Italia universitare vetem nje hap larg

Italia universitare, vetem nje hap larg
Ambasada italiane dhe Instituti Italian i Kulturës në Tiranë duke parë interesin e madh të të rinjve shqiptarë për të studiuar në Itali, kanë mundësuar një panair njohës të sistemit universitar italian, përmes ardhjes në Shqipëri të 29 universiteteve më të njohura italiane, në kuadër të Javës XII të Gjuhës Italiane në Botë

Nëse dikur të studioje në Itali quhej një privilegj, sot, është një realitet fare i prekshëm. E hapur përballë një interesi jashtëzakonisht në rritje të studentëve shqiptarë, Ambasada italiane jo vetëm s’ka qëndruar indiferente por ka mundësuar një aktivitet shumë interesant pak ditë më parë në kuadër të Javës XII të Gjuhës Italiane në Botë. Pikërisht, në kuadër të promovimit dhe ndërkombëtarizimit të sistemit universitar italian, ajo organizoi në Tiranë një veprimtari të rëndësishme njohëse dhe këshilluese përmes Institutit Italian të Kulturës dhe Zyrës së Bashkëpunimit Shkollor, në bashkëpunim edhe me Zyrën e Bashkërendimit dhe Ndërkombëtarizimit Area Science Park dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Ministrisë italiane të Arsimit, Universiteteve dhe Kërkimit.

Por, aktiviteti do të ishte fare pavlerë, nëse nuk kujtojmë se bashkë me organizatorët erdhën dhe përfaqësuesit e njëzetë e nëntë universiteteve italiane për të marrë pjesë më 6 tetor në një ditë speciale të prezantimit të programeve të tyre universitare të studimit dhe më shumë akoma për të nxitur bashkëpunimin me sistemin akademik italian...”Kjo iniciativë është e veçantë dhe ka shumë elementë të rinj: Për të parën herë universitetet italiane vijnë dhe prezantojnë vetë ofertën e tyre; për herë të parë Sistemi italian paraqitet me një sistem të tillë kaq kompakt si nga Universitetet Private dhe publike për një aktivitet për të rinjtë; dhe po për herë të parë studentët shqiptarë kanë mundësi të kenë përballë të gjithë rrjetet arsimore të Ministrisë së Jashtme që ndihmojnë për mësimin e italishtes kudo në Botë...”, u shpreh mes të tjerave ambasadori italian Massimo Gaiani.
 
Stendat dhe pjesëmarrësit


“Ofrojmë shumë gjëra. Universiteti ynë është i katërti më i vjetër në Botë, thotë Dr. Gianumberto Caravello përfaqësues i Universitetit të Padovas. Kuptohet se me zhvillimet që kanë universitetet e përtej Oqeanit kanë ndryshuar hierarkitë, por universiteti i Padovës është universiteti i Padovës”. “Shqiptarët janë studentë interesantë. Njësoj si të tjerët.... I tërheq shumë universiteti ynë...”, shprehet Prof. Uoldelul Chelati Dirar i Universitetit të Mesinës. Kurse Dr. Marko Bevilacqua i Universitetit të Sienës shprehet se universiteti i tij veç të tjerave ka dhe një kampus tejet origjinal. Njësoj vijonin ndërkohë pyetje-përgjigjet në stendat e tjera, ku një masë njerëzish janë këhsilluar pafund me pedagogët dhe studiuesit italianë. E veçantë ishte se vetë të rinjtë (jo shpesh shoqëruar dhe nga prindët), vinin dhe komunikonin lirisht me stendat e universiteteve. Për edhe asnjë moment të vetëm asnjëra nga stendat e universiteteve italiane nuk mbeti edhe për pak minuta e lirë.

Profesorët e universiteteve të Bologna-s, Cagliari-t, Camerino-s, Chieti-t, Foggia-s, Macerata-s, Messina-s, Milano Bicocca-s, Molise-s, Padova-s, Pavia-s, Perugia-s, Trento-s dhe Urbino-s, Politekniku i Bari-t, Universiteti Zoja e Këshillit të Mirë dhe Instituti i Lartë i Ndërmjetësimit Gjuhësor Ciels, jo vetëm paraqisnin modulet e fakulteteve të tyre, por më shumë se kaq ishin të hapur për të gjitha pyetjet që lidheshin me të rinjtë. Këtyre iu shtuan edhe përfaqësuesit e Qarqeve të Friuli Venezia Giulia-s dhe Toscana-s, të cilët paraqitën programet akademike të territoreve përkatëse përmes Sistemit të Formimit të Lartë të Friuli Venezia Giulia-s ( e cila përmbledh Universitetet e Trento-s dhe Udine-s), Shkollën e Lartë Ndërkombëtare të Studimeve të Përparuara të Trieste-s, Konservatorin e Trieste-s dhe Udine-s si dhe Rrjetin Tune (Tuscany Universities Netëork, në të cilin bëjnë pjesë Universitetet e Firenze-s, Pisa-s, Siena-s, Universiteti për të Huajt i Siena-s, Shkolla e Lartë Sant’Anna si dhe Shkolla e Lartë Normale e Pisa-s).
 
Rëndësia

Rëndësia e aktivitetit mund të matej me shkallën e pjesëmarrjes së zyrtarëve të pranishëm. Ishin dy primatët e ambasadave italiane dhe zvicerane, respektivisht shkëlqesia e tij Massimo Gaiani, dhe SH.S. Yvana Enzler, zv/Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Nora Malaj, Përgjegjësi për Bashkëpunimin Shkollor Prof. Vito Stigliani dhe Drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës Znj. Fulvia Veneziani. Por aktivitetin e ndoqën edhe mjaft përfaqësues së Zyrës së Studentëve pranë Konsullatës Italiane në Tiranë, shoqatat Ipsia-Acli dhe Asan, mjaft aktive në fushën e informimit të studentëve shqiptarë si dhe APADI, Shoqata e sapokrijuar e Mësuesve Shqiptarë të Gjuhës Italiane.

Ministria italiane e Punëve të jashtme sëbashku me Akademinë Crusca prej vitesh organizon të ashtuquajturin “Java e gjuhës italiane”, e cila de jure ka qëllimin të ndikojë në përhapjen e gjuhës italiane në botë. Por, de facto në themel të projektit “Italia e territoreve – Italia e së ardhmes” ajo ka bashkëpunuar me Universitetet e shumta të vendit me një gjeografi të gjerë, me qëllimin të jenë të angazhuara në një proces ndërkombëtarizimi, për t’u sfiduar me tregun botëror të dijes. Në të njëjtin aktivitet katër studentëve shqiptarë u është ofruar nga një bursë studimi me vlerë 4 mijë euro secila, dhënë nga 3 sipërmarrjet italiane: Petrolifera Italo-shqiptare, Banka Intesa San Paolo Shqipëri dhe Banka Veneto. Respektivisht dy bursa janë dhënë nga Petrolifera Italo-Shqiptare, një bursë është dhënë nga Banka Intesa San Paolo dhe një nga Banka Veneto. E gjithë veprimtaria u mbështet edhe nga mbështetja e ABCom dhe Klik Ekspo.

Italia mbetet vendi kryesor investues në Shqipëri dhe në këtë rast shton subjektet që akordojnë bursa për shqiptarët. Deri më tani ato akordohen nga Ministria italiane e Punëve të Jashtme, Qarqet apo Entet e tjera. Por, kjo ditë më shumë se çdo gjë do të mbahet mënd edhe si ditë e ndërbashkveprimit të suksesshëm në mes të dy vendeve, falë bashkëpunimit të shumë aktorëve të rëndësishëm...Përgatiti Ben Andoni
 
Ja pse e duan Italinë të rinjtë tuaj
Drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës Znj. Fulvia Veneziani flet për JAVA

Znj. Veneziani si e shikoni interesin e studentëve shqiptarë në Itali në kohën e mandatit tuaj?

“Sipas të dhënave të një hulumtimi, promovuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, në të gjithë botën studimi i gjuhës italiane po përhapet gjithnjë e më shumë. Përveç atyre të cilët e mësojnë italishten për kënaqësi personale apo për motive kulturore, po rritet gjithnjë numri i atyre që vendosin ta mësojnë për arsye të shkollimit apo për të punuar. Në Shqipëri të investosh në gjuhën italiane të leverdis, ashtu siç konfirmojnë të dhënat tona, pasi:

Italia është investuesi kryesor në Shqipëri për numrin e ndërmarrjeve të lokalizuara në sektorët e shpërndarjes si (Euronics, Conad), të infrastrukturës, të energjisë etj .

- Në Shqipëri ndodhen disa banka italiane dhe rreth 450 ndërmarrje të vogla në sektorët e drurit-mobilimit, e ndërtimit, agro-ushqimore, tekstile-veshmbathje, mekanike si dhe biznesit e shërbimit.

- Italia posedon e vetme 34% të shkëmbimeve të Shqipërisë me jashtë.

Është e qartë se për të pasur sukses në studimet në Itali, është e nevojshme që studentët shqiptarë që në fillim të kenë nivel të lartë të gjuhës. E pikërisht në këtë pikë, prej gati një viti, po insistojmë me studentët shqiptarë që të besojnë se nuk mjafton italishtja vetëm sepse shohin televizor, por e rëndësishme mbetet për ta studiuar! Një njohje perfekte e një gjuhe nuk mund të mësohet vetëm nëpërmjet televizorit, por duhet të perfeksionohet dhe në gjuhën e shkruar , e mbi të gjitha të çertifikohet e të shpërndahet në ambientet e studimit ose të punës jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën falë Çertifikimit. Të mbërrish në Itali duke njohur mirë italishten do të thotë të fitosh të paktën një vit studimi, do të thotë të hysh në të përditshmen, të arrish rezultate të mira që në fillim, të kesh të drejtën e bursës së studimit, dhe e fundit do të thotë të mos shkurajohesh dhe të jesh i detyruar të lësh studimet e të kthehesh në Shqipëri me asgjë të përfunduar”.

Cilat kanë qenë fushat e interesit më të mëdha të tyre sa i përket studimit?


“Interesi më i madh duket se është për Mjekësinë në përgjithësi, në Ekonomi, Inxhinieri  dhe më pak për Juridik. Dhe në këtë rast Instituti tenton të mbështesë studentët derisa të bëjnë një zgjedhje të vërtetë të fillimit universitar e jo thjesht nga një zgjedhje rastësore po për kapacitetin e tij”.
 
Komuniteti i studentëve shqiptarë është i pari si sasi në Itali

Prof. Vito Stigliani, përgjegjës për Bashkëpunimin Shkollor në Ambasadën italiane

Si e shikoni prurjen e studentëve shqiptarë në vendin tuaj? A mendoni se Italia është një vend, që iu përshtatet plotësisht interesave të shqiptarëve?

“Të studiosh në Itali për të rinjtë shqiptarë nuk përbën ndonjë gjë të re: Historikisht dhe deri në fillimin e diktaturës, shumë të rinj kanë shkuar në Itali për të kryer studimet e tyre në të gjitha disiplinat e shkencave por edhe ato humane, të muzikës e artit. Gjatë regjimit fluksi i të ardhurve ndaloi.

Pas rënies së regjimit komunist, dëshira për të shkuar në Itali, shumë e përhapur në popullin shqiptar, të cilët për vite me radhë e kanë parë ‘botën’ nëpërmjet televizionit italian, është parë veçanërisht e interesuar nga të rinjtë, shumë të motivuar për të studiuar në Itali.

Sot situata ka ndryshuar: në Shqipëri, ofrimi i trajnimeve universitare, qoftë publike dhe private, është rritur ndjeshëm ashtu si është rritur dhe interesi për të studiuar në vende të tjera. Megjithatë, dëshira e Italisë është e pranishme edhe te njerëzit të lindur rreth viteve ‘90 për shumë arsye, duke përfshirë praninë e të afërmve apo miqve, përveç traditës dhe kulturës që vazhdojnë për të tërhequr të rinjtë në vendet perëndimore. Ky ‘fluks’ ishte dhe është gjerësisht në përputhje - si nga pikëpamja didaktive-arsimore dhe ajo kulturore - me atë që ishte dhe është dëshira e shumë vajzave dhe djemve si dhe familjeve të tyre”.
 
Flitet për gati qindra studentë shqiptarë, që studiojnë për çdo vit në vendin tuaj. A keni ndonjë shifër të saktë dhe për çfarë shkencash janë më shumë të interesuar të rinjtë tanë?

“Në thelb komuniteti shqiptar në Itali në mesin e studentëve të huaj është komuniteti i parë me rreth 17.55% të totalit të 61.939 studentë të huaj.

Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta në dispozicion në të gjitha adresat e zgjedhura nga një numër të studentëve (ata që janë në seksionet dygjuhëshe), me siguri mund të themi se shumica e tyre zgjedhin diploma (përfshirë  ciklin e II dhe III) në degët shkencore, shëndetësore, ekonomike dhe sociale. Ndërsa më pak të frekuentuara janë ato në drejtim të lëndëve humanistike dhe artistike”.
 
Nga njohuritë tuaja, cila është pesha specifike e studentëve shqiptarë, krahasuar me studentët e vendeve të tjera?

“Duhet të themi me plot bindje se pesha e studentëve shqiptarë në botën akademike është e shquar jo vetëm për numrin e tyre, por edhe për cilësinë e përgatitjes që përfshin”.
 
Ambasadori shkëlqesia e tij Massimo Gaiani

“Iniciativa (e këtij panairi universitar) lindi prej takimit të vazhdueshëm me shumë të rinj, të cilët frekuentojnë kurset në IIC e që shpesh kërkojnë këshilla mbi zgjedhjen e universitetit që do frekuentojnë në Itali, ose i drejtohen këshilltarëve tanë për të kërkuar ndihmë mbi procedurën se si duhet të regjistrohen. Kjo iniciativë lindi pra me dëshirën për të favorizuar studentët shqiptarë për hyrjen e tyre në botën universitare në Itali e t’i japin impuls kontakteve në mes universiteteve italiane e studentëve shqiptarë, të interesuar të zëvendësojnë kurse të laurës apo masterit. Kontakte që edhe kur ekzistojnë kanë shpesh nevojë të konsolidohen më tej”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama