Italianet rikthejne fluturimet ne Jug

Italianet rikthejne fluturimet ne Jug

Dosja eshte dorezuar ne Keshillin e Qarkut Gjirokaster, e sipas specialisteve, ky aeroport i ka te gjitha kapacitetet teknike, fluturimin kryesisht te avioneve te vegjel turistik. Bazuar ne raportin ne fjale, nje sere elementesh te komunikimit, zhvillimit ekonomik, kulturor, turistik etj., jane faktore te rendesishem ne rikthimin e fluturimeve ne aeroportin e Gjirokastres. "Nevoja e riaktivizimit te pistes konsiderohet esenciale ne procesin e zhvillimit te te gjithe rajonit te Jugut", pohohet ne studim. Sipas eksperteve italiane, rivenia ne pune e aeroportit te Gjirokastres ndikon ne uljen e kohes dhe kostos se komunikimit te zones se Jugut me pjese te tjera te vendit. Aeroporti konsiderohet i pershtatshem per aktivitetet e aeronautikes, carterat dhe aeroklubet, te cilet sot ne vende te ndryshme te botes jane elementet kryesore te nxitjes se zhvillimit te turizmit, pasi krijojne lehtesira ne levizjen e njerezve.

Ne vijim te studimit, specialistet italiane japin edhe disa elemente teknike ne lidhje me punen qe duhet bere per rikonstruksionin e pistes se fluturimit, godinave ekzistuese ne mjediset e aeroportit, si dhe aksesoreve te tjere te nevojshem per rivenien ne pune te aeroportit te Jugut. Parashikohet qe avionet, qe do perdorin pisten, do te kene nje autonomi perreth 500 km dhe nje kapacitet prej rreth 30-40 pasagjeresh, pra do te jene te tipit ATR 42 (40 vendesh), SAAB 340 (34 vendesh), Embraer EMB 110 (21 vendesh) dhe Dornier 328 (32 vendesh). Nderkohe, gjate viteve te fundit, riaktivizimi i aeroportit te Gjirokastres ka qene ne qender te disa iniciativave te ndermarra edhe nga faktore te tjere si pushteti vendor ne Gjirokaster, Ministria shqiptare e Mbrojtjes apo DIE ( Delegacioni Italian i Eksperteve). Keto kane konsistuar ne frenimin e shkaterrimit dhe rikonstruksionin e disa prej aksesoreve te aeroportit. Nderkohe, ne muajin shtator te ketij viti, nje iniciative e perbashket mes disa prej institucioneve dhe organizmave shqiptare, konsullates se pergjithshme italiane ne Vlore dhe pushtetit vendor ne Gjirokaster, synon rikthimin e fluturimeve ne pisten e aeroportit te avioneve me kapacitet te vogel. Kjo iniciative parashikon nje aktivitet promovues, duke organizuar me kete rast ardhjen ne Gjirokaster te disa avioneve te aeroklubeve italiane me turiste, si dhe fluturime te lira nga ajri nga anetaret e aeronautikes shqiptare dhe te huaj.

Na ishte nje here aeroporti

Ishte shtator i vitit 1924, kur autoritetet shqiptare pranuan kontraten me shoqerine "Adria – Aero-Llojd" dhe nxiten daljen e nje projektligji, i cili do te celte siparin e historikut te aviacionit civil ne vendin tone. Projektligji bente fjale per vendosjen e linjave te rregullta te trafikut te aviacionit civil ne linjat Tirane-Shkoder-Durres-Berat-Vlore-Gjirokaster. Me vone, hartes se udhetimeve civile nepermjet ajrit iu shtuan edhe Korca, Kukesi dhe Peshkopia. Ne nje studim te Shoqates Italiane per Zhvillim VSP (Volontari Senior Profesionali), te hartuar vitet e fundit dhe qe ka ne qender aeroportin e Gjirokastres, permendet fakti se "linja ajrore Tirane-Gjirokaster-Tirane u perurua me 11 gusht 1929". Keto fluturime bene te mundur lidhjen e qendres se Jugut te Shqiperise me kryeqytetin ne nje kohe te shkurter. Megjithate, fluturimet e avioneve te vegjel, qe perdoreshin ne kete linje, realizoheshin vetem ne kushte atmosferike normale. Veshtiresive te motit per kryerjen e fluturimeve i shtoheshin edhe gjetja e ekuipazhit qe do te kryente sherbimin. Fillimisht ne kete linje fluturimesh ka operuar nje ekuipazh i reduktuar gjerman dhe me pas nje ekuipazh i perbere nga pilote italiane. Krahas pasagjereve ne linjen Gjirokaster-Tirane dhe anasjelltas, avionet realizonin edhe transportimin e postes. Per kete linje fluturimesh perdoreshin dy-tre aeroplane te lehte te tipit "Albatros E" dhe "Albatros G", te cilet kishin nga tre vende secili. Ne vitin 1932 marreveshja me gjermanet u abrogua dhe qeveria Mbreterore Shqiptare ia dha koncensionin per sherbimin ajror civil shoqerise italiane "Ala-Littoria". Kesaj periudhe i perket edhe ndertimi dhe sistemimi i aeroportit te Gjirokastres, ne perputhje me kushtet teknike te fluturimeve te asaj kohe. Ne vitet ‘30-’40, te shekullit te kaluar, ky aeroport do te kishte nje funksion te dyfishte, ate civil dhe ushtarak. Ne kete kohe, ne pisten e aeroportit te Gjirokastres u vendosen rreth 30 aeroplane transporti, bombardues, civile etj. Krahas pistes se modernizuar, edhe sherbimi ne fluturimet civile erdhi ne rritje. Gjate kesaj kohe per fluturimet civile perdoren aeroplane te tipit "Breda 44". Linjat kryesore te fluturimeve te kesaj periudhe, qe kishin si stacion aeroportin e Gjirokastres, do te ishin: Tirane-Vlore-Gjirokaster-Tirane dhe Tirane-Korce-Gjirokaster-Tirane. Ky lloj transporti do t’i vinte ndjeshem ne ndihme levizjes se pasagjereve nga Jugu i vendit ne drejtim te zonave te tjera. Grupet e pasagjereve, qe udhetonin me avion ne linjat e aeroportit te Gjirokastres, ishin nga me te ndryshmet, tregtare, administratore, punonjes te administrates shteterore etj. Per t’u permendur eshte fakti se, krahas fluturimeve ne linja te rregullta, shpesh nga aeroporti i Gjirokastres niseshin edhe cartera me destinacion te percaktuar nga klientet e interesuar kryesisht ne drejtim te Napolit dhe Brindizit.

