Historia e shkaterrimit te Kalase se Tiranes pergjegjesit pa ndeshkim

Historia e shkaterrimit te Kalase se Tiranes, pergjegjesit pa ndeshkim

Odiseja si u ngrit nën hundën e shtetit perandoria e ndërtimeve pa leje brenda Kalasë qindra vjeçare. Në pese vite institucionet përgjegjëse nuk kanë reaguar për ndërtimet e kryera mbi Kala, që prej disa muajsh janë nën sekuestro, duke nxjerrë kështu në shitje si lokal nate edhe monumetin e kulturës

Kalaja e Tiranës po shkon drejt zhdukjes nga ndërtimet pa leje të kryera gjatë viteve të fundit në këtë zonë arkeologjike. Sot, nëse kalon përgjatë rrugës “Murat Toptani” është e vështirë të identifikohet ky monument. Ndërtimet e kryera në mënyrë të paligjshme pranë Kalasë e kanë mbuluar thuajse plotësisht monumentin, ku dallohet thjesht një mur i parrëzuar ende në anë të rrugës. E sikur të mos mjaftonte kjo, Kalaja mesjetare e Tiranës rrezikon të shitet si lokal nate duke hedhur kështu qindra vite histori që mbart ky monument kulturor i kryeqytetit.

Të gjitha ndërtimet e kryera në zonën e Kalasë si restorant “Valle Verde”, klub “Folie Terrace”, klub “Mumja” si dhe një pjesë e Kinema Millenium janë pa leje dhe në pronësi të biznesmenit Alban Xhillari, i njohur në Tiranë për lidhjet e tij të afërta deri para pak kohësh me Kryeministrin Edi Rama. Bashkia e Tiranës i tha investigim.al se ndër vite nuk ishte dhënë asnjë leje për zhvillim ndërtimor brenda zonës së Kalasë. Pavarësisht kësaj, këto ndërtime ishin kryer nën juridiksion e saj terrritorial dhe pak metra larg pushtetit vendor. Fillimisht rreth vitit 2001 nisi rikonstruksioni i Qendrës Kuturore të Fëmijëve për ta transformuar në një kinema që njihet sot si Kinema Millenium 2. Kompania “IDA Sh.a”, në pronësi të biznemenit Alban Xhillari, përfitoi marrjen me qira të Qendrës Kuturore të Fëmijëve për një periudhë 20-vjeçare nga Ministria e Ekonomisë. Termat e qirasë kishin të bënin me shfrytëzimin e godinës ekzistuese, por investitori zgjeron hyrjen për Kinema Millenium 2.

Në vitin 2007, Xhillari lidh një marrëveshje me trashëgimtarin e Fronit Mbretëror të shqitarëve, Leka Zogu I, për të zhvilluar disa prona të Familjes Mbretërore brenda Kalasë së Tiranës. Dy vite më pas, më 27.07.2009, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve (KKR) firmos 3 projekte për biznesmenin Xhillari, përkatësisht: kompleks rekreativ te “Fusha e zezë”; rikualifikim i lulishtes “Millenium”; ndërtim i restorant “Valle Verde”. Miratimi i këtyre projekteve mban firmën e sekretarit të Këshillit Kombëtar të Restaurimit, Valter Shtylla dhe ministrit të Kulturës në atë kohë, Ardian Turku. I kontaktuar nga investigim.al, Shtylla u shpreh se kishte hedhur fillimisht firmën dhe nuk ishte më pas në dijeni se çfarë kishte ndodhur. Sipas tij, ndërtimet u bënë kur ai kishte dalë në pension.

Ndërsa ish-ministri i Kulturës, Ardian Turku i pyetur nga investigim.al, sqaroi se ndërtuesi i kishte paraqitur rreth 7 projekte për zhvillimin e kësaj zone, por ishin miratuar vetëm 3. Sipas tij, për t’u vënë në zbatim projektet duhet të kalonin më parë nga Bashkia e Tiranës dhe të nxirreshin lejet përkatëse. “Është marrë një vendim pasi i janë bërë shumë vërejtje idesë së paraqitur për zhvillimin e kësaj zone dhe gjithsesi nuk ishte leje ndërtimore sepse për të kaluar në leje ndërtimore secila pjesë e këtij projekt ideje për zhvillimin e Kalasë së Tiranës dhe territorit ngjitur me Kalanë do të duhej të përkthehej në projekte konkrete etj., t’i kalonte pushtetit vendor dhe kështu me radhë”, u shpreh Turku.

Miratimi i 3 projekteve nga KKR do të mjaftonin për biznesmenin Xhillari për të nisur një seri ndërtimesh brenda zonës arkeologjike të Kalasë. Kështu, gjatë periudhës post-zgjedhore të vitit 2009, “IDA Sh.a” kishte shembur ish-bar “Kalanë” dhe në vend të saj kishte nisur ndërtimi i restorant “Valle Verde”, ku sipas procesverbalit të asaj kohe evidentohej edhe një shtresë betoni të vendosur mbi murin historik të Kalasë. Ish-ministri i Kulturës thotë se ndërtuesi kishte paraqitur një projekt për restaurimin e bar “Kalasë”, por jo ndërtimin nga fillimi të një restoranti. “Për dijeninë time, ky lokal nuk ka lidhje me atë vendim që është marrë sepse ka dalë jashtë çdo kriteri. Nuk i është nënshtruar hapave të tjera të domosdoshëm për të kaluar në ndërtim, nuk ka marrë lejet e caktuara, është tjetërsuar nga leja fillestare”, sqaron ish-ministri i Kulturës, Ardian Turku. Investigim.al disponon kërkesë-pezullimin e Ministrisë të Kulturës drejtuar Inspektoriatit Urbanistik Kombëtar dhe Inspektoriatit Urbanisitik të Tiranës për ndërprerjen e punimeve për restorant “Valle Verde”. Në kërkesë rrëzoheshin edhe pretendimet e biznesmenit Xhillari se kishte marrë 3 projekte nga nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve.

 

 

Pak muaj më vonë, në mars të vitit 2010, në një memo të hartuar nga Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore tërhiqej vëmendja ndaj indiferencës së institucioneve qendrore dhe vendore. Në memo, një kopje të cilën e disponon investigim.al, thuhet se Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Tiranë ka kallëzuar penalisht Inspektoriatin Urbanistik Kombëtar për mosveprim ndaj punimeve që po kryheshin pa leje në Kalanë e Tiranës. Ky ishte edhe reagimi i fundit institucional deri në fillim të vitit 2015. Gjatë kësaj periudhe 5-vjeçare, ndërtuesi Alban Xhillari ngriti një perandori investimesh pa leje brenda Kalasë së Tiranës. Aty u krijuan dy nga klubet më të mëdha të kryeqytetit, “Mumja” dhe “Folie Terrace”, të dyja këto ndërtime pa leje. Gjithashtu sipër murit antik të Kalasë së Tiranës u ngrit me dy kate restorant “Valle Verde”. Për këto investime, biznesmeni Xhillari kishte marrë një kredi të konsiderueshme në një nga bankat e nivelit të dytë. Kjo kredi nuk u shlye dhe në fund të vitit 2015, “Folie Terrace” e ndërtuar mbi territorin e Kalasë së Tiranës vihet nën sekuestro nga një shoqëri përmbarimore për detyrimin e pashlyer prej 1.3 milion euro. Tashmë fati i kësaj hapësire të Kalasë së Tiranës mbetet i paqartë, nëse do të shitet si lokal nate apo do t’i mbetet kryeqytetit si pjesë e trashëgimisë kulturore.

Familja Mbretërore

Ndërtimet brenda hapësirës së Kalasë janë bërë edhe me përfshirjen e Familjes Mbretërore që ka godinën e saj aty pranë. Familja Mbretërore e cila zotëron disa prona rreth Kalasë së Tiranës, më 06.04.2007, lidhi një marrëveshje biznesi me sipërmarrësin Alban Xhillari. Pjesë e kësaj kontrate ishin disa investime brenda zonës së monumentit kulturor, me qëllim gjenerim të ardhurash. Ish-ministri i Kulturës, Ardian Turku, shprehet se biznesmeni Xhillari shfrytëzoi këtë kontratë që kishte me Leka Zogun, për të kërkuar leje zhvillimore në zonën e Kalasë së Tiranës. “Familja Mbretërore ia kishte dhëne në mënyrë ekskluzive të drejtën e zhvillimit një përfaqësuesi që ishte biznesmen që merrej me ndërtime. Pavarësisht kësaj, qoftë pronë publike apo pronë private rregullat e zhvillimit janë të tilla që duhet të miratoheshin me leje nga institucionet shtetërore”, shprehet Turku.

Referuar kontratës, biznesmeni Alban Xhillari do të investonte 5.4 milion euro në pronat e Familjes Mbretërore në Tiranë dhe Durrës. Kontrata përfshinte bashkëpronësinë në investim te Kalaja e Tiranës si dhe te Vila Mbretërore në Durrës, por pasi biznesmeni të kishte përfituar shumën prej 5.4 milion eurosh nëpërmjet të ardhurave nga investimi. Gjatë viteve 2007-2009, Xhillari mbulon të gjitha shpenzimet për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e pronave të Leka Zogut. Biznesmeni madje ndihmon Familjen Mbretërore për të privatizuar Qendrën Kulturore të Fëmijëve, të kthyer tashmë në Kinema Millenium 2. Kështu, Leka Zogu bëhet pronar i Kinema Millenium 2 për pak kohë deri në fillim të vitit 2009, por që më pas kjo pasuri i kalon në pronësi Alban Xhillarit, kundrejt çmimit prej 1 milion euro që përfiton Familja Mbretërore.

Investigim.al kontaktoi me përfaqësues të Familjes Mbretërore nëse në marrëveshjen me biznesmenin Alban Xhillari ishin planifikuar ndërtime pa leje, por një gjë e tillë u mohua. “Ndaj biznesmenit Alban Xhillari ka pasur ndër vite denoncimet për ndërtimet pa leje të kryera në zonën e Kalasë së Tiranës, por në shumicën e rasteve institucionet nuk kanë reaguar”,  pohojnë përfaqësues të Familjes Mbretërore. Lidhur me ndërtimet mbi lulishten përpara Kinema Millenium, Familja Mbretërore shprehet se është një pronë e tyre, por që për shkak të vlerës kulturore ajo i ka kaluar shtetit. “Pavarësisht kësaj, shtetasi Alban Xhillari e ka shfrytëzuar për ndërtimin e klub ‘Folie Marine’. Nuk dihet nëse ka marrë leje për këtë, por kjo hapësirë është pjesë e monumentit të kulturës dhe nuk mund të kthehet në diskotekë”, vijon reagimi zyrtar i Familjes Mbretërore.

Burime për investigim.al theksojnë se Familja Mbretërore gjatë periudhës 2007-2009 është përfshirë nga një konflikt i brendshëm, ku Princi Leka kundërshtonte veprimin e të atit, Leka Zogut, për marrëveshjet e lidhura me biznesmenin Alban Xhillari. Të nxitur nga konflikti familjar, por edhe nga zhgënjimi ndaj biznesmenit, Leka Zogu nis një proces gjyqësor në vitin 2009 për ndërprerjen e kontratës së bashkëpunimit. Por kjo kontratë e nënshkruar me biznesmenin Xhillari dhe më pas anulimi i saj do t’i kthehet në bumerang Familjes Mbretërore. Pas 6 vitesh zvarritje gjyqësore, Gjykata e Apelit në Tiranë e kryesuar nga gjytari Alaudin Malaj la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë duke vendosur më 05.02.2015 që Princi Leka, trashëgimtar i pronave mbretërore t’i paguajë shumën prej 3.3 milion euro biznesmenit Alban Xhillari. Kjo shumë llogaritej si pjesë e investimit që biznemeni Xhillari kishte kryer në pronat e Familjes Mbretërore, kryesisht në zonën e Kalasë së Tiranës. Pasi fitoi 3.3 milion euro, në fillim të 2015-s, Xhillari zgjeron sërish ndërtimet në Kalanë e Tiranës, kësaj here mbi sipërfaqen e lulishtes. Instituti i Monumenteve të Kulturës vëren këtë situatë të paligjshme dhe pezullon punimet, madje gjobit edhe investitorin.

Kaluan pak muaj dhe specialistë të Drejtorisë Rajonale të Kulturës njoftuan se në Zonën Arkelogjike të Kalasë së Tiranës po vijonin sërish punimet e paautorizuara. Kjo drejtori iu drejtua Policisë së Tiranës dhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit me shkresën e datës 14.05.2015, ku bëhet me dije se subjekti “Folie” po kryen punime me karakter ndërtimor të paautorizuara dhe kërkohet marrja e masave ndaluese si dhe vënia e gjobës ndaj subjektit. Pjesë e denoncimit ndaj Alban Xhillarit bëhet edhe Familja Mbretërore e cila deri para pak vitesh i kishte dhënë të drejtën ekskluzive këtij ndërtuesi për të shfrytëzuar territorin brenda Kalasë së Tiranës. Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit reagoi pas 3 muajsh duke kallëzuar penalisht “IDA Sh.a” ndërsa shemb edhe objektin pa leje. Ndërkohë IKMT nuk ndërmorri asnjë veprim për të shembur ndërtimet që ishin pa leje brenda këtij territori.

Restaurimi i dështuar

Për njohësit e monumenteve të kulturës, Kalaja e Tiranës mbart disa karakteristika të veçanta, shtuar faktin që është ndër të paktat ndërtime historike të qytetit. “Nuk është ndonjë objekt me ndonjë vlerë jashtëzakonisht të madhe por Tirana atë ka. Ka një lloj vertikaliteti, ka ato blloqet e mëdhenj, ka një lloj pompoziteti në vetvete dhe nuk është monument i shëmtuar, është i bukur. Fundi së fundit një kryeqytet do mundohet që të ketë ato të vetat. Në kohën e komunizmit për fat të keq ai pazari i vjetër që ishte u shkatërrua që mund të dëftente që ky qytet lindi, u zhvillua, u krijua sa një qytet që lind nga hiçi, nga balta”, shprehet Apollon Barçe, i cili ka drejtuar Institutin e Monumenteve të Kulturës.

Në maj të vitit 2009 Komisioni Europian financoi një projekt për restaurimin e Kalasë Mesjetare të Tiranës. Projekti përfshinte një urë xhami mbi kullë, vendosje sinjalistike si dhe punimet për rehabilitimin e infrastrukturës së ujit, korrentit dhe telefonisë. Pas një viti punime, Komisioni Europian ngriti shqetësimin për zbatimin e projektit të restaurimit për Kalanë e Tiranës. Në të njëjtën kohë, në vitin 2009, interesin për të restauruar Kalanë e Tiranës e kishte shfaqur edhe biznemeni Alban Xhillari. Ai i paraqiti Këshilli Kombëtar të Restaurimit 3 projekte që më pas u miratuan. Pjesë e projekteve ishte restaurimi i ish-bar “Kalaja”, por që në fakt ky ambient u prish dhe mbi muret e Kalasë u ngrit restoranti. “Ajo që është përmbi mureve të Kalasë është komplet e gabuar. Gabim kanë bërë. Kur kam qenë aty jam mundur ta heq atë lokal nga vendi, është bërë edhe në mënyrë të pakuptueshme. Kanë miratuar një gjë që nuk duhej”, shprehet Apollon Barçe.

Më 16 qershor 2010, Komisioni Europian financon projektin e dytë të restaurimit të Kalasë së Tiranës, kësaj here me ndryshimet e propozuara nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit. Për profesor Barçen, projekti i parë i restaurimit ishte i dështuar pavarësisht se fondet e KE-së ishin shpenzuar. “Për mua ishte një projekt gjysmë i marrë, ku i nxirrte ato fondamentet e Kalasë dhe i shikoje brenda me xhama, me dru, ndërkohë që ndalohet në mënyrë kategorike që të ndërhyhet në themelet. Këtë të paktën e anulova”, thotë shprehet Barçe, i cili gjatë projektit të dytë ishte në krye të KKR.

Kalaja e Tiranës ishte një stacion rrugor i vijës Egnatia i tipit Mansio-Mutatio. Dëshmia më e lashtë e kryeqytetit ndodhet pikërisht në vendin ku derdheshin e kryqëzoheshin rrugët e vjetra e të reja që e lidhnin Tiranën dhe pastaj krejt Shqipërinë, veriun me jugun, lindjen me perëndimin. Pas vitit 1814 Kalaja e Tiranës bëhet rezidencë e sundimtarëve të rinj të saj, Toptanëve të ardhur nga Kruja, të cilët ndërtuan dy shtëpi njërën për banim dhe tjetrën për pritje që janë dhe sot. Përgjatë shek. XX kur humbet një pjesë të mureve rrethues dhe thuajse nuk lejon të kuptohet nga mbetjet, formulimi i saj i plotë stilistik. Kalaja e Tiranës është “Zonë Arkeologjike” e kategorisë A, e shpallur me vendim qeverie që në vitin 2009.

Ndihmuan studentët Besar Bajraktari dhe Olsjan Topalli

* Ky projekt mbështetet financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla i Komisionit për Demokraci i Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama