Ideja kombetare ne Manifestin e Lidhjes Arvanite 1899

Ideja kombetare ne 'Manifestin e Lidhjes Arvanite', 1899

Historikun e këtij Manifesti e ka analizuar në detaje patrioti i madh arvanitas, i ndjeri Aristidh Kola, në botimin e tij me titull “Manifesti i Lidhjes Arvanite”, botuar në Athinë në mes viteve nëntëdhjetë. Një motiv shtesë në këtë përsiatje është “njohja me idenë dhe vizionin e arvanitasve, në mënyrë që të kuptojmë se si funksiononte shqiptarizma ndër çamët ortodoksë dhe arvanitët në Greqi”

Nga ana historike, ky Manifest ka shumë rëndësi, pasi përbën abetaren e çdokujt që kërkon të njohë përpjekjet diplomatike të baballarëve të pavarësisë sonë, Ismail Qemalit e Mit’hat Frashërit, të cilët në periudha të veçanta të udhëtimit të tyre kombëtar e shtetformues, u bazuan siç do ta tregonte koha, edhe te ky Manifest, çka paradoksalisht do t’i vendoste ata herë në hullinë e tradhtarëve, e herë në atë të patriotëve, duke anuar përfundimisht dhe logjikisht, te kjo e fundit.

“Roli i Suljotëve në Revolucionin Grek të vitit 1821 është më se i njohur dhe i përhapur tashmë kudo në botën e dijes, ndërsa ndjenja e tyre kombëtare, e koordinuar me sukseset dhe dështimet, del e turbullt dhe e humbet qartësinë e saj, po ta krahasojmë me bëmat e arritjet që lanë pas. Familjet më të shquara suljote, që më së miri përfaqësohen në figurat e Foto e Kiço Xhavellës e atë të Marko Boçarit, e kanë të dokumentuar ndjenjën e tyre kombëtare në “Manifestin e Lidhjes Arvanite”, botuar për herë të parë në maj të vitit 1899 në revistën “Ellenizmos”.

Historikun e këtij Manifesti e ka analizuar në detaje patrioti i madh arvanitas, i ndjeri Aristidh Kola në botimin e tij me titull “Manifesti i Lidhjes Arvanite”, botuar në Athinë në mes viteve nëntëdhjetë (1995). Kola nuk e shihte këtë Manifest si një “rrufe në qiell të hapur”, por ai rreket të japë detaje dhe të dhëna shkencore, duke dëshmuar edhe shumë përpjekje të tjera që ishin regjistruar më parë, për të krijuar një dualizëm midis Greqisë dhe Shqipërisë.

 
Si një aksiomë që nuk ka nevojë për verifikim, besoj thellësisht se studiuesi dhe lexuesi shqiptar, është i etur ta njohë me detaje mendimin dhe ndjenjën kombëtare të arvanitasve të Greqisë, ashtu siç ajo ishte, siç perceptohej e siç propagandohej.

 

Duhet të njohë qëllimet dhe përpjekjet e tyre e nisur nga kjo bazë, të gjykojë më pas edhe mbi “gabimet” qofshin apo veprimet e drejta të së shkuarës, duke mos e trajtuar atë nga këndvështrimi i sotëm, duke iu larguar shablloneve e u zhvendosur në kohë e hapësirë, për të parë më qartë e pa paragjykim.

 

Nga ana historike, ky Manifest ka shumë rëndësi, pasi përbën abetaren e çdokujt që kërkon të njohë përpjekjet diplomatike të baballarëve të pavarësisë sonë, Ismail Qemalit e Mit’hat Frashërit, të cilët në periudha të veçanta të udhëtimit të tyre kombëtar e shtetformues, u bazuan siç do ta tregonte koha, edhe te ky Manifest, çka paradoksalisht do t’i vendoste ata herë në hullinë e tradhtarëve, e herë në atë të patriotëve, duke anuar përfundimisht dhe logjikisht, te kjo e fundit. Arsyeja tjetër është “njohja e ideve të atyre njerëzve që çliruan dhe krijuan shtetin grek dhe që sot njihen si heronj kombëtarë”.

 

Një motiv shtesë në këtë përsiatje është “njohja me idenë dhe vizionin e arvanitasve, në mënyrë që të kuptojmë se si funksiononte shqiptarizma ndër çamët ortodoksë dhe arvanitët në Greqi”.

 

Nisur nga ato që parashtrova më sipër dhe nga motive të mirëfillta shkencore në shërbim të historisë kombëtare, zgjodha të përkthej të plotë në shqip “Manifestin e Lidhjes Arvanite”, botuar në kapërcyellin e dy shekujve që shënjuan historinë.

***

VËLLEZËR! Ju quajmë dhe u thërrasim vëllezër, sepse, sado që na ndanë vendi dhe feja, nuk pushojmë së qenë vëllezër, sepse të gjithë arvanitët, kudo që gjendemi sot, jemi stërnipër të pellazgëve, të cilët erdhën të parët e të parëve nga Azia në Europë dhe banuan Arvanitinë.

Sepse jemi djemtë e Aleksandrit të Madh, të parit njeri të quajtur “i madh” në botë, i cili e mundi të gjithë Azinë. Sepse jemi djemtë e Pirros, të atij mbreti dhe strategu të madh të Arvanitisë, që i mundi romakët dhe që do të ishte bërë dhe ai si Aleksandri i Madh, nëse do të kishte përpara armiq barabar dhe pa taktika, sikurse persët, midët e indianët dhe jo romakët, të cilët ishin të taktikave dhe të shkollës.

Sepse jemi djemtë e Skënderbeut të Madh, që mundi tre sulltanë dhe ruajti lirinë e Arvanitisë deri në momentin që i mbylli sytë nga plagët që kishte marrë në luftën e tij të fundit kundër armiqve të atdheut të vet, Arvanitisë. Sepse, fundja kemi të njëjtin atdhe, të njëjtin gjak, të njëjtat veshje dhe të njëjtën gjuhë.

VËLLEZËR! Lloj-lloj armiqsh hynë mes nesh dhe na ndanë, na bënë të huaj, na shpërndanë e na bënë armiq, ndaj dhe arvanitët sot gjenden në Austri, në Itali, në Greqi, ndërsa vlera më e madhe dhe nderi më i madh është te ju që hoqët të gjitha të këqijat e skllavërisë dhe qëndruat në Arvaniti, në vendin tonë të madh dhe të dashur.

Për sa kohë që ne gjendemi larg nga atdheu ynë i madh, Arvanitia, sado që të bëhemi të mëdhenj në dhé të huaj si individë: qofshin këta pashallarë, strategë e ministra, nuk e harrojmë kurrë racën dhe atdheun tonë të vërtetë.

Në Austri na quajnë austriakë, në Itali, italianë, në Greqi, grekë, por ne i falënderojmë kombet që na mikpritën e na nderojnë si vëllezër të tyre dhe na besojnë drejtimin e vendeve dhe ushtrive, ndërsa u shërbejmë me besë, ashtu si u takon njerëzve të ndershëm, por gjithmonë ëndërrojmë atë ditë, të shumëshenjtë e të shndritshme që do të ngrihet kombi i lirë arvanit, me flamurin e tij, me mbretin e tij, me komandën dhe me ushtrinë e tij.

Sot gjendemi në kohën kur kombet po rilindin.

Pa shihini grekët! Ishin skllevër dhe punonin nën zgjedhën turke. U zgjuan një ditë nën thirrjet e burrave të tyre, u vranë, i thyen hekurat e skllavërisë dhe dëbuan pushtuesin nga dheu i tyre e bënë mbretëri.

Shihini serbët! U ngritën dhe u çliruan! Shihini malazezët! Nuk i lëshuan kurrë armët nga duart dhe u çliruan. Shihini vllahët! Luftuan dhe u çliruan! Shihini bullgarët! Luftoi për ta Rusia dhe u çliruan. Ata janë të vetmit që u çliruan nga gjaku i huaj. Të gjitha këto kombe, grekët, serbët, malazezët, vllahët dhe bullgarët, ishin nën Sulltanin dhe tani u bënë mbretëri të lira, duke pasur secili prej tyre, mbretërinë e vet, komandën dhe ushtrinë e vet.

U bënë të lira dhe vetëqeverisen të gjitha këto kombe, ndërkohë vetëm ne arvanitët jemi në gjumë dhe armiqtë tanë na rrethojnë e na shtrëngojnë fort nga të gjitha anët dhe duan të na shqyejnë e të na bëjnë copa-copa! Austria i ka mbërthyer sytë tek Arvanitia jonë. Do që të na rrëmbejë të gjithën e të zbresë deri në Selanik. Mali i Zi do Shkodrën tonë, Serbia, Bullgaria dhe Vllahia luftojnë për Bitolën tonë, Durrësin, Prizrenin dhe Krujën tonë, qytetin që shërbeu si kryeqendra e Skënderbeut tonë!

Nuk kemi asnjë mik. Të gjithë janë armiqtë tanë, sepse të gjithë duan shkatërrimin tonë. Të gjitha kombet që kishte shkelur Turqia, njëra më herët e tjetra më vonë, u çliruan: Greqia, Serbia, Mali i Zi, Vllahia, Bullgaria dhe Arabia (Misiri) dhe vetëm armenët, çifutët dhe ne arvanitët jemi pa lirinë tonë; dhe më e keqja akoma, humbëm ekzistencën tonë kombëtare dhe llogaritemi tashmë nga bota si “turq”, ndërsa ne nuk jemi aspak “turq”, por arvanitë të pastër, stërnipër të pellazgëve, ndaj jemi njerëzit e parë që shkelën dhe banuan Europën.

Ne arvanitët ishim gjithmonë shtylla e Turqisë. Kockat tona gjenden të shpërndara në Hungari, Vllahi, Serbi, Mal të Zi, Krimé, Bullgari, Greqi, Persi, Arabi dhe në kufijtë e Indisë. Gjaku i arvanitëve katërqind e ca vjet rrodhi dhe rrjedh si një lumë, për jetën e Turqisë. Nëse do të mungonim ne, Turqia do të kishte ikur nga Europa para shumë vjetësh. Por Turqia nuk po do të na e japë lirinë tonë, por do që të na ketë rojtarë të saj, që t’i ruajmë vendin deri në momentin e shkatërrimit të saj, që të na shkatërrojë dhe ne, bashkë me të. Nëse Turqia, siç e shohim si drita e diellit, është e natyrshme të shkojë andej nga erdhi, sepse turqit janë një popull i huaj që erdhën nga thellësitë e Azisë dhe qëndruan në vende të huaja, pasi shkatërruan lirinë dhe mbretërinë e atyre vendeve që shkelën, ndaj dhe përse të shkatërrohemi dhe ne bashkë me të?

Përse vendi ynë të bëhet austriak ose të ndahet nga austriakët, italianët, malazezët, bullgarët, grekët? Përse? Nëse Turqia do të na jepte lirinë tonë, do i bëheshim bllok rrjedhës austriake dhe Italia nuk do të mund të shkelte në tokën tonë. Sa për malazezët, serbët, bullgarët dhe grekët, do të mundnim të gjenim një mënyrë të ruheshim. Por Turqia nuk e do të mirën tonë dhe nuk i bëhet vonë se çdo të bëhet me ne më pas, pasi nuk do të mundemi ta lëmë Atdheun tonë! Ndërkohë, koha afron dhe të gjithë armiqtë që na rrethojnë, po kalisin shpatat e tyre dhe duan të na shkelin e të rrëmbejnë vendin tonë, të na bëjnë skllevër të tyre!

Erdhi koha vëllezër që të gjithë ne arvanitët të kemi një mendim. Duhet t’i lëmë armiqësitë që na i polli Turqia dhe besimet fetare. Turqinë dhe besimet fetare duhet t’i lëmë sipas vendeve të tyre. Turqia është trup i huaj dhe duhet ta hedhim tej, besimi fetar është i veçantë për çdo njeri dhe sekush duhet ta mbajë sikurse dhe e mori. Do të ishte mirë të ishim të gjithë arvanitët myslimanë apo të krishterë, por për arsye se gjendemi në besime të ndryshme – ortodoksë, papistanë, myslimanë, bektashklidhës, rufainj – do të ishte më mirë t’i linim fetë dhe besimet sipas vendeve dhe, siç janë, sepse njeriu duhet të ketë një besim se Parajsa u ndërtua nga Zoti për të mirët dhe Ferri për të këqijtë.

Asnjë kristian i keq nuk shkon në Parajsë dhe asnjë mysliman i mirë nuk shkon në Ferr. Prandaj, le të shohim racën tonë dhe pjellën tonë e të bëhemi një trup në këtë botë, ndërsa për botën tjetër, çdokush le të shijojë veprat e veta.

Përderisa gjendemi nën Turqi, është sikur të gjendemi brenda një shtëpie që ka marrë zjarr e po digjet. Nëse rrimë brenda, do të digjemi dhe ne. Turqia është e dënuar, sipas të gjitha gjasave, të ikë nga Europa. Asgjë nuk mundet ta shpëtojë dot! Sado që të rrimë me të, është humbje. Duhet të largohemi nga zjarri, të ndahemi sa më shpejt nga Turqia se do të humbim dhe ne bashkë me të.

Thamë se jemi të rrethuar nga armiq: italianë, austriakë, malazezë, serbë, bullgarë e grekë, por mes këtyre armiqve, disa janë të rrezikshëm e disa të tjerë nuk janë.

Italia dhe Austria mund të na hajë e të na përtypë dhe të zhdukemi nga faqja e dheut. Nëse biem në duart e Italisë ose të Austrisë, pas pak vitesh nuk do të ketë më Arvaniti. Janë kombe të mëdha dhe mund të hedhin në vendin tonë 200 e 300 mijë ushtarë, të na çarmatosin e të na bëjnë skllevër dhe çfarë të duan. E kanë në dorën e tyre, sepse janë të fortë. Rreziku ynë i madh është nga Italia e nga Austria dhe mbi të gjitha nga Austria. Që të mundemi të shpëtojmë, duhet të bashkëluftojmë me njërin nga armiqtë tanë më të dobët: malazezët, serbët, bullgarët ose grekët. Le t’i analizojmë me radhë: malazezët, serbët dhe bullgarët, janë copëza të Rusisë. Ata punojnë për Rusinë dhe kush bashkëpunon me ta, bie në gojën e Rusisë. Këto tri shtete, duan apo jo do të bëhen një ditë të qeverisura nga Rusia. Shteti i vetëm nga të gjitha shtetet që mbin nga përvëlimet e shkatërrimet e Turqisë dhe që e ka të garantuar ekzistencën e vet nga e gjithë Europa, është Greqia.

Dheun grek nuk mund ta shkelë askush. Qëllimisht ua paraqitëm dhe Greqinë si armiken tonë, pasi dukshmëria e gjërave kështu e tregon. Por nëse thellohemi pak në thelb, nëse këshillohemi ndopak me historinë, nëse e analizojmë mirë këtë çështje, do të shohim se Greqia nuk ka asnjë armiqësi me ne dhe as nuk mund të ketë. Historia na tregon se grekët janë stërnipër të pellazgëve, të gjyshërve tanë dhe se grekët dhe arvanitët, gjatë kohëve të Bizantit, kishin të njëjtin besim fetar, një mbret, një atdhe dhe se vetë Skënderbeu fliste dhe arvanitisht e greqisht dhe e shkruante gjuhën greke si grek dhe se Greqia e sotme është vepër e arvanitëve dhe e grekëve.

Në luftën e 1821-shit, midis Greqisë dhe Turqisë, u njoh dhe raca jonë arvanite dhe me ndihmën tonë, u çlirua Greqia. Në mes kaq heronjsh që shfaqi Revolucioni Grek i 1821-shit, të gjithë heronjtë e detit, përveç psarianëve, ishin arvanitë. Shumica e heronjve të tokës greke, ishin arvanitë. Përveç arvanitëve të krishterë ishin dhe 3500 arvanitë myslimanë që luftuan bashkë me grekët kundër Turqisë dhe komandantë të atyre arvanitëve ishin Tafil Buzi, Gjoleka, Hodua dhe të tjerë kapedanë të dëgjuar arvanitë.

Nuk do të themi asnjë gënjeshtër vëllezër, nëse themi se “arvanitët e çliruan Greqinë”! Në zemrën e popullit grek dhe arvanit është e rrënjosur ndjenja që kanë grekët dhe arvanitët. Greku më parë se të bëhej grek, ishte arvanit, me një fjalë pellazg. Grek do të thotë: arvanit i qytetëruar. Greqia pa Arvanitinë dhe Arvanitia pa Greqinë janë dy gjysma gjërash. Kur të bashkohet Greqia me Arvanitinë, atëherë do të bëhet një Greqi e Madhe dhe një Arvaniti e Madhe. Grekët i njohim dhe na njohin. Jetuam mijëra vjet me grekët dhe jetojmë akoma si vëllezër.

Mijëra grekë rrojnë në Arvaniti dhe mijëra arvanitë jetojnë në Greqi dhe kurrë deri më sot nuk e luftuan njëri-tjetrin, por në Arvaniti grekët me arvanitët rrojnë si vëllezër dhe në Greqi, arvanitët e grekët rrojnë si vëllezër. Çdo gjë që është greke, është edhe arvanite dhe çdo gjë arvanite, është edhe greke. Gjaku ujë nuk bëhet!

Shikoni pra vëllezër se sa arsye të mëdha kemi që të bëhemi me grekët, ndërsa nuk kemi asnjë arsye të çiftëzohemi me italianët, austriakët, serbët e bullgarët!!! Kur u themi të bëhemi një me grekët, nuk nënkuptojmë të bashkojmë besimet tona dhe qeveritë tona. Këtë bashkim nuk e nënkuptojmë dhe as nuk e duam! Ne duam që nga Greqia të sigurojmë vendin tonë, të ngremë tregtinë tonë, të ndriçohemi nga kultura e saj. Ne nënkuptojmë që Greqia të ketë fuqi si shtet në Greqi dhe Arvanitia në Arvaniti dhe jo Arvanitia të jetë një shtesë e Greqisë. Nënkuptojmë një bashkim vetëm në një aleancë të pastër, të dakordësuar e bashkëluftuese, duke pasur të njëjtin mbret, të njëjtin ministër të Luftës dhe të luftojë e detyruar Greqia për nder të Arvanitisë dhe Arvanitia për nder të Greqisë, me një fjalë, të kemi të njëjtët miq dhe të njëjtët armiq. Nënkuptojmë që Arvanitia të ketë ushtri të veçantë, vendruajtës të veçantë, polici të veçantë, komandë të veçantë, ekonomi të veçantë, gjykata të veçanta, shkollim të veçantë.

Një provë ngjashmërie kemi Austrinë dhe Hungarinë, ku nuk ka dhe familjaritet, ashtu sikurse ka mes grekëve dhe arvanitëve. Përpara vëllezër! Ejani të bëhemi një mbretëri greko-arvanite dhe duhet të bëhemi se kemi të njëjtin gjak, një Atdhe dhe një Zot!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama