Instituti i Monumenteve te Kultures nderhyrje konservuese dhe restauruese ne xhamine e Ethem Beut

TIRANË, 13 Nëntor /ATSH/.- Instituti i Monumenteve të Kulturës ka publikuar së fundmi edhe njoftimin e shoqëruar me fotografi, lidhur me punimet konservuese dhe restauruese në pikturën murale të Xhamisë së Ethem Beut në Tiranë.

"Në datën 10 nëntor 2015 u krye një verifikim në xhaminë e Ethem Beut nga specialistët e Sektorit të Veprave të Artit në IMK pas informacionit të ardhur nga Sektori i Tiranës pranë Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare - Durrës, mbi gjendjen e konservimit të pikturës murale", shprehet IMK.

"Nga ky verifikim u konstatua se një pjesë e pikturës murale rreth 0,5 m2 në arkadën e parë në drejtimin verilindor ishte e shkëputur nga suporti dhe rrezikonte rënien", vijon informacioni i IMK-së.

"Menjëherë u morën masat për parandalimin e këtij rreziku dhe në datat 11 dhe 12 nëntor u krye një ndërhyrje emergjente, e cila konsistoi në ringjitjen dhe shpëtimin e kësaj pjese të pikturës murale".

Sakaq IMK sqaron edhe mënyrën e ndërhyrjes.

"Në fillim sipërfaqja e pikturës murale u pastrua nga depozimet sipërfaqësore (pluhurat) dhe u sigurua me bendazhe me letër japoneze të ngjitur me Paraloid B72 të tretur 10% në Açeton" sqaron IMK.

"Më pas u kryen injektime me shiringë, me ujë dhe alkol në raportin 70/30 për zbutjen e shtresës së afreskut", vijon IMK.

"Pas këtij procesi u injektua konsolidant PLM-AL dhe me anë të disa pajantimeve me kompesat të lakuar u arrit puthitja dhe ngjitja e afreskut me suportin, ndërsa me tharjen e plotë të strukturës tashmë të konsoliduar u hoqën dhe bendazhet me letrën japoneze me anë të solucionit açeton" mbyll njoftimin IMK.

/k.m//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama