Horrori i Aushvicit pare me syte e nje shqiptari

Horrori i Aushvicit, pare me syte e nje shqiptari
Ngjyrat e asaj depozite të frikshme flokësh njerëzore që ruhet edhe sot në kampin e vizituar nga mbi 22 milion njerëz, varionte nga kafja, në të kuqe, e pastaj në të bardhë, e tek tuk në të verdhë. E ekspozuar pas një xhami të trashë hermetik, ajo masë e pabesueshme “ylberi”, i përkiste dikur mbi 1.3 milion njerëzve që ishin transportuar në atë kamp, për të punuar 14 orë në ditë, e pastaj për të vdekur nga uria, i ftohti, torturat dhe në fund të luftës edhe nga shfarrosja në dhomat e gazit.

Një historiane polake na shpjegon fjalët e gdhendura sipër derës së madhe prej hekuri në hyrje të kampit ku u shfarrosën sidomos hebrenj: “Puna të bën të lirë” (Arbeit Macht Frei)… Ndryshe nga shumë filma artistikë, hebrenjtë nuk kanë hyrë asnjëherë në kamp përmes kësaj porte. Në fotografi të dimensioneve të mëdha anekënd Aushvic 1, i destinuar fillimisht për të burgosur polakë, rusë, apo homoseksualë gjermanë, e më pas dhe për hebrenj, tregohen momentet kur mijëra njerëz ecin bashkarisht me valixhet e tyre në dorë, pasi u është premtuar nga nazistët se thjesht po shpërngulen në një vend tjetër, ku do të gjejnë strehim, ushqim dhe punë.

Në njërën prej valixheve, duket qartë e shkruar me shkumës të bardhë identiteti i një familje, me mbiemrin Kafka, si edhe një adresë në qytetin e Pragës. Pak më tej, në një “mega-vitrinë” të ngjashme, shfaqen pas xhamit hermetik mbi 800 mijë palë këpucë të europianëve që u shfarrosën në atë kamp. Ngjitur me to, një tjetër “vitrinë” me mbi 400 mijë këpucë fëmijësh…

“Oficerët nazistë tentonin të shmangnin panikun mes të destinuarve për të vdekur”, tregon historiania nga një mikrofon që përcillet përmes kufjeve në memorien e të gjithë vizitorëve në kamp. “Ata nuk e përfytyronin dot se si do të mund ta menaxhonin një situatë pasigurie mes mijëra të burgosurve, ndaj i qetësonin sa të mundnin, duke u thënë: merrni sa më shumë sende personale e vishuni trashë se atje ku do shkojmë bën shumë ftohtë”. Në njërën prej këtyre fotografive, duket një grua me tre fëmijë, një bebe në krahë dhe dy të tjerë më të mëdhenj në moshë që ecin të kapur për dore e duke qeshur, teksa shikojnë për herë të parë dhe të fundit drejt një aparati fotografik. Pasi përshkon edhe pak metra më tej, ajo familje përfundon jo në ambientin e dushit, siç i është thënë, por në dhomat e gazit.

Në një fotografi tjetër, dy doktorë të njohur, me titullin Profesor-Doktor, vëzhgojnë një pas një çdo individ dhe sipas peshës fizike, moshës dhe shëndetit, drejtojnë secilin ose majtas ku e pret ferri nën sloganin “Puna të bën të lirë”, ose djathtas, drejt dyerve të hapura të dhomave të gazit. Në fytyrën e profesorëve të mjekësisë nuk gjen as edhe një fije emocioni.

Pranë grupit tonë në hyrje të kampit, gjendet një turmë e vogël gjimnazistësh nga Izraeli (në programet shkollore atje, është e detyrueshme vizita në këtë kamp, përpara përfundimit të studimeve të mesme). Arrij të shquaj fytyrat e atyre adoleshentëve, që nuk e dinë me detaje se çfarë i pret në atë guidë të tensionuar që zgjat të paktën 5 orë. Disa prej atyre fytyrave e shfaqin dukshëm frikën, por edhe kuriozitetin.

Blloku 11 i Ferrit në Tokë…

Pak minuta më vonë, gjendemi në oborrin mes dy ndërtesave që mbajnë numrat 11 dhe 13. Në ndërtesën me numrin 11 gjithçka ka mbetur e pandryshuar, ashtu siç ka qenë që nga maji i vitit 1940, kur mbi 700 të burgosur polakë, shumica pjesëtarë të rezistencës anti-naziste u vendosën aty për herë të parë. Ky kamp kishte qenë dikur kazerma e ushtrisë polake.

Në hyrje të kësaj ndërtese gjendet zyra e komandantit, në murin ballor të së cilës varet edhe sot portreti i Hitlerit. Disa hapa më tej, shfaqen shkallët që të çojnë në katin e nëndheshëm. Aty ku ishte dizenjuar “burgu brenda burgut”…

Harroni tani gjithçka që keni parë në televizor! Mos përfytyroni asnjë skenë filmi me nazistë apo kampe përqëndrimi! Zhdukni nga memorja edhe mrekullinë kinematografike të Spielberg “Lista e Shindlerit” dhe zbrisni me ne, të çliruar nga këto imazhe vizive, drejt katit të nëndheshëm të ndërtesës me numrin 11 në Aushvic 1, 50 kilometra nga qyteti i Krakovës, vendlindja e Papa Gjon Palit II.

Në qelinë e parë shikon vetëm dyshekë të shtrirë përtokë dhe batanije të rrjepura përsipër tyre. Mund të ndjesh ende një erë të çuditshme vjetërsie, të përzjerë me erën e urinës dhe të minjve. Ose ndoshta këtë përshtypje ta jep ndjesia kur shikon fotografinë që ka fiksuar çastin kur për herë të fundit kanë qëndruar njerëz në atë qeli: 13 skelete të gjetur të vdekur, në çastin kur kampi u braktis nga nazistët dhe u lirua nga ushtria ruse. Ata skeletë kishin vdekur, duke pritur të çoheshin në qelitë e tjera, që gjenden më tutje…

Shenjti i të droguarve sakrifikon veten!

Mes turmës së adoleshentëve që e vizitojnë çdo vit kampin e Aushvicit, ka me siguri përdorues të drogës, të cilët ndoshta, qëndrojnë më gjatë para qelisë 1.5 metra katrorë të Bllokut 11 në Aushvic, ku ka vdekur nga uria shenjti i të droguarve dhe indipendentëve nga drograt, gazetarëve, e të burgosurve politikë: Maximilian Kolbe…

Në fëmijërinë e tij, ky prif i shpallur shenjt6r nga Papa Gjon Pali II në vitin 1982, kishte parë një ëndërr të çuditshme, gjatë së cilës Shën Mëria i ishte shfaqur me dy kurora, njëra e bardhë dhe tjetra e kuqe. “Zgjidh njërën prej këtyre dy kurorave”, ikishthënë Ajo, “e bardha nënkupton që do të ruash deri në vdekje pastërtinë tënde, ndërsa e kuqja do të thotë se një ditë do të bëhesh martir”. Maksimiliani i zgjodhi të dyja.

I burgosuri  me numrin 16670

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ky prif i përulur ndihmoi mbi 2000 hebrenj duke u bërë për ta një strehë e sigurt, derisa në 17 shkurt të vitit 1941 u arrestua nga Gestapo dhe u dërgua fillimisht në burgun e Paëiak-ut, e në 25 maj u transportua drejt Aushvicit. Në Aushvic, kishte përfunduar atë kohë edhe një toger polak që kishte ndihmuar hebrenjtë, me emrin Franciszek Gajovniczek. Këta të dy, prifti dhe ish togeri polak, ishin së bashku në kamp, kur një i burgosur u arratis dhe sipas rregullit nazist, si dënim, dhjetë të burgosur të tjerë duhet të mbylleshin në një qeli e të vdisnin atje nga uria. Mes këtyre 10 fatkeqëve ishte dhe vetë Gajovniczek. Kur prifti Maksimilian e dëgjoi ish togerin të qante me zë: “E shkreta grua ime! Të shkretët fëmijë! Cfarë do bëjnë ata tani?”, atëherë vendosi të “ofronte veten e tij” dhe të vdiste në vend të Gajovniczek.

Ka disa dëshmi që e tregojnë këtë moment, por fjalët ekzakte që tha prifti në atë moment janë ende të paqarta. Megjithatë kuptimi i përgjithshëm i tyre është ky: “Unë jam një prift katolik nga Polonia. Do doja të më merrnit mua, në vend të tij”…

Pak metra më tej, shikojmë qelinë ku Maksimiliani vdiq nga uria bashkë me 9 të burgosur të tjerë…

Gajovniczek, u lirua nga Aushvici ku kaloi 5 vjet, 5 muaj dhe 9 ditë. Ndonëse gruaja e tijHelenai mbijetoi luftës, djemtë e tij mbetën të vrarë gjatë një bombardimi rus, në vitin 1945, pak para lirimit të të atit të tyre…

Maksimiliani u kanonizua në vitin 1982 nga Papa Gjon Pali II, në prani të Gajovniczek, i cili ato kohë jetonte me gruan e tij të dytë…

* * *

Më ze papritur rrugën një adoleshente që me dorën e djathtë ka zënë gojën e hundën, e tenton të vrapojë drejt shkallëve për të dalë nga ai korridor i nëndheshëm që fsheh pak metra më tutje një qeli tjetër. Ndërkohë, historiania që na shpjegon gjithcka përmes mikrofonit, gjithashtu nuk zbret poshtë, por thjesht vazhdon të drejtojë nëpër shkallë vizitorët: vazhdoni drejt, pastaj kthehuni majtas, e zbrisni poshtë…

Në fund të atij korridori, gjendet një qeli që nuk është më e madhe se hapësira që i duhet një njeriu për të shtrirë këmbën. Në atë qeli, ka një dritarëze 10 cm të gjerë, e 10 cm të gjatë. Për herë të fundit, aty janë futur 40 të burgosur. Ushtarë nazistë shkonin herë pas here me qirinj të ndezur që i fusnin përmes hekurave në mënyrë që të “thithnin” oksigjenin e 40 të burgosurve, teksa këta ishin ende gjallë. 40 të burgosurit, vdiqën nga asfiksia, shumë më shpejt se qindra viktima të tjerë para tyre… Në ndërtesën përballë, dritaret janë të bllokuara nga parete të zeza druri. Ajo ndërtesë quhej spital…

Spital në Aushvic?!

Në të vërtetë, ajo ndërtesë që për të burgosurit ishte e njohur si spital, i shërbente Dr. Carl Clauberg, si klinikë eksperimentesh, për të sterilizuar me rreze X, iodine dhe nitrat argjendi “sa më shpejt, e me sa më pak shpenzime” qindra mijëra njerëz, kryesisht femra. Femrat e zgjedhura (hebreje, ose rome) i përkisnin kryesisht moshës 20-40 vjeç dhe duhet të kishin lindur të paktën një fëmijë. Ka të paktën 700 dëshmi nga të mbijetuar që tregojnë se në disa raste gratë e përzgjedhura, duhet të kryenin me dhunë një marrëdhënie seksuale përpara se t’i nënshtroheshin eksperimenteve që ky doktor i kryente pasi në vitin 1941 kishte marrë aprovimin nga Himler. Një grua ortodokse, helmoi veten përpara se të çohej në këtë “spital”…

“Pacientëve”, u thuhej të plotësonin një formular në një dhomë izolimi, një procedurë kjo që zgjaste deri në 3-4 minuta, gjatë së cilave ata nuk e dinin se ishin sterilizuar plotësisht me rreze X… 90 përqind e “pacientëve” që hynë atje, dolën të vdekur… Të tjerët nuk duruan dot më pas as hemorragjitë në vaginë, as kancerat në organet jetësore dhe as sëmundjet e tjera vdekjeprurëse.

Dr. Clauberg u arrestua dhe u dënua nga rusët me 23 vjet burg, pas Luftës. U la i lirë, por në vitet 50 u arrestua sërish falë protestave të shumta të të mbijetuarve. Vdiq nga një atak kardiak, përpara se të fillonte zyrtarisht gjyqi në ngarkim të tij.

Birkenau

Në barakat e mbetura në Birkenau, era të than trupin dhe i ftohti të hyn në palcë. Temperaturat këtu arrinin gjatë Luftës së Dytë Botërore deri në -25 gradë celcius. Në njërën prej barakave, rreth 300 metra katrorë, kishin jetuar për muaj të tërë deri në 2 mijë vetë, të cilët ngjisheshin për të fjetur ose në pjesën e sipërme të krevateve ose në të poshtmen. Atyre që u binte fati të flinin lart, kishin shanse më të larta për të mbiejtuar edhe ca ditë më shumë. Ata që flinin poshtë vdisnin më shpejt, për shkak të lagështirës dhe të ftohtit.

Në dalje të kampeve shfaqet një krematorium. Furrat janë rindërtuar me materialet ekzistuese. Krematoriumi kryesor që i shërbente dhe Aushvic 1 dhe Birkenaut gjendet vetëm 30 metra larg shtëpisë ku jetonte familja e komandatit të kampit. Bashkëshortja e tij, kishte refuzuar që të jetonte nëBerlin, sapo i shoqi ishte emëruar në një pozicion më të lartë ushtarak, pasi atje në kamp, ajo ndihej “më komode”…

Në 1947 i shoqi u dënua me vdekje në gjyqin e Nurembergut dhe u var pikërisht në një shesh të vogël në hyrje të krematoriumit. Kur largohesh nga ai vend gjithë gjymtyrët i ndjen të lodhura. Refuzon të hash, refuzon madje dhe të mendosh. Të nesërmen nuk gjeja dot përgjigje për pyetjen e vetme që më kishte mbetur: si ka mundësi që qenia njerëzore të jetë e aftë të kryejë mizori të tilla…?!

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama