Plot surpriza e befasi mendohet të jetë ekspozita që do të hapet sot në Galerinë Kombëtare të Arteve, që në mënyrë përtace nuk i është vënë ndonjë emër provokativ e grishës, por është quajtur thjesht (ose nuk është quajtur fare): Mischa Kuball dhe Edi Hila, së bashku me studentët gjermanë dhe shqiptarë, ekspozitë në GKA. Ky bashkëpunim sjell vepra në instilacione, video-art, piktura dhe foto. Ata që i prezantojnë janë studentë shqiptarë të
Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë dhe studentë gjermanë të Shkollës së Artit në Karlsruhe, që respektivisht drejtohen nga pedagogët Edi Hila dhe Mischa Kuball. Kjo ekspozitë është në kuadër të muajit "Tetori gjerman". Gjermani Mischa Kuball është profesor arti dhe artist i njohur bashkëkohor, sidomos i instilacioneve që luajnë me efektet e dritës. Vitin e kaluar ai ka pritur në Karlsruhe studentët e Akademisë së Arteve të Bukura, të drejtuar nga profesori i tyre, Edi Hila. Këtë vit, sipas iniciuesve, ky projekt do të vazhdojë më tej dhe ka si synim të paraqesë produktet më interesante të këtij bashkëpunimi.
Artistët pjesëmarrës në ekspozitë do të jenë: Alexandra Neuss, që vjen me veprën "Coca Cola" (Foto 70x100 cm); Manfred Reniner vjen me "Jeta homoseksuale e padukshme në Shqipëri" (Mix Media). Të ndalemi pak te kjo vepër, e cila që nga emri duket se do të jetë e pazakontë. Manfred Reniner është student në Departamentin e Media Artit në HFG-Karlsruhe. Puna e tij trajton
komunitetin e homoseksualëve. Sipas tij ka një intolerancë dogmatike të botës perëndimore kundrejt jetës homoseksuale në publik. Për të shprehur këtë, Manfred Reniner ka fotografuar një
homoseksual në hapësira publike në Tiranë dhe e eliminon në mënyrë dixhitale nga fotografia, për të venë në diskutim intolerancën në Shqipëri. Këtë vepër ai e shoqëron dhe duke intervistuar disa të rinj homoseksualë rreth jetës së tyre. Tjetër vepër interesante është ajo e Achim Nauman me "Turist-Akropolis /Skënderbeg", "Tirana/New York/Kabul" (Kanavacë dhe video). Achim Naumann d‘Alnoncourt është student i Departamentit të skenografisë në HFG-Karlsruhe.
Puna e tij, "TOURIST-kropolis/Skenderbe", flet për imazhet e vendeve dhe imazhet mentale, realiteti i memorizuar i turistëve. Janë dy video të sinkronizuara. E para një imazh që shfaq Akropolin në Athinë, filmuar nga një turist. E dyta shfaq sheshin "Skënderbe", filmuar nga artisti në referencë me filmimin e Akropolit. Të dyja këto imazhe ndjekin të njëjtën lëvizje, por vende kulturore të ndryshme, të një rëndësie të lartë. Të tjerë studentë pjesëmarrës në ekspozitë janë: Adela Demetja me Videoprojektor Foto 70x100 cm, si dhe Irgin Sena, Nikolin Bujari e Dritan Hysenaj me video. Me vepra do të paraqiten dhe pedagogët përkatës: Mischa Kuball me Video work, DVD, ndërsa Edi Hila me pikturë.
Marre nga : Gazeta Shqip