Pas luftes, vetem kronike ne letra

Transporti civil, nepermjet aeroportit te Gjirokastres, zgjati deri ne perfundim te Luftes se Dyte Boterore. Pas vitit 1944, sherbimi civil ne aeroportin e Jugut do te nderpritej e megjithate serish aeroporti i Gjirokastres do te vazhdonte jeten e vet. Pista e tij do te perdorej per fluturime per qellime ushtarake, per nevoja qeveritare dhe humanitare. Ne aeroport do te uleshin helikopteret, qe transportonin jo vetem politikanet, por edhe ushtaraket, te semuret per nje ndihme me te specializuar ne drejtim te kryeqytetit etj. Madje, ky aerodrom do te perdorej si piste fluturimesh edhe nga avionet e sperkatjes ne bujqesi, te cilet hidhnin nga ajri pesticidet ne siperfaqet bujqesore pergjate lugines se Drinos. Por, nje tregim i titulluar "Aeroporti i Jugut", i shkrimtarit Ismail Kadare do te bente aerodromin e Gjirokastres nder me te vecantet, krahasuar me pistat e tjera te fluturimeve, pasi keshtu ai do te perjetesohej ne nje veper letrare. Pergjate tregimit, Kadareja jep ndjesite e tij dhe te banoreve te Gjirokastres ne lidhje me zhvillimet qe peson pista e fluturimit gjate viteve ‘40-te te shekullit te kaluar. Madje, nen titullin e ketij tregimi, Kadareja do te realizonte ne nje vellim me vete nje permbledhje te prozes se shkurter te krijimtarise se tij letrare. Por kulmin marredheniet me boten e letrave aeroporti i Gjirokastres i ka serish ne nje veper te Kadarese. Ne romanin "Kronike ne gur", ku historia, ngjarjet dhe zhvillimet e aeroportit te Gjirokastres zene faqe te tera, duke qene keshtu nje deshmitar i vete historise se qytetit te gurte.

Fluturimet “VIP” te politikaneve

Vitet ’90 e gjejne aeroportin e Gjirokastres ne gjendje pune, kjo fale kujdesit dhe mirefunksionimit te tij ne vitet e meparshme, ku rregullat e forta ushtarake e mbajten ne kushte optimale. Avionet e shoqerise amerikane MAF, do te rikthenin ne kete aeroport fluturimet civile ne linjat ajrore Tirane-Gjirokaster-Korce-Tirane, duke e bere ate nje nyje te rendesishme te transportit ajror ne Shqiperi. Gjate ketyre viteve, ditari i aeroportit te Jugut do te perfshinte nje sere fluturimesh VIP, ku krahas politikaneve shqiptare, spikasin edhe mberritja ne Gjirokaster e Kryeministrit italian te atyre viteve, Romano Prodi, ish-kancelarit austriak, Vraniski, si edhe i shkrimtarit Ismail Kadare, i cili mberriti me helikopter per nje vizite ne qytetin e tij te lindjes. Por ne ngjarjet e vitit 1997, aeroporti i Gjirokastres pesoi nje shkaterrim total. Dolen nga funksioni te gjitha aparaturat dhe ambientet si pista, kulla e navigimit, stacioni meteorologjik dhe gjithe infrastruktura, qe e mbante ate ne pune.

Aeroporti i Gjirokastres ne shifra

1250 m gjatesia e pistes

80 m gjeresia e pistes

190 m lartesia mbi nivelin e detit

124000 m2 siperfaqja totale

96000 m2 siperfaqja e pistes

0,5 km largesia nga rruga Gjirokaster-Kakavije

Blerim Kore : Gazeta Koha Jone


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama