Ish-te perndjekurit qeveria ndryshon ligjin per kompensimin

Ish-te perndjekurit, qeveria ndryshon ligjin per kompensimin

Qeveria ndryshon ligji për kompensimin e ish-të përndjekurve politike duke i klasifikuar përfituesit në gjashtë kategori. Si bazë klasifikimi është aplikuar prioriteti për të përfituar kompensimin dhe lista nis me kategoritë më në nevojë. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë dhe ligji i ri do të shkojë në Parlament gjatë kësaj Legjislature. Ligji i ri është përpiluar, duke marrë parasysh të gjitha opinionet e shoqatave të të përndjekurve, ata që realisht janë të përndjekur dhe që realisht kanë bërë vite burg.

Renditja e kategorive

Sipas vendimit të qeverisë, prioritetin e parë e kanë ish të dënuarat politike femra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe më pas vijnë ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç, në momentin e miratimit të këtij ligji. Sipas të njëjtit vendim do të jenë të tretët në listë për të marrë paratë ish të dënuarit politikë të cilët vuajnë sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm, të cilët do të ndiqen nga ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht moshës kanë pasardhës të radhës së parë, fëmijë, në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Të pestët në listë, sipas vendimit, janë ish të dënuar politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Të fundit që do të marrin paratë janë ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshë edhe nën 75 vjeç, në momentin e miratimit të këtij ligji. Ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj ka shpjeguar se kjo është renditja, e cila besoj që i sjell një fytyrë humane këtij ligji, i sjell një frymë të munguar, ku pagesat bëhen për njerëzit që janë gjallë dhe për njerëzit që kanë vuajtur vetë vitet e komunizmit. “E dini fare mirë që përllogaritja jonë është se ka rreth 2000 vetë, të cilët do të ishin përfituesit kryesorë të këtij ligji, të përndjekurit politikë që janë aktualisht gjallë dhe sigurisht, 10 mijë dosje  të tjera të cilat janë për trashëgimtarët.

 Raportet janë 70 % për grupin e parë dhe 30 % për trashëgimtarët. Baza kryesore e ndryshimeve në ligj ka të bëjë me ndryshimin e rendit të pagesave për të përndjekurit. Ju e dini fare mirë që ligji parashikon ndarjen në 8-të këste, por 8-të këste ndaheshin sipas dosjeve dhe jo detyrimisht sipas individëve, çka nënkupton që rreth 80 % e dosjeve u jepeshin pagesa njerëzve që nuk jetojnë më, që do të thotë se pagesat bëheshin për trashëgimtarët e tyre”-tha Veliaj në përfundim të mbledhjes së qeverisë. Sipas ligjit të ri 70 % e pagesave do të bëhet për ata persona të cilët janë vetë gjallë dhe vetë kanë bërë burgu, ose kanë status të përndjekuri, dhe vetëm 30 % e pagesave vjetore, nga buxheti vjetor, do të bëhet për ata që janë familjarë, ose ndryshe quhen trashëgimtarë. “ Synimi ynë është që të ftojmë të gjitha grupet, të gjithë ata që kanë shprehur shqetësimet e tyre, që mënyra më e mirë për të protestuar, për të shprehur shqetësimet është duke kaluar në mënyrë urgjente këtë ligj në Parlament, që ne të kemi mundësi sa më parë të fillojmë dhe të bëjmë pagesat për të gjithë ata që pretendojnë pagesat e tyre, si dhe të shpejtojmë këstet edhe brenda këtij viti, për të gjithë ata që janë sot pretendentë, që janë gjallë dhe që kanë bërë realisht burg dhe presin që të gëzojnë nga mundi i jetës dhe i vuajtjeve të tyre, teksa janë ende në jetë:-tha Veliaj

Renditja e përfituesve

 1. Prioritetin e parë e kanë ish të dënuarat politike femra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe hyrjes në fuqi të këtij ligji.

 2. Vazhdon me ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç, në momentin e miratimit të këtij ligji.

3. Ish të dënuarit politikë të cilët vuajnë sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm;

4. Ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht moshës kanë pasardhës të radhës së parë, fëmijë, në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

5. Ish të dënuar politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

 6. Ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshë edhe nën 75 vjeç, në momentin e miratimit të këtij ligji.      


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama