Historia reale e Gjeneralit qe erdhi ne Shqiperi ne ‘60

Historia reale e Gjeneralit qe erdhi ne Shqiperi ne ‘60
Siç e dëshmon Helena Kadare, në letrën që shkrimtari i kishte nisur asaj (teksa shkruante tregimin) ai ndodhej “i vetmuar dhe i lumtur” në një kohë me shi në Hotel Turizmi në Shkodër, ku “drita, duke hyrë nga grilat e dritareve, sajonte në mure ca brinjë të vdekurish, që i shkonte aq mirë asaj që po shkruante”. Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe në realitet. Këtë e dëshmon kritiku Bashkim Kuçuku, i cili na rrëfen historinë e vërtetë të një gjenerali që kishte zbarkuar në fillim të viteve ’60 për të mbledhur eshtrat e ushtarëve të tij. Kuçuku jep dhe një pasqyrë sesi u prit tregimi e më pas romani në Shqipëri, dhe në Europë. Ai veçon pushtuesit në këtë rrëfim: Gjermaninë dhe Italinë.

Zoti Kuçuku, kanë kaluar 50 vjet nga botimi i tregimit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Çfarë domethënie ka për ju kjo?

Data e botimit të tregimit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në vitin 1962 dhe një vit më pas i romanit me të njëjtin titull është vërtet një datë e shënuar, sepse me këtë roman fillon letërsia shqipe moderne simbilokë e një letërsie të panjohur më përpara në Shqipëri, dhe njëherësh fillon letërsia e mirëfillte universale me mesazhe gjithënjerëzore.

“Gjenerali…” është gjithashtu vepra më e përbotshme e letërsisë shqipe e përkthyer në rreth 30 gjuhë.

Në fillim tregimi u botua në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe në trajtën më të plotë në revistën “Nëntori” . Ju jeni shprehur se zanafilla e këtij tregimi është shumë interesante. Mund të na e rrëfeni?

Zanafilla e tregimit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që më pas u bë roman, nis në Shkodër në një mot me shi. Në atë periudhë në Shqipëri me të vërtetë kishte zbarkuar një ushtarak i lartë, një gjeneral i huaj (italian), i cili kishte ardhur me misionin për të mbledhur eshtrat e ushtarëve të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pra, fakti është real dhe historik. E veçanta qëndron se te ky fakt, se te Kadareja, tregimi është një gjetje artistike.

Në atë periudhë në të gjitha vendet ku ishin vrarë ushtarë fashistë kishin zbarkuar gjeneralë në kërkim të eshtrave të ushtarëve të rënë.  Për Luftën e Dytë Botërore mund të jenë shkruar me qindra romane, por për këto vizita, zbarkime, gjeneralësh nëpër botë, si të ushtrisë fashiste italiane, gjermane apo dhe japoneze, që i kanë parë me qindra shkrimtarë, asnjë nuk arriti ta shihte me kaq origjinalitet sa Ismail Kadare për të dhënë një mesazh universal. E këtij fakti historik që ka ndodhur vërtet dhe që e kanë parë me qindra shkrimtarë tani i shtohet një gjetje mjeshtërore ose gjetje e artë e Ismail Kadaresë. Këtu qëndron dhe origjinaliteti më i madh i kësaj vepre. Kadareja atëherë kur shkroi tregimin ishte vetëm 25 vjeç, një djalë i ri natyrisht i frymëzuar, por ai ka kapur një fabul arketipike, një histori, një ngjarje që është shfaqur që në kohët më të lashta të njerëzimit dhe është ripërsëritur herë pas here në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet. Do të thotë se një ngjarje e tillë, e trajtuar me mjeshtëri në letërsi, i ka dhënë pikërisht atë bërthamën dhe tërësinë e vet universale. Gjeneralët pushtues, e pastaj që mbledhin eshtrat që nga luftërat e lashta dhe deri në kohët moderne, i ndjek i njëjti fat; në fillim ata nisen me madhështi me energji të jashtëzakonshme dhe në fund kur mbarojnë luftërat ata mbledhin eshtrat e ushtarëve të tyre. Këtu qëndron ajo gjetja e artë e Kadaresë që e ka bërë këtë vepër universale.

Kritika si e priti botimin në revistën “Nëntori” të tregimit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”?

Tregimi që u botua te revista “Nëntori” ishte shumë befasues që nga titulli: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”,  një simbolikë e tërë dhe paradoksale sepse nuk mund të jesh gjeneral i një ushtrie të vdekur, kjo është jashtë një logjike të zakonshme. Tregimi përgjithësisht u mirëprit në fillim. Kishte dhe nga ata që nuk dinin sesi të reagonin, por gjithsesi dhe ata që nuk ishin dashamirës për ambiciet e tyre u dorëzuan përballë origjinalitetit të këtij tregimi. Për tregimin që doli në vitin 1962 nuk pati kritika me shkrim.

Si u shndërrua ai në roman?

Dihet që Drago Siliqi, që ishte drejtor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, u befasua nga ky tregim dhe e këshilloi Kadarenë që ta shndërrojë në roman. Janë bërë diskutime dhe debate të gjata për këtë që Kadareja të bindej për ta bërë roman.

Po romani pati kritika. Ju thatë se me këtë roman fillon letërsia moderne shqipe?

Kur doli romani atëherë filluan kritikat me shkrim. Në tërësinë e tyre edhe kritikët më të anshëm në thelb e kanë vlerësuar, por disa prej tyre veçanërisht ndonjëri e ka tepruar me kritika kundër vlerave të këtij romani. Por mendoj se ata niseshin dhe nga ambicia personale, sesi mundej një i ri të shkruante një roman kaq befasues. Natyrisht kjo i vinte në sedër dhe ata i kanë shtuar kritikat negative. Por me përjashtim të Dargo Siliqit, që ishte shumë entuziast (fatkeqësisht ai vdiq aksidentalisht pa e lexuar romanin), vetëm njëri e kuptoi si të thuash atë karakterin universal që kishte ky roman. Ky ishte Isuf Vrioni me një formim francez, i cili e përktheu me iniciativën e tij në gjuhën frënge. Sepse, siç ka thënë dhe vete: besonte se e vetmja vepër e letërsisë shqipe që mund të mirëpritej në Europën Perëndimore ishte “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Pas kësaj Kadareja, për arsye të ndryshme, i bëri një ripunim dhe e botoi romanin në vitin 1967 dhe gjithë brezat e rinj në Shqipëri kanë lexuar motërzimin e romanit të këtij viti. Edhe në botë, me përjashtim të Bullgarisë dhe Prishtinës, njohin motërzimin e dytë, që është më i plotë me disa retushe artistike.

Po lexuesi, si e priti lexuesi romanin?

Të gjithë e mirëpritën, sidomos brezi i ri, mendoj se ishte vepra më e lexuar e brezit të ri, për shkak të origjinalitetit dhe sepse ishte jashtë çdo klisheje. Leximi i këtij romani kënaqte fantazinë e çdo lexuesi, pavarësisht nga kritika zyrtare. Më vonë ky roman hyri dhe në tekstet shkollore.

Po nga lexuesi dhe kritika e huaj, në ato vite kur Shqipëria ishte ende një vend i izoluar, si u prit?

Horizonti i pritjes në Europë ka qenë dhe më interesant, megjithëse pati disa diferencime për shkak të realiteteve të ndryshme në vende të ndryshme dhe kultura të ndryshme.

Po jap ca fakte për të krijuar një ide më të plotë. Përgjithësisht është mirëpritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Fillimisht, siç e përmenda, u botua në Bullgari në vitin 1965 (pa dalë motërzimi i dytë) nga përkthyesja Marina Marinova. Ajo kishte bindjen se “Gjenerali…” ishte një vepër që duhej ta njihte dhe lexuesi bullgar. Pastaj me iniciativën e Esat Mekulit në vitin 1968 është botuar në serbisht, por në Prishtinë jo në Beograd (ku u botua vite më vonë). Po atë vit u botua edhe në Turqi. Pra, Ballkani ende pa dalë në Europë ia hapi dyert “Gjeneralit…”, sepse e kuptoi që ishte një vepër që do t’i kalonte kufijtë e gjuhës shqipe. Dhe romani u mirëprit në këto vende.

Por ngjarje e rëndësishme në këtë aspekt është botimi në vitet 1970 në Francë. Kjo është një ngjarje për gjithë letërsinë shqipe, sepse për herë të parë letërsia shqipe botohej nga një shtëpi e madhe. Është ky vit që letërsia shqipe fillon të bëhet letërsi e përbotshme. Pritja në Francë ishte e jashtëzakonshme. Shqipëria në vitet ‘70 ishte krejt e mbyllur me Perëndimin, nuk e njihnin, por ama po njihnin letërsinë e saj. Janë shumë shkrimtarë dhe kritikë me emër që kanë shkruar gjerë e gjatë mbi botimin në Francë, janë bërë emisione pa fund. Pas kësaj jehonë të jashtëzakonshme që pati botimi në Francë, për tre vjet “Gjenerali…” do të përkthehej në gati 20 gjuhë të Europës, madje dhe në Amerikë.

Po pushtuesit, që në një farë mënyrë cenoheshin nga ky roman, si e pritën? Kam parasysh këtu Gjermaninë dhe Italinë…

Pritjet ishin të ndryshme në Gjermani dhe Itali. Në Gjermani është botuar, në mos gabofsha, në vitin 1972. Kanë qenë rreth 6-8 botime të këtij romani, madje kishte dhe botime me ilustrime. Pati një garë mes Gjermanisë Lindore dhe  asaj Perëndimore për botimin e këtij romani. Edhe atje u prit mirë nga kritika, madje para disa vitesh në Gjermani është ripërkthyer “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, sepse nuk kanë qenë të kënaqur nga botimi i parë i përkthyer nga frëngjishtja. Kësaj here është përkthyer nga gjuha shqipe nga një albanolog gjerman.

Ndryshe ka qenë horizonti i pritjes në Itali. Ato vite që “Gjenerali…” kishte bërë jehonë në gjithë Europën, botuesit italianë nuk merrnin guximin ta botonin në gjuhën italiane. Për 12 vjet Italia e bojkotoi romanin, për shkak se italianët mund të prekeshin nga gjenerali i tyre që dilte në pozitë kaq negative dhe antihumane. Një reaksion ky që nuk e nderonte kulturën italiane. Për të qenë koherent me botimet e letërsisë shqiptare, fillimisht në Itali u botua “Daullet e shiut” dhe “Kështjella”. Me botimin e këtij të fundit njoftohej se së shpejti do të përkthehej dhe një roman tjetër i shkrimtarit Ismail Kadare, që ka pasur shumë jehonë në Europë. Bëhej fjalë për “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Dhe Italia pas 12 vjetësh e botoi romanin në vitin 1982. Në Itali pas kësaj ka ndodhur një proces krejt i kundërt, sidomos në këto 7-8 vitet e fundit, “Gjenerali…” ribotohet gati çdo vit. Pas kësaj vonese kultura italiane reagoi duke bëri një gjest tjetër qytetar. Pas do kohe nga botimi i romani ata marrin përsipër të realizojnë edhe filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, me aktorët e mëdhenj Marçelo Mastrojani (Marcello Mastroianni) dhe Mishel Pikoli (Michel Picoli).

Një tjetër fakt shumë interesant është dhe botimi në gjuhën vietnameze në vitin 1972. Në atë kohë ishte Lufta e Vietnamit me Amerikën, një luftë 20-vjeçare dhe natyrisht atyre u interesonte botimi i një romani të tillë. Pothuajse në të njëjtën kohë është botuar edhe në Amerikë, por aty Gjenerali nuk pati kurrfarë jehone dhe kuptohet se përse: ishte koha e gjeneralëve amerikanë në Vietnam.

Përkthimi në frëgjisht në burgjet e komunizmit

Vepra për herë të parë në bullgarisht doli më 1966, në serbisht më 1968 dhe në turqisht më 1968, kur në Shqipëri nuk ishin fashitur vërejtjet e kritikës së realizmit socialist, madje në bullgarisht, kur shkrimtari ende nuk kishte nxjerrë motërzimin e tij të dytë 1967, që është motërzimi kryesor. Bullgarishtja është gjuha e parë që i hapi dyert për librin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, duke e bërë të njohur në disa vende të Ballkanit. Botimi në frëngjisht do ti hapte dyert romanit në Europë. Përkthyesi ishte Jusuf Vrioni. Gjatë burgimit të tij të gjatë, ai filloi të përkthente në frëngjisht “Gjeneralin…”, thjesht për ta mbajtur gjallë kujtesën për civilizimin dhe që të mos çmendej në burg. Në versionin e vitit 1972 në frëgjisht emri i përkthyesit nuk është shkruar, arsyet diheshin. Ai ishte një i dënuar në burgjet e komunizmit, një përfaqësues i klasës borgjeze-revizioniste. Gjithsesi ishte përkthimi i Jusuf Vrionit i Gjeneralit të ushtrisë së vdekur që ishte nxjerrë jashtë vendit dhe ishte fituar për botim nga Albin Michel, dhe ai përkthim çoi te edicioni italian, gjë që solli filmin (me Mastroianni-in)… dhe ndikoi që Kadare ta gëzonte një lloj statusi të shenjtë në vendin e tij, si i vetmi shqiptar i dëgjuar jashtë shtetit, përveç Enver e Nexhmije Hoxhës.

Në revistën Nëntori

Ky tregim është botuar në revistën e përmuajshme letrare-artistike-shoqërore-politike që ishte Organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Nëndori (e cila pas standardizimit të gjuhës quhet Nëntori), Tiranë, nr.5, maj 1962, f. 53-76, shoqëruar me dy vizatime.

Seksualiteti te tregimi

Në vitin 1965, duke folur për episodin e shtëpisë publike te Gjenerali, një kritik theksonte se Kadareja ka prirje për tema të painteres e të turpshme. “Shtëpija publike do hapet

sepse ka karakter strategjik… Pastaj erdhën dhe hollësirat: shtëpinë publike do ta hapnin trupat pushtuese dhe se ato do t’i sillnin nga jashtë shteti. Ahere u shqetësuan të gjithë”

Shkrimtari përballë Gjeneralit

Nga viti 1962 deri 2001, Gjenerali i është shtruar disa përpunimeve, së pari nga tregimi në roman, pastaj edhe ndryshimet e vazhdueshme të romanit. Marrëdhënien me këtë roman te “Ftesë në studio” Kadare e ka krahasuar me marrëdhëniet mes dy njerëzve që sa më shumë duhen, aq më shumë e torturojnë njëri –tjetrin.

Filmi italo-francez që nuk u lejua të xhirohej në Shqipëri

Dy vjet pas botimit të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në Itali (vend që e kishte “bojkotuar” për 12 vjet botimin e këtij romani)  në Shqipëri vijnë aktori francez Mishel Pikoli (Michel Piçoli) dhe regjisori italian Luçiano Tovoli (Luciani Tovoli) për të realizuar të parin film bazuar në romanin e shkrimtarit Ismail Kadare “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Skenari i filmi u realizua nga Jean-Claude Carrière, Michel Piçoli, Luciano Tovoli, drejtor fotografie: Giuseppe Tinelli, Luciano Tovoli, muzika është e Gustav Malher. Në këtë film italo-francez interpetojnë aktorët Marcello Mastroianni, Michel Piçoli, Anouk Aimée, Gérard Klein, Sergio Castellitto, etj. Filmi nuk u lejua të xhirohej në Shqipëri, ndaj u zhvendos në periferi të Romës. Filmi shqiptar “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u realizua vite më pas nga regjisori Dhimitër Anagnosti.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama