Ismail Kadare Pse e shkrova Dimrin e madh

Ismail Kadare: Pse e shkrova Dimrin e madh

Para pak kohësh, në shtypin tonë u botua një informacion sipas së cilit jeni takuar me Rugovën, për të diskutuar mbi "Shqipërinë e Madhe". A dëshironi të përgjigjeni rreth kësaj çështjeje?

Kjo gjë po më habit fort, por jo, nuk ka përse të më habisë, sepse gjëra të tilla janë në stilin e asaj atmosfere të sëmurë për të cilën të kam folur. Rugova është miku im, të cilin e njoh prej kohësh, pikërisht ai ka shkruar parathënien e veprave të mia të plota që janë botuar në Jugosllavi para dymbëdhjetë vjetësh. Pas dhjetë vjetësh, kur po kalonte nga Parisi, ne u takuam si miq dhe nuk folëm as për Shqipërinë e Vogël dhe as për të Madhen. Sigurisht që kemi folur për situatën në Ballkan, sepse ishim edhe miq edhe shkrimtarë. E pabesueshme është sesi kjo gjë përsëritet: kur kam qenë i ftuar nga shkrimtarët në Bor, atje na kanë pritur shumë ngrohtë. Por, kur u larguam, dëgjuam deklarime të çuditshme, që në mënyrë të pazakontë ngjasojnë me atë që ju thatë: "Para mbërritjes në Bor, Ismail Kadareja kaloi nga Roma për t'u takuar me shkrimtarët nga Kosova, për t'u marrë sadopak me komplote dhe më pas ka ardhur në Bor". Natyrisht që isha në Palermo, ku u mbajt konferenca mbi kulturën shqiptare, ku

kishte edhe studiues nga Kosova, të cilët, ashtu si edhe Rugovën, u ndjeva i lumtur që i takova. Ne kemi biseduar ashtu siç bëjnë dy intelektualë, ku është prekur edhe politika, që është diçka normale. Por e çuditshme është se edhe tani, kur jam një i arratisur politik shqiptar, më adresohen edhe këto gjëra. Për këtë arsye shqiptarët më akuzojnë se po përgatis komplot kundër regjimit në Shqipëri, kurse vendi juaj më akuzon se qenkësha komplotist për Kosovën, sikur me të vërtetë të mos kisha më çfarë të bëja, por të kthehesha në një komplotist të shumëfishtë.

…A dëshironi t'i drejtoheni dikujt në Jugosllavi?

Do të dëshiroja t'i drejtohesha sivëllezërve (confreres) të mi shkrimtarë, jugosllavë, serbë, sllovenë, kroatë, malazezë, maqedonas, boshnjakë, se tërë jetën kam punuar duke pasur parasysh të ardhmen. Të gjithë shkrimtarët gjithmonë mendojnë për të ardhmen dhe nuk ka të tillë që të mos mendojë për të. Asnjë shkrimtar nuk dëshiron të sakrifikojë nderin e veprës së vet për shovinizmin, për intriga të vogla dhe për mendime të këqija. Prandaj u drejtohem të gjithë shkrimtarëve jugosllavë që të përpiqen t'i kuptojnë tërë popujt, e kjo do të jetë në nderin e tyre. Madje, edhe duke pasur alibi indiferentizmin, të mos shkohet kaq larg me urrejtjen. Ne duhet që të marrim pjesë drejtpërsëdrejti, të angazhohemi që atmosfera në Ballkan të bëhet më e qartë, më e pastër. Këtë gjë ua them sinqerisht të gjithë shkrimtarëve të Ballkanit, ku nënkuptoj edhe shkrimtarët shqiptarë nga Kosova. Këtë gjë e kam deklaruar shumë herë në Shqipëri, sepse nuk duroj dot. Gjithashtu, desha të thosha se dëshiroj t'i drejtohem urtësisë së të gjithë shkrimtarëve, që të ndihmojnë popullin e vet për t'u çliruar nga demoni i urrejtjes, për të mos precipituar drejt ngjarjeve të pakëndshme dhe se nuk duhet dyshuar në çdo gjë për komplot.

Në televizionin francez, Bernar-Andi Levi ju ka pyetur përse nuk keni bërë deklaratë për të mbështetur shqiptarët që arritën në Brindizi.

Këtë gjë të huajt nuk mund ta kuptojnë. Si është e mundur t'i mbush mendjen popullit tim që të braktisë atdheun e vet? Unë i jam përgjigjur se më mirë është të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe atje t'u afrohet ndihmë, të krijojnë kushte për të jetuar dhe jo të bredhin si lypsarë nëpër botë. Ju e keni parë sesi janë pritur me qese plastike, të cilat përdoren për kufomat e të vdekurve. Këtë gjë ma ka thënë im vella, mjek, që i ka parë vetë. Dhe Levi e quan normale që unë të përshëndes këtë arratisje drejt aventurës dhe mjerimit. Populli duhet ndihmuar të qëndrojë në shtëpinë e vet dhe që aty të ndërtojë gjithçka i duhet për të jetuar.

Pas ndalimit të librit "Përbindëshi", ju keni shkruar romanin e diskutueshëm "Dimri i madh", për shkak të të cilit është harxhuar shumë bojë shkrimi, mbase për faktin se këtë roman njerëzit nuk e kuptuan.

Nëpërmjet këtij romani dëshiroja që një herë e përgjithmonë të çlirohesha nga fjala "parti", që më pas askush të mos më thoshte: "Ku është ajo fjalë në veprën tënde?" Në çastet e ndalimit të librit "Përbindëshi", kritikët dogmatikë shkruan se isha dekadent. Miqtë më këshilluan që të mendohesha për të shkruar diçka për partinë ose

të hiqja dorë nga letërsia. Dhe, me të vërtetë, pas ndalimit të librit "Përbindëshi", e kuptova se ishte e domosdoshme të shkruaja diçka mbi jetën politike të Shqipërisë. Pra, ose duhej të largohesha nga letërsia, ose duhej t'i paguaja haraç diktaturës.

Ky roman nuk mund të quhet se është i realizmit socialist, kur njihen kushtet në të cilat ai u shkrua.

Këtu qëndron edhe paradoksi, sepse romani është i trishtuar dhe tragjik. Krahas kësaj, romani është bazuar mbi ngjarje reale, mbi një teme reale. Madje, edhe në vështrimin emocional, sepse cilido, duke më përfshirë edhe mua, është kundër shteteve të mëdhenj që mund ta thërrmojnë një vend të vogël. Prandaj edhe unë isha kundër Rusisë, e cila ishte një perandori e vërtetë, kurse Shqipëria ndodhej në pozicionin e vasalit. Pra, gjithçka ishte e natyrshme dhe nuk kishte asgjë që të më priste rrugën. Vetëm një gjë më pengonte, se Hoxha nuk ishte i sinqertë në tërë këtë ngjarje. Nga këndvështrimi historik është ai që kishte të drejtë, por për fat të keq, këtë e bëri për veten e tij dhe jo për interesin e këtij vendi të vogël, të Shqipërisë, apo për princip.

Ju keni kërkuar të shfrytëzoni arkivin, që ishte e palejueshme për ata që janë "të vdekshëm"?

Për përplasjen midis rusëve dhe shqiptarëve ishte e ndaluar të shkruhej, por unë shfrytëzova ambicjen e Hoxhës. Gjithmonë kam menduar se drejtuesit komunistë u ngjajnë banditëve, të cilët kanë marrë peng disa persona në një bankë, ndërkohë që komunistët kishin marrë peng një popull të tërë. Punën e parë që bën policia për të shpëtuar pengjet është që banditët të mos qëllojnë, por të ulin armët, prandaj atyre u drejtohen me njerzillëk, sepse janë të detyruar të sillen kështu. Gjatë kohës që Enver Hoxha, në kohën e diktaturës se vet, ia kishte drejtuar pistoletën në ballë tërë popullit, dhe e kërcënonte, detyra e një intelektuali në rrethana të tilla ishte të bënte gjithçka ishte e mundur për të shmangur masakrat, po në atë mënyrë si mashtron policia banditët, duke pasur parasysh se me të tillë tipa nuk mund të mbash qëndrim human normal. Kur para vetes ke një gjarpër, atij nuk mund t'ia shpjegosh: ti je një krijesë e egër dhe e rrezikshme, por megjithatë, unë kam besim tek ti. Atë ose duhet ta shmangësh, ose ta dërrmosh dhe jo t'i mbash një fjalim parimor. Unë jam shkrimtar, kurse ai është diktator, bandit dhe asgjë tjetër dhe, përveç se ta mashtroj, me të nuk mund të arrij asgjë tjetër.

A nuk ju ka thirrur gruaja e tij në arkiv?

Më ka thirrur gjoja për të marrë dokumentacionin, sepse ishte drejtoreshë e arkivit, kurse në fakt dëshironte që të takoja Hoxhën. Ajo më tha: "Të pres për të pirë kafe dhe për të të treguar dokumentacionin." Qëndrova pak kohë me të, kur ia behu Hoxha. "Mos ju pengoj? A mund të ulem disa çaste me ju?" E kuptova se tërë kjo ishte e përgatitur, kështu që ai ndenji më shumë se dy orë. Ai ishte një aktor i përsosur, me një mirësjellje prej ëngjëlli, në atë shkallë që, në ato çaste, çdokush do ndihej fajtor nëse më parë mund të kishte menduar keq për të. Madje, nganjëherë të dukej se ai ka pasur mundësi të bëhej i tillë, ashtu siç dëshironte të tregohej. Ai fliste për gjithçka dhe dëshironte të linte përshtypjen e një njeriu të madh, më tepër si filozof sesa si pushtetar. Hoxha ishte me kulturë. Ai dinte edhe të qante, të bënte edhe gjeste që nuk ishin aspak në frymen komuniste: vishej në mënyrë të shkëlqyer, mbante borsalinë, u puthte dorën grave nëpër pritje e në përgjithësi sillej sipas zakoneve dhe shijës së botës perëndimore. Kjo i entuziazmonte masat, të cilat thoshin se ai nuk ishte si njerëzit e tjerë që vinin nga vendet e Lindjes, me fytyra të ngrysura, të ngrirë e me kasketa. Gjatë kësaj bisede ai nuk i përmendi asnjëherë as partinë, as marksizëm-leninizmin dhe as parullat e zakonshme, me të cilat ishin mbushur plot fjalimet e tij. Kur përmendi Konferencën e Moskës, e bëri me një përbuzje të madhe. Me të njëjtën neveri foli edhe për fjalët cirilike, për ndërhyrjet e udhëheqësve sovjetikë dhe për mënyrën vulgare sesi hanin e pinin. Hoxha foli për atë botë lindore, si për diçka përgjithmonë të zhdukur. Papritur filloi të flasë për Gjirokastrën, qytetin në të cilin të dy kishim lindur, madje edhe në të njëjtën lagje. "Kam dëgjuar se ke shkruar një libër për Gjirokastrën; po ta kisha ditur do të të jepja disa shënime që kam mbajtur, të cilat mund të të vlenin. Ato janë kujtime rreth familjeve të vjetra, zakoneve të tyre, martesave dhe varrimeve." Më trembi kur i dëgjova tëra ato sepse ai po ripërsëriste librin tim… Nëse ekzistonte ndonjë këndvështrim mbi botën, me të cilën nuk kishte asnjë lidhje, ishte këndvështrimi komunist, me të cilin ishte afruar fare rastësisht. Ky ishte viti 1971. Atëherë e kam takuar për të parën dhe të fundit herë.

Në librin "Ftesë në studio" keni portretizuar në mënyrë të përsosur poetin shqiptar Lasgush Poradeci, Beketin e Ballkanit. Diku ai thotë: "Kur kemi dënuar Vinçenc Prenushin...". Ju jeni habitur dhe i jeni përgjigjur: "Më thatë, nëse nuk gaboj, se

ndiheni pjesërisht përgjegjës për një dënim të tillë?" Ndërkohë, ai ju është përgjigjur: "Natyrisht, sepse poeti është përgjegjës për gjithçka". Ç'mendoni ju për një përgjegjësi të tillë: a është intelektuali përgjegjës apo bashkëfajtor, nëse nuk reagon ndaj padrejtësive të çdo lloji?

Po, në njëfarë mase, por këndvështrimi është tepër i gjerë. Mendimet janë shumë të ndryshme dhe distanca midis përgjegjësisë dhe fajit është e ndryshme. Në shtypin e opozitës shqiptare dhe të vendeve të tjera të Lindjes theksohet fajësia kolektive: Unë jam për atë lloj arsyetimi që kanë gjermanët: faji kolektiv ekziston, por nuk duhet tepruar dhe të lejohet që kriminelët e vërtetë të fshihen nën këtë fajësi kolektive. Unë jam për kompromis: fajtorë jemi të gjithë, por faji i kriminelit duhet përcaktuar qartë. Sot në vendet e Lindjes njerëz të zakonshëm fajësojnë intelektualët: "Ju e keni ditur, sepse e keni kuptuar më parë dhe nuk na keni sqaruar." Sipas mendimit tim, kjo është hipokrizi. E pranoj se intelektualët e kanë kuptuar më shpejt, në vija të përgjithshme dhe teorikisht. Por për gjëra të zakonshme asgjë nuk i ka penguar njerëzit e vegjël, që edhe vetë të thelloheshin, sepse kur vëllai i burgoset apo kur policia ia vret, nuk është e nevojshme që të vijë intelektuali e t'i thotë: "Mësoje se policia ta ka vrarë vëllane." Pra, ti vetë je qenie njerëzore dhe e kupton, qofsh edhe i varfër, sepse nuk duhet ndonjë filozofi e madhe për ta kuptuar, kur nuk ke ç'të hash. Nuk të duhet të vijë asnjë intelektual e të të shpjegojë kur ty të mungon ushqimi.

Në librin kushtuar Eskilit ju shkruani: "Sikur njeriu të merrej me të drejtat me aq pasion dhe seriozitet, atëherë duhet të jetë shumë i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë e vet në gjërat njerëzore e nuk duhet të qëndrojë mënjanë, për t'iu shmangur asaj, por të angazhohet."

Po, jam i angazhuar, por nuk e kam deformuar letërsinë për shkak të angazhimit. Ashtu si edhe intelektualët e tjerë, edhe vetë jam angazhuar, por jashtë letërsisë prej shkrimtarit nuk duhet pritur gjithçka. Unë nuk mund të angazhohem për të zgjidhur hallet e qytetarëve. Gjithashtu, nuk kam asgjë kundër atyre shkrimtarëve që janë në gjendje të merren edhe me gjëra të tilla, por nuk duhet kërkuar e njëjta gjë nga të gjithë.

Shkëputur nga "Biseda në Paris" i Branka Bogavaç, botime "Onufri"

Per te lexuar me teper mbi Ismail Kadaren klikoni ketu

Marre nga : Gazeta Shekulli
 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama