Katër artistët hungarezë që prezantonin punët e tyre nën moton e vendosur këtë vit nga kuratori Robert Storr "Pensa con i senti - senti con la mente", kanë bërë të mundur ta çojnë këtë çmim prestigjioz për herë të parë në Hungari. Edhe pse "Luani i Artë" nuk udhëtoi drejt Shqipërisë, pjesëmarrja e 5 artistëve të rinj shqiptarë nën kurimin e Rubens Shimës dhe Bonny Clearwater është vlerësuar si një prurje interesante për këtë edicion të Bienales. Revista italiane "Exibart" në një sondazh të saj e renditi pavijonin shqiptar në krye të klasifikimit me 33.96%, duke lënë pas Francën, e cila ka mbledhur 22.01% të lexuesve të gazetës.
Punët e Helidon Gjergjit, Genti Gjokolës, Alban Hajdinit, Armando Lulajt dhe Heldi Pemës janë quajtur si një prurje pozitive e artit bashkëkohor shqiptar. Këtë vit ishte hera e parë që Shqipëria prezantohej zyrtarisht në evenimentin më të rëndësishëm të artit bashkëkohor evropian. Përveç pavijonit të artit, në hapësirën e Bienales së Venecias, arti shqiptar mund të shihej edhe me dy ekspozita të vendosura në galeri shumë pranë saj, si ekspozita "Onufri 2006" dhe ajo me foto të Marubit. Nëse u referohemi komenteve të bëra për Bienalen e këtij viti, pavijoni shqiptar ka qenë më i komentuari, megjithatë juria ka vendosur që "Luani" të udhëtojë drejt Hungarisë.
President i jurisë së Bienales këtë vit ka qenë drejtori i Galerisë së Arteve Bashkëkohore në Barcelonë, Manuel J. Borja-Villel, ndërsa anëtarët e tjerë kanë qenë Iwona Blazwick, drejtoreshë e galerisë "Whitechapel" nga Londra, Ilaria Bonacossa, kuratore nga Torino, Abdellah Karroum, kurator nga Parisi, dhe José Roca, drejtor i Arteve nga Bogota.
Përveç pavijonit të Hungarisë që u shpërblye me "Luanin e Artë", këtë trofe e ka marrë dhe artisti Malick Sidibé për arritje jetësore. "Luanin e Artë" për kritikë të mirë arti e ka marrë Benjamin Buchloh, artisti më i mirë për pavijonet kombëtare. Është shpërblyer artisti palestinez Emily Jacir, ndërsa Leon Ferrari nga Argjentina ka marrë "Luanin e Artë" për pjesëmarrje në ekspozitën ndërkombëtare.
Bienalja e Venecias është një nga ekspozitat ndërkombëtare më të rëndësishme që mbahet në Evropë dhe deri më tani është vizituar nga 232 mijë vizitorë. Për kritikën Bienalja e Venecias është një mënyrë për të parë se çfarë ka lëvizur me artin gjatë një viti, dhe cilat janë tendencat e tij në kohërat e sotme. Robert Storr kuratori i këtij edicioni zgjodhi për artistët një temë më afër ndjesive njerëzore, duke besuar se arti pavarësisht mesazheve që përcjell në fund të fundit ka të bëjë me trupin dhe shpirtin. Bienalja do të vazhdojë të jetë e hapur deri më 21 nëntor
Marre nga : Gazeta Shqip











