Dokumentat dërgohen me postë në adresën: Fondi i Ekselencës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës; Rr. Durrësit, nr. 23; ALB-1001-TIRANA.

Llojet e bursave

Ky fond i veçantë, i financuar nga buxheti i shtetit dhe nga donacione, do të përdoret nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për: bursa të posaçme për studentë që bëjnë studimet e doktoratës jashtë shtetit; bursa të posaçme për studentë që ndjekin studime "Bachelor" ose "Master" në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës, si dhe ata që janë pranuar e kanë përfituar bursë të pjesshme në shkencat inxhinierike, teknologji informacioni, matematikë, fizikë dhe bioteknologji në universitetet e njohura perëndimore; bursa të posaçme për shkencëtarë të rinj, që bëjnë studimet e postdoktoratës jashtë shtetit; çmime/shpërblime për studentë fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare; çmime/shpërblime dhe mbështetje financiare për botime shkencore, me nivel të lartë shkencor, të vlerësuara edhe jashtë vendit.

Përfituesit

Të drejtën për t’u mbështetur financiarisht sipas vendimit qeveritar e kanë studentët që ndjekin studimet e doktoratës, jashtë shtetit, pasi kanë përfunduar ciklin e parë e të dytë të studimeve. Gjithashtu ata duhet të kenë një mesatare të lartë  dhe mund të përfitojnë bursa vetëm kur: kanë arritur notë mesatare mbi 9, për shkencat natyrore, inxhinierike e të jetës, dhe mbi 9.5, për shkencat ekonomike e shoqërore, ose, përkatësisht, mbi 8, për shkencat natyrore, inxhinierike e të jetës, dhe mbi 8.5, për shkencat ekonomike e shoqërore, për studimet e kryera jashtë shtetit në secilin cikël studimi; janë pranuar në një universitet të huaj për studimet e doctorates apo të postdoktoratës; kanë përgatitur një projekt për kërkim, gjatë studimeve të doktoratës apo postdoktoratës, jashtë shtetit; pranojnë të punojnë, së paku 3 (tre) vjet në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve të doktoratës apo postdoktoratës jashtë shtetit; nuk janë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar dhe nuk kanë të ardhura personale mbi 200 000 (dyqind mijë) lekë në muaj.

Studentët jashtë

Gjithashtu nga ky fond përfitojnë edhe studentët që ndjekin, jashtë shtetit, ciklin e parë dhe ciklin e dytë të studimeve në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës, kur janë pranuar në njërin nga 15 universitetet më të mira të botës për të ndjekur njërin nga dy ciklet e studimit, si dhe ata që janë pranuar dhe kanë përfituar bursë të pjesshme në shkencat inxhinierike, teknologji informacioni, matematikë, fizikë dhe bioteknologji në universitetet e njohura perëndimore; pranojnë të punojnë, së paku, 3 (tre) vjet në Shqipëri, ose të bashkëpunojnë me institucionet publike a me sektorin privat të vendit, në forma të ndryshme, pas përfundimit të ciklit përkatës të studimeve, për të cilin përfitojnë bursën, ose pas përfundimit të të gjithë ciklit të studimeve, nëse kandidati përfitues vijon studimet; nuk janë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar dhe nuk kanë të ardhura personale mbi 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë në muaj.

Olimpiadat

Edhe ata nxënës apo studentë që shpallen fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare mund të përfitojnë shpërblime nga shteti. Ata duhet të jenë shpallur fitues në tri vendet e para. Por marrin shpërblim edhe ata studentë dhe doktorantë që kanë përfunduar studimet universitare ose pasuniversitare, me rezultatin "shkëlqyer", në një universitet të huaj, që renditet në 30 më të mirët e botës. Por edhe autorët e botimeve me nivel të lartë shkencor, të vlerësuar edhe jashtë vendit, përfitojnë çmime dhe mbështetje financiare për artikujt shkencorë origjinalë dhe analizat shkencore (revieë), pranuar në revistat shkencore të huaja, që janë të indeksuara, me faktor impakti mbi 2.0; monografitë, të shkruara në gjuhë të huaj dhe që kërkohen edhe nga institucione jashtë shtetit; veprat fondamentale, që vlerësohen të një rëndësie të veçantë për shkencën dhe kulturën mbarëshqiptare; pjesëmarrje me kontribute (referate), në konferenca dhe kongrese ndërkombëtare.

Kriteret

Rregullat e hollësishme për zbatimin e kritereve, si dhe për masën e financimit për çdonjërën nga bursat e parashikuara, që aplikohen për studentët dhe shkencëtarët e rinj, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, i cili, botohet në "Fletore zyrtare". Kriteret për përzgjedhjen e shkollave të larta jashtë shtetit, në raport me koston e kualifikimit, fushat parësore, numrin e bursave për secilën kategori, në varësi edhe të fondit të vënë në dispozicion për këtë qëllim, konsultohen me Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Përzgjedhja e kandidatëve kryhet para fillimit të çdo viti akademik, nga komisione përzgjedhëse, të ngritura me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Këto komisione kanë në përbëtje profesorë të universiteteve, në varësi të fushës, si dhe një përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kur fondi i veçantë plotësohet edhe nga donacione, në komision merr pjesë edhe një përfaqësues i donatorëve. Përzgjedhja e kandidatëve bëhet sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Lista përfundimtare e kandidatëve të përzgjedhur dhe masa e bursës për secilin prej tyre miratohen nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, pasi kandidati të ketë nënshkruar deklaratën, e miratuar nga ministri, për punësim në Shqipëri. Lista botohet në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Llojet e bursave nga Fondi i Ekselencës

1)bursa të posaçme për studentë që bëjnë studimet e doktoratës jashtë shtetit;
2) bursa të posaçme për studentë që ndjekin studime "Bachelor" ose "Master" në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës, si dhe ata që janë pranuar e kanë përfituar bursë të pjesshme në shkencat inxhinierike, teknologji informacioni, matematikë, fizikë dhe bioteknologji në universitetet e njohura perëndimore.
3) bursa të posaçme për shkencëtarë të rinj, që bëjnë studimet e postdoktoratës jashtë shtetit;
4) çmime/ shpërblime për studentë fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare;
5) çmime/shpërblime dhe mbështetje financiare për botime shkencore, me nivel të lartë shkencor, të vlerësuara edhe jashtë vendit.

Penalizime për thyerjen e rregullave

Studentët, të cilët ndërpresin studimet për më shumë se një muaj, përveç rasteve kur paraqesin raport mjekësor, humbin të drejtën e përfitimit të mëtejshëm të bursës së studimit. Studentët, të cilët nuk i japin të gjitha provimet apo e përfundojnë vitin me notë mesatare më të ulët se nota 8, nuk përfitojnë bursë në vitin pasardhës. Studentët dhe shkencëtarët e rinj, që kanë përfituar bursë sipas këtij vendimi, kur, pas përfundimit të studimeve, refuzojnë të punojnë në Shqipëri, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e lidhur, detyrohen të kthejnë shumën e marrë në formë burse. Masa e fondit të veçantë "Për mbështetje financiare për shkencëtarë të rinj shqiptarë, të shkëlqyer", për vitin 2010, është 100000000 (njëqind milionë lekë, e cila është planifikuar në buxhetin e miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Lista e disa prej universiteteve më të mira të botës

1. Harvard University, US
2. University of Cambridge, UK
3. Yale University, US
4. University College London UK
5. Imperial College London UK
6. University of Oxford ' UK
7. University of Chicago US
8. Princeton University US
9. Massachusetts Institute of Technology US
10. California Institute of Technology US
11. Columbia University US
12. University of Pennsylvania US
13. Johns Hopkins University US
14. Duke University US
15. Cornell University US

Tafaj në Kamëz: Nxënësit ti japin rëndësi gjuhëve të huaja

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, organizoi në mjediset e shkollës së mesme “Ibrahim Rrugova” një takim pune me mësues dhe drejtues të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të bashkisë Kamëz dhe të komunave Paskuqan dhe Zall-Herr. Ministri Tafaj përmendi investimet serioze që janë realizuar me fondet e qeverisë shqiptare, të Bankës Botërore dhe të Komisionit Evropian për ndërtimet e shkollave të reja dhe vlerësoi bashkëpunimin me njësitë e qeverisjes vendore për të realizuar në kohë dhe me cilësi ndërtimin e shkollave të reja me standarde bashkëkohore.

Ministri Tafaj, bëri një analizë të rezultateve të Maturës Shtetërore për nxënësit që kanë mbaruar arsimin e mesëm në këto shkolla, për kontigjentet që kanë fituar të drejtën e studimeve universitare dhe ftoi mësuesit e drejtuesit e shkollave që të shtojnë përpjekjet dhe të punojnë me më shumë vullnet e pasion për të arritur tregues të tillë që krahasohen me shkollat më të mira të vendit.

Ministri Tafaj, duke i përgëzuar pjesëmarrësit për seriozitetin që kanë treguar në kuadrin e diskutimit publik të Projekt-Ligjit për arsimin parauniversitar, duke i falenderuar për propozimet konkrete që kanë bërë për përmirësimin e neneve të veçanta të këtij Projekt-Ligji, u ndal dhe diskutoi me pjesëmarrësit në këtë takim për statusin e mësuesit, të drejtuesit të shkollës, për bashkëpunimin me komunitetin, njësitë e qeverisjes vendore dhe të partnerëve të tjerë që kontribuojnë në fushën e arsimit.

Me një theks të veçantë, ministri Tafaj, tërhoqi vëmendjen e bashkëbiseduesve për një punë më të kujdesshme e të veçantë, sisdomos në lëndët e  teknologjisë së informacionit  dhe mësimit të gjuhëve të huaja.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama