Ja se cfare na tregojne me bishtin e tyre

Ja se cfare na tregojne me bishtin e tyre

Pavarësisht nga cila anë qeni e tund bishtin, nëpërmjet tij ai komunikon emocione të ndryshme, si ankth apo frikë…Ja se çfarë kanë zbuluar disa studiues italianë…

Qentë

Bishti i qenit komunikon emocione dhe nëpërmjet tundjeve ai aktivizon te qentë e tjerë reagime të ndryshme në tru. Ky është rezultat i një studimi italian, fryt i një bashkëpunimi midis Universitetit të Trentos dhe Barit. Ky kërkim u publikua në revistën “Current Biology” dhe tregon se qentë, ashtu sikurse njerëzit, kanë një organizim asimetrik të trurit, ku e majta dhe e djathta luajnë role të ndryshme. “Drejtimi i bishtit që qeni tund ka kuptimin e vet që ndryshon në varësi të anës, duke prodhuar aktivitete të ndryshme në dy hemisferat e trurit”, tha Xhorxho Vallortigara (Giorgio Vallortigara), nga Universiteti i Trentos, i cili udhëhoqi studimin.

 

Duke monitoruar reagimet e qenve, të cilëve u tregoheshin pamje të disa qenve të tjerë (nëpërmjet videove), studiuesit vërejtën se kur qentë vinin re një lëvizje të bishtit në anën e majtë, rrahjet e tyre të zemrës fillonin të shtoheshin, ndërsa vetë ata bëheshin të egër, apo të shqetësuar. Por kur qentë e videove tundin bishtin e tyre në anën e djathtë, qentë të cilët monitoroheshin përgjigjeshin në një mënyrë tepër relaksuese, apo ndryshe ata shfaqeshin të qetë. Ndërkohë, në një studim të mëparshëm, ekipi i Vallortigara-s kishte treguar se kur qeni ka ndjenja të pëlqyeshme (si për shembull, një takim me të zotin e tij) atij i aktivizohej ana e majtë e trurit dhe kafsha kishte tendencë të tundte bishtin e tij për nga ana e djathtë. Por nëse ka një eksperiencë negative, qenit i aktivizohet hemisfera e djathtë dhe bishti i tij ka tendencë të lëvizë në të majtë. “Megjithatë, kjo nuk do të thotë, se qentë në këtë mënyrë komunikojnë me dashje ose me vetëdije. Ata nuk e perceptojnë këtë mesazh. Me shumë gjasa bëhet fjalë për një aktivizim mekanik prej stimulimeve të ndryshme të shkaktuara nga të dyja hemisferat e trurit. Kjo mund të jetë diçka shumë e ngjashme me atë që ndodh edhe te njerëzit në një mënyrë jo të vetëdijshme”, tha Vallortigara.

“Gjuha” e bishtit

Kur shihni një qen, që po tund bishtin me forcë, mesazhi është i qartë: “Jam i lumtur që po të shoh”. Nga ana tjetër, nëse një qen qëndron përballë jush me bishtin, gati në gjendje të lirë, por pa lëvizur, me siguri dëshiron që t’ju njohë ca më mirë. Ndoshta nuk do t’ju sulmojë, por nuk është as gati t’ju japë një përqafim të madh. Kini kujdes ama, nga një qen që ju sheh në sy, me bishtin ngritur lart, e pa lëvizur. Është me siguri i shqetësuar, dhe s’është çudi që t’ju sulmojë nëse nuk shihni punën tuaj.

Si të mund të kuptoheni prej qenit tuaj

Keni një qen, por nuk dini si të bëni të mundur që t’ju kuptojë, qoftë edhe nga gjestet që bëni? Atëherë ndiqni këta hapa:

1. Në radhë të parë kërko të përdorësh një gjuhë përsëritëse, kur dëshironi të kuptoheni nga qeni juaj. Për të fiksuar një komunikim efikas është shumë e rëndësishme të thuash të njëjtën fjalë, ose frazë disa herë, derisa kafsha të mund të lidhë fjalën me vetë veprimin. Gjithashtu duhet të kuptosh edhe atë që kërkon të përcjellë qeni. Për shembull, një lehje e lehtë shërben për të fituar vëmendjen tuaj. Komuniko edhe me gjeste e me duar, përderisa kafshët e kuptojnë më mirë gjuhën e pafolur.

2. Kini parasysh edhe gjuhën e trupit të qenit: nëse hidhet e tundet, atëherë do të thotë se është i gëzuar, ndoshta sepse ka kuptuar që do ta dërgoni për ndonjë shëtitje. Kurse një bisht në pozicionin horizontal tregon se po eksploron dhe po njeh ambientin që e rrethon. Një bisht i ngritur tregon agresivitet ose tensionim. Kuptimi i këtyre sinjaleve do të ndihmojë për të komunikuar më mirë me të.

3. Përdorni gjithashtu një varietet të madh tingujsh vokalë nëse dëshironi të komunikoni si duhet me qenin tuaj. Duhet të përpiqeni të flisni me të, gjithmonë me të njëjtin ton vokal. Mos harroni ta lavdëroni e ta shpërbleni me ndonjë ushqim, kur bën ndonjë veprim korrekt. Kështu raporti juaj do të përmirësohet edhe më shumë!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama