Gazeta “Shekulli” ka mundur të sigurojë dosjen e plotë të kandidatit Ardian Visha, i cili ka punuar për një kohe si prokuror. Në informacionin dërguar Kuvendit, kryeprokurorja Ina Rama thekson se ndonëse Visha nuk ka asnjë procedim disiplinor, ai karakterizohet nga mungesa e etikës zyrtare në komunikimin e tij institucional. Në dosjen e Vishës figuron dhe mosparaqitja në detyrë për më shumë se katër muaj si prokuror në Prokurorinë e Apelit në Gjirokastër. Një pjesë të periudhës ku Visha nuk është paraqitur në detyrë e ka justifikuar me raportin mjekësor, ndërsa dy muaj të tjerë ka munguar pa arsye. “Me dekret të Presidentit të Republikës, nr. 5598 datë 28.01.2008 është transferuar si prokuror ne Prokurorinë e Apeli Gjirokastër.
Konstatohet se në këtë detyrë nuk është paraqitur asnjë ditë. Mosparaqitja për një periudhë prej një muaji, është bërë shkak të një leje të pa kryer dhe një raporti mjeko-ligjor, si edhe, pa ndonjë arsye të bërë prezent për periudhën tjetër prej dy muajsh. Më datën 12.5.2008 është larguar nga kjo detyrë me kërkesën e tij. Gjatë periudhës së punës në prokurori për Ardian Vishën nuk është kryer ndonjë vlerësim pune si prokuror apo si drejtues, pasi nuk ka funksionuar një sistem i tillë vlerësimi. Gjithashtu nuk është filluar procedim disiplinor dhe nuk është marrë ndonjë masë disiplinore ndaj tij.
Pavarësisht sa më lart, është konstatuar një mungesë e etikës zyrtare në komunikimin e tij institucional, siç mund të vërehet edhe në dokumentacionin bashkangjitur kësaj shkrese”, thuhet në raportin e prokurorisë të firmosur nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. I kontaktuar në telefon, kandidati Ardian Visha nuk pranoi që të komentonte akuzat e prokurorisë, duke e lënë debatin në mbledhjen e sotme në Komisionin e Ligjeve. Ardian Visha njihet si avokati i ish Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në çështjen e Gërdecit dhe dikur ka punuar Drejtor për Marrëdhëniet me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme në kohën që organi i akuzës drejtohej nga Theodhori Sollaku.
Falë edhe mbrojtjes së avokatit të tij, Mediu arriti që të mbyllte procesin gjyqësor dhe të fitonte imunitetin pas zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara në 2009-ën. Në listën e çështjeve gjyqësore, Ardian Visha, ka qenë avokat i Almir Rrapos, ish- shef kabineti i Ministrit të Jashtëm, që u ekstradua në SHBA. Gjithashtu, Visha ka qenë avokat i trafikantit turk, Abdulselam Turgut, i cili u arratis pas një vendimi të Gjykatës së Apelit. Këto çështje mund ta bëjnë “avokat të djallit”, por ai mbetet i suksesshëm si mbrojtës ligjor.
Pasuria
Kandidati i propozuar nga Partia Socialiste për postin e nënkryetarit të KLD-së, Ardian Visha, disponon dy apartamente dhe disa llogari bankare. Sipas të dhënave nga deklarata e pasurisë lëshuar nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë, Visha gjatë kohës që ka qenë prokuror deri në vitin 2008, ka pasur në pronësi një apartament të ndërtuar para vitit 1990 me sipërfaqe 70 metra katrorë në rrugën “Ndre Mjeda” të cilin e ka përfituar nga trashëgimia dhe ka paguar vetëm 1/3 e vlerës. Një tjetër apartament banimi , Visha e ka blerë në shumën prej 50 milionë lekë të vjetra në rrugën “Andon Zako Çajupi” me një sipërfaqe në total prej 96 metra katrorë të cilën e ka marrë me kredi në mars 2005. Gjithashtu ka blerë edhe një garazh me sipërfaqe 12 metra katrorë të cilin e ka blerë në shumën 500 mijë lekë të reja.
Të ardhurat
Viti 2011, nuk ka qenë shumë i mirë për buxhetin e Ardian Vishës si avokat. Krahasuar me vitin 2010,të ardhurat e Vishës nga puna e tij kanë pësuar një rënie drastike me 8 milion lekë të vjetra. Nëse për vitin 2010, Visha ka realizuar të qarkullojë 12 milion lekë, për vitin 2011 kandidati I propozuar nga Partia Socialiste ka mundur të sigurojë një xhiro prej 3.8 milion lekë të vjetra. Në vitin 2008 Visha ka siguruar një xhiro prej 3.7 milion lekë dhe në vitin 2009 rreth 6.5 milion lekë.
Ikën kryeprokurori i Beratit, emërime në Tiranë e Durrës
Prokuroria e Përgjithshme znj.Ina Rama shkarkoi paraditen e djeshme kryeprokurorin e Beratit z.Xhemajl Saliaj dhe miraton listën e transferimeve të prokurorëve në disa rrethe në mbledhjen e Anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë. Lajmi konfirmohet nga këshilltari i kryeprokurores Rama, i cili sqaroi edhe arsyen e shkarkimit nga detyra të drejtuesit të Prokurorisë së Beratit. “Prokuroria e Përgjithshëm ka shkarkuar nga detyra e drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Berat, z.Xhemal Saliaj, me motivacionin për keq administrim të dokumentacionit dhe mos ushtrim të funksioneve drejtuese”-thuhet në njoftimin e firmosur nga kryeprokurorja Rama, ku theksohet se në vend të tij është komanduar prokurori z.Ardian Ylli. Nga ana tjetër, Anëtarët e Këshillit të Prokurorisë miratuan listën e transferimit të disa prokurorëve nëpër rrethe, ku një numër të konsiderueshëm zënë transferimet drejt kryeqytetit. “Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme, miratoi listën e transferimit të 11 prokurorëve nga Prokurorit e Rretheve drejt kryeqytetit, ku ngarkesa e punës është më e madhe”-thuhet nga burimet zyrtare të Prokurorisë. Këto transferime erdhën pasi edhe vetë kryeprokurorja Rama gjatë analizës vjetore pranë Prokurorisë së Tiranës, premtoi se shumë shpejt institucionit të akuzës në kryeqytet do i shtohen edhe disa prokuror.
Kështu që dje Këshilli miratoi listën e 11 prokurorëve që do të ushtrojnë detyrën e prokurorit në kryeqytet. Përveç miratimit të kësaj liste, Këshilli miratoi me unanimitet transferimin edhe të 7 prokurorëve të tjerë drejt institucionit të akuzës në Durrës. “Këto transferime janë në funksion të mirë organizmit të punës dhe fuqizimit të kapaciteteve njerëzore në përgjigje të dinamikës dhe volumit të punës të zyrave respektive, të evidentuara në analizat vjetore të kryera”-thuhet nga zyra e kryeprokurores Rama. Sipas tyre, gjatë mbledhjes së djeshme Këshilli i Prokurorisë mori në shqyrtim edhe kandidaturën për drejtuesin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Ku nga shqyrtimi i kandidaturave Këshilli dha pëlqimin për emërimin në këtë funksion të prokurorit z.Arben Pasho, i cili ka ushtruar deri në këtë momente detyrën e drejtuesit të Njësisë Task-Forcës të Prokurorisë së Gjirokastrës. Këto miratime dhe propozime, tashmë do i dërgohen Presidentit të Republikës për dekret.
Lista e lëvizjeve
Në Tiranë:
Kol Hysenaj në Tiranë
Naim Tota në Tiranë
Bledar Maksutaj në Tiranë
Përparim Hasa në Tiranë
Ylli Bashan në Tiranë
Mirela Qano (Zavalani) në Tiranë
Sotir Kllapi në Durrës
Artan Madani në Durrës
Alma Kola në Durrës
Kujtim Basha në Durrës
Lazër Çardaku në Shkodër
Xhevahir Lita në Shkodër
Arben Pasha drejtues i prokurorisë Gjirokastër
Milan Laska, drejtues i prokurorisë Kukës
Kandidati i PD-së, Çefa, i kallëzuar për pronat
Për në institucionin më të lartë kontrollues të gjyqësorit, PD ka marrë vendimin për të votuar Elvis Çefën , drejtor në Agjencinë e Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave. Burime nga prokuroria bëjnë të ditur se për drejtorin e AKKP-së janë disa kallëzime penale ndaj tij për shkak të detyrës lidhur me pronat. Në Komisionin e Ligjeve, Çefa ka mohuar se është në hetim duke deklaruar se nuk ka dijeni për kallëzime penale. “Në dijeninë time, nuk jam person në hetim. Por duke qenë se natyra e punës time është mjaft delikate, ka krijuar ndonjë pakënaqësi. Por që në dijeninë time, ju përsëris, se nuk di të jem në hetim”, u shpreh Çefa një javë më parë. Kandidati i propozuar nga Partia Demokratike, Elvis Çefa, njihet për pjesëmarrjen në zgjedhjet e 8 majit duke asistuar në procesin e numërimit në njësinë numër pesë. Ndonëse një zyrtar i lartë, Çefa ka ndjekur me vëmendje procesin e numërimit të votave tek shkolla “Vasil Shanto”. Në CV-në e Çefes numërohen rreth 16 vite punë.