Ja si ra ne gracken e policise prokurori i dosjes Hajdari

Ja si ra ne 'gracken' e policise prokurori i dosjes 'Hajdari'

Hetimet për arrestimin e prokurorit të Krujës, Haxhi Giu, kanë nisur në fund të muajit shtator nga një posto-bllok i ngritur nga policia e kryeqytetit në vendin e quajtur “Hurmat”, pranë Aeroportit të Rinasit. Gjatë një kontrolli rutinë, të ushtruar në automjetin tip “Fiat Punto” me targa të huaja, efektivët blu i kanë gjetur shtetasit Aleks Shpori një sasi prej 30 mijë eurosh. Menjëherë u krijua dyshimi nga grupi hetimor se, ato para mund të ishin krijuar nga një aktivitet kriminal. Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës u shoqëruan Shpori dhe një miku i tij, i cili ishte pasagjer në automjetin me targa të huaja.

Në deklaratën e dhënë në polici, Aleks Shpori ka theksuar se, paratë i mbante “cash” për faktin se, kishte vendosur të blinte një apartament në kryeqytet. Pas marrjes në pyetje, Aleks Shpori u la i lirë. Nga ana tjetër, rezultoi se Aleks Shpori ishte i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike dhe u vë menjëherë në përgjim 24 orë, me metoda pro-aktive të hetimit. Gjatë përgjimit ambiental dhe bisedave telefonike ka dalë në skenë emri i prokurorit të Krujës, Haxhi Giu, i cili kishte ndërhyrë për të ndryshuar masën e sigurisë për një të dënuar me 8 vite burg dhe që rezultonte të ishte vëllai i Aleksit, Paulin Shpori.

Përgjimi

Aleks Shpori, në muajin shtator 2015, është vënë në kontakt me prokurorin e çështjes, Haxhi Giu dhe i kërkon që, në këmbim të një shume parash prej 29 mijë eurosh, të ndihmonte Paulin Shporin të dilte nga burgu. Pas këmbënguljes së 29-vjeçarit, prokurori i cakton një takim në Tiranë, fillimisht në një lokal dhe më pas së bashku shkojnë në një pikë këmbimi valutor. Sipas hetimit, në këtë pikë këmbimi valutor shtetasi Shpori depoziton një shumë parash, si “garanci” për shërbimin antiligjor që do t’i kryente prokurori.

Pas këtij takimi, sipas policisë, prokurori Haxhi Giu vihet në lëvizje për të plotësuar kërkesën korruptive të shtetasit Shpori. Prokurori Giu dërgon një informacion në Prokurorinë e Përgjithshme, sipas të cilit, nga shqyrtimi i elementëve të dosjes hetimore, duhet zbutur pozita procedurale e shtetasit Paulin Shpori, nga i akuzuar për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike”, në veprën penale të “moskallëzimit të krimit”.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar dje në gjykatë kërkesën për verifikimin e masës arrest me burg, të vendosur në mungesë para arrestimit ndaj prokurorit Haxhi Giu. Para dorëzimit të kërkesës në gjykatë, prokurori i Task-Forcës për hetimin e zyrtarëve të lartë tek krimet e rënda, ka shkuar në drejtorinë e policisë në Tiranë, ku po mbahet Haxhi Giu që në momentin e arrestimit. Prokurori ka kërkuar të marrë deklarime nga kolegu i tij i arrestuar, mirëpo mësohet se Haxhi Giu ka refuzuar të japë shpjegime. “Do të flas në një moment tjetër. Në këtë situatë nuk kam gjë për të thënë”, mësohet të ketë thënë Haxhi Giu. Veprimet hetimore të dosjes së prokurorit Haxhi Giu janë kryer nga prokurorët e krimeve të rënda Gentian Osmani dhe Armand Gurakuqi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama