Për hartuesen e tekstit, “Historia e qytetërimit Botëror”prof. Zana Frashëri-Lito, botimi i të cilës është prej pak kohësh edhe për publikun shqiptar, kjo histori shërben për njohje me të thellë të kulturës botërore mbasi kemi qenë të izoluar për një kohë të gjatë. Nga ana tjetër, thotë autorja, studiuesit shqiptarë brenda dhe jashtë atdheut për ta bërë akoma me të njohur kulturën tonë të pasur, e kanë po aq të rëndësishme dhe bashkëkohore studimin dhe pasurimin e njohurive të publikut të gjerë shqiptar mbi kulturat e tjera të përbotshme...
Çfarë metodologjie keni përdorur për Historinë tuaj të Qytetërimit Botëror?
“Përgatitja e një punimi mbi Historinë e Qytetërimit Botëror, siç kuptohet nga vetë titulli, paraqet vështirësi të mëdha për nga vetë gjerësia dhe thellësia e materialit. Nuk është aspak detyre e lehtë të përzgjedhësh elementët me pikantë të kulturës shpirtërore dhe materiale të njerëzimit në epoka të ndryshme historike dhe në vatra të ndryshme ndërkontinentale. Për ketë arsye zgjedhja e një metodologjie efikase ishte tepër e rëndësishme.
Fillimisht m’u desh të përcaktoja cilat do të ishin vatrat kulturore të përbotshme, të shtrira në Afrike, Azi, Evropë dhe Amerikë, me të cilat do të merresha në ketë punim në gjerësi dhe thellësi. Kjo ishte një nga pikat me të vështira për të cilat mu desh të punoja një kohe të gjatë duke venë piketa të ndryshme mbi globin e madh, që qëndronte mbi tryezën time të punës. Vështirësia ishte e lidhur edhe me faktin se duhej bërë një përzgjedhje e kujdesshme dhe e balancuar.
Me pas përcaktova një larmi tematikash specifike në bazë të të cilave do të analizoja qytetërimet e veçanta. Të tilla tematika ishin: elementët baze për krijimin dhe mbijetesën e qytetërimeve; tiparet e sistemeve e tyre politike e sociale; themelimi dhe zhvillimi i botëkuptimeve të tyre filozofike dhe fetare; krijimi dhe transmetimi i njohurive teknike dhe shkencore; dhe se fundi krijimtaria e tyre njerëzore nëpërmjet formave të ndryshme letraro-artistike. Trajtimi i këtyre tematikave për qytetërimet e ndryshme me dha mundësinë që të zbuloja dhe nënvizoja tiparet e ngjashme, veçoritë dalluese midis qytetërimeve të ndritura të brezave të ndryshëm të njerëzimit të rajoneve të ndryshme të botës, madje edhe shpesh here të nënvizoja faktin se si ato kanë shkëmbyer elementë të veçanta dhe influencuar njëra tjetrën.
Nga ana tjetër, përdorimin e një aparati ndihmës dhe të larmishëm metodologjik e konsiderova tepër të vlefshëm. Të tilla janë hartat dhe ilustrimet që shoqërojnë vazhdimisht tekstin, si dhe pasqyrat kronologjike të ngjarjeve, lista e fjalëve kyçe, pyetje për diskutim dhe rubrikat përmbledhëse, të gjitha këto të dhëna në fund të çdo kapitulli. Një aparat i pasur metodologjik mendoj se është tepër i nevojshëm në punime të karakterit enciklopedik, mbasi në këtë mënyrë leximi bëhet me çlodhës, interesant dhe përvetësimi i informacioneve bëhet më i këndshëm. Për ketë arsye botimi është pajisur edhe me një Pasqyre Kronologjike të historisë së qytetërimit botëror (gjë që nuk është botuar asnjëherë këtu në Shqipëri) dhe me Fjalorin Enciklopedik të vendosur në fund të librit ku shpjegohen një larmi termash historike kulturore të ndeshura në ketë botim.
Dua të shtoj diçka që për mua ishte shumë e rëndësishme. Gjatë gjithë kohës që kam punuar për ketë botim, me ka ngacmuar ideja që në ketë tablo të kulturës së përbotshme të pozicionoja edhe kulturën shqiptare, për të dhënë idenë se qytetërimi shqiptar ka ndjekur hap pas hapi atë botëror. Ketë ide e bëra pjesë të metodologjisë së librit duke paraqitur në fund të çdo kapitulli shkurt disa linja përmbledhëse të kulturës shqiptare sipas periudhave historike në paraqitura në ketë libër. Me sa di unë, kjo është e para vepër ku arritjet e kulturës shqiptare vihen në të njëjtën tablo me atë botërore.
Se fundi, nëse me lejohet, desha të përgëzoj dhe falënderoj dhe shtëpinë botuese ELVE, drejtoreshën zonjën Vjollca Lubonja me gjithë ekipin e saj për bashkëpunimin e suksesshëm që patëm si dhe për punën tepër serioze që kanë bërë për botimin e kësaj vepre me paraqitje kaq cilësore, dinjitoze dhe modernë”.
A ka qenë e vështirë për ju përpunimi i këtij materiali të gjerë, kur mendon që koncepti i kohës dhe e hapësirës është tejet i madh?
“Natyrisht përpunimi i një materiali kaq të gjere është tepër i vështirë. Ai kërkon pa tjetër të përcaktosh disa kritere mbi të cilat do të ndërtosh strukturën e veprës, e cila është për një vepër tepër e domosdoshme ashtu siç është dhe skeletura për ngritjen e një ndërtese. Kjo ishte dhe arsyeja që me shtyu të përcaktoj dy kritere ose koncepte themelore për strukturën e kësaj vepre: shtrirja në kohe dhe në hapësirë. Harmonizimi i këtyre dy koncepteve në një farë mënyre më ndihmoi të organizoj materialin, të mundem ta manaxhoj dhe të krijoj një tablo të qartë të historisë së qytetërimit botëror. E thënë ndryshe kjo vepër ishte për mua si një pazëll ku secila copëze ka vendin e saj të përcaktuar qartë.
Gjatë gjithë historisë njerëzore, koncepti koha dhe hapësira janë të pandara nga njëra tjetra. Njëra nuk mund të kuptohet pa tjetrën. Por gjithnjë përparësi ka koncepti i kohës. Kështu në fillim përcaktova etapat historike, duke u ndalur në momente kyçe të historisë botërore. Me pas zbërtheva konceptin e hapësirës duke përcaktuar kulturat e zonave të ndryshme të botës brenda të njëjtës periudhë kohore-historike. Me është dashur të përdor globin e madh si dhe harta të panumërta botërore ku kam piketuar qytetërimet përkatëse të epokave përkatëse. Mendoj se këto dy koncepte janë një binom i nevojshëm për të manaxhuar një tablo të organizuar dhe të suksesshme të lindjes dhe zhvillimit të qytetërimeve të spikatura të brezave të ndryshëm të shoqërisë humane”.
Çfarë shkollash ekzistojnë sot në botë përsa i përket studimit të qytetërimeve?
“Studimi i qytetërimit të përbotshëm është pjese e rëndësishme dhe e domosdoshme e shkencave humanitare në gjithë botën perëndimore. Lënda “Histori e Qytetërimit Botëror” përfshihet në listën e kurseve të detyrueshme në të gjitha universitetet dhe kolegjet këtu në SHBA. Kjo lëndë I takon edukimit të përgjithshëm dhe si e tille çdo student që diplomohet nga një shkolle e lartë katër vjeçare me diplomën e Bachelorit ose të kolegjeve të ndryshme që ofrojnë diplomën Associatë Degree, është i detyruar të marrë këtë lëndë, pavarësisht nga fusha e studimit. E thënë ndryshe, asnjë student nuk diplomohet këtu në Amerikë pa studiuar ketë lëndë. Historia e qytetërimit botëror pra, bën pjesë në ciklin edukimor të kujtdo studenti. Madje kohët e fundit ajo është përfshirë, në një volum natyrisht me të reduktuar, në kurrikulumin e shkollave të mesme qoftë me orientim të përgjithshëm qoftë me orientim profesional”.
A mendoni se libri mund ti shërbej publikut edhe si një manual i kulturës së përgjithshme?
“Unë mendoj se botimi në fjale “Histori e Qytetërimit Botëror” jo vetëm duhet të përfshihet në kurrikulumin e universiteteve tona shqiptare, por ai i shërben shumë mirë edhe publikut të gjerë për kulturë të përgjithshme.
Së pari, ky botim, ndryshe nga përkthimet, është shkruar në gjuhë shqipe të pastër , të thjeshtë, të qartë dhe të kuptueshme nga kushdo. Se dyti, e cila mendoj se është me e rëndësishme, ai i përshtatet në mënyrë perfekte e periudhës kohore në të cilën ne jetojmë. Sot bota është bërë shumë e vogël, informatika dhe komunikimi i përbotshëm ka arritur në një pikë të tejskajshme nëpërmjet internetit, skype-it si dhe shkëmbimeve politike, kulturore, profesionale midis rajoneve të ndryshme dhe me të skajshme të botës. Për me tepër, shoqëritë njerëzore të rajoneve të ndryshme të botës janë në procesin e ndryshimit të përmbajtjes se tyre etnike, si rezultat i këtij komunikimi dhe bashkëpunimi të gjithanshëm. Me fjalë të tjera dalëngadalë po ndryshon edhe natyra etnike e shoqërive botërore. Ato po bëhen gjithnjë e me shume diversive (të larmishme). Kjo ngjasi e bën akoma më të domosdoshme njohjen dhe studimin e qytetërimeve dhe kulturave botërore, për të arritur një harmoni dhe bashkëpunim me të mirë, një komunikim me efikas dhe një tolerance kulturore e cila mbetet faktor i fuqishëm për mbarëvajtjen e marrëdhënieve midis kombeve jo vetëm në fushën diplomatike por edhe politike .
Për më tepër, unë mendoj se Shqipëria demokratike ka nevojë për njohje me të thellë të kulturës botërore mbasi ne kemi qenë të izoluar për një kohe të gjatë. Kështu, krahas punës së palodhur që bëjnë studiuesit shqiptare brenda dhe jashtë atdheut për të bërë akoma me të njohur kulturën tonë të pasur, është po aq e rëndësishme dhe bashkëkohore edhe studimi dhe pasurimi i njohurive të publikut të gjerë shqiptar mbi kulturat e tjera të përbotshme. Kultura botërore është një faktor shume i fortë që ndikon edhe në politiken e një shteti. Njohja e saj bëhet e domosdoshme, nëse dëshiron të besh një politike të suksesshme dhe progresive”.