Por hetimi i kryer nga specialistët kundër krimit kompjuterik kanë zbuluar se Kejdi Stambollxhiu ka qenë aktiv në një forum online pakistanez, ku ka pasur bashkëpunim me disa hakersa, duke krijuar edhe një program të veçantë për thyerjen e llogarive bankare dhe transferimin e parave. Të gjitha veprimet që ata kryenin, sipas prokurorisë publikoheshin në një faqe personale në emër të Kejdi Stambollxhiut në internet. MAPO boton kërkesën e prokurorisë për dy djemtë nga Elbasani, të cilët vidhnin përmes internetit banka të njohura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hetimi i prokurorisë
Personi nën hetim, Kejdi Stambollxhiu është pjesë e forumit www.alboraq.com, e cila është një faqe pakistaneze dhe së bashku me një shokun e tij të quajtur Françesk kanë modifikuar një program të quajtur “Zeus”, i cili përdoret për vjedhjen e të dhënave kompjuterike që personi nën hetim e ka nxjerrë në shitje në faqen alboraq.com, ku pagesa kryhej në sajtin www.libertyserve.com.
Të pyetur si persona nën hetim, shtetasit Ilir Lajthia dhe Kejdi Stambollxhiu, në lidhje me faktin e transaksioneve bankare objekt hetimi kanë pranuar përfshirjen e tyre në këtë veprimtari kriminale, duke pretenduar se e gjithë kjo veprimtari është kryer nga një person i njohur prej tyre në forume online, i cili njihej me pseudonimin “Castelo”, nga Kosova. Sipas personave nën hetim, ka qenë pikërisht ky shtetas ai që ka mundësuar ndërhyrjen në llogaritë bankare të shtetasve të huaj duke përdorur programin “Keylogger” dhe se sipas marrëveshjes që kanë patur me këtë person, ai merrte 50% të fitimit, ndërsa personat nën hetim mbanin 50 përqindëshin tjetër. Pagesat për personin e quajtur “Castelo” kalonin nëpërmjet kompanisë “Western Union”.
Gjithashtu, Sektori kundër Krimeve Kompjuterike ka disponuar informacion se shtetasi Kejdi Stambollxhiu ka patur në administrim një faqe elektronike në internet me adresën www.hacker-kejdi.page.tl, e cila aktualisht është e mbyllur. Në këtë faqe, shtetasi Kejdi Stambollxhiu publikonte të dhëna lidhur me veprime të paligjshme që kryhen kundër të dhënave apo sistemeve kompjuterike, duke përdorur programe dhe teknika të ndryshme, numra kartash bankare të vjedhura ka publikuar numrin e tij të telefonit për personat e interesuar që kërkojnë informacion prej tij. Ndër të tjera, shtetasi Kejdi Stambollxhiu rezulton se ka aktivizuar një llogari në adresën www.smsglobal.com, e cila shërben si mundësi për dërgimi e mesazheve telefonike SMS nëpërmjet Internet-it. Nga kompania “Albtelekom sh.a” konfirmohet fakti se shtetasja Mirela Stambollxhiu disponon një linjë Interneti ADSL të kësaj kompanie me numër telefoni 25****, sipas kontratës së datës 22.12.2009. Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se personi nën hetim, Ilir Lajthia merr pagesa nga persona të ndryshëm për të thyer adresa Facebook-u dhe e-maile të shtetasve të ndryshëm dhe duke bashkëpunuar në forume online hakersash, bën të mundur ndërhyrjen në sistemet kompjuterike.
Gjatë kontrollit të banesave të personave nën hetim, Kejdi Stambollxhiu dhe Ilir Lajthia, janë gjetur dhe sekuestruar nga policia gjyqësore një tërësi provash materiale që lidhen me veprën penale si sisteme kompjuterike Laptop, desktop, karta bankare, fatura bankare, të dhëna mbi disa shtetas të ndryshëm dhe llogarite e tyre bankare etj. Këto sisteme kompjuterike do t’u nënshtrohen ekzaminimeve përkatëse.
4
transferta janë bërë nga banka e “New York”-ut drejt Shqipërisë
2985 USD
është shuma e parave të transferuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës
985 USD
nuk janë përfituar nga të arrestuarit, pasi banka nuk ka bërë pagesën
Prokuroria: Hakersat vodhën 3 mijë USD online
Dy hakersat e arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit dyshohet se kanë thyer llogaritë bankare të shtetasve amerikanë dhe paratë e përfituara i kanë transferuar në llogaritë e tyre personale. Sipas hetimit të prokurorisë rezulton se Kejdi Stambollxhiu dhe Ilir Lajthia kanë mundur të kryejnë katër transferta në kohë të ndryshme nga SHBA-ja, për të cilat është njoftuar menjëherë banka shqiptare ku janë transferuar paratë. Banka Amerikane në SHBA ka njoftuar se në datat 16 dhe 17 maj 2012 të këtij viti, nga banka e “New York”-ut janë evidentuar tri raste transaksionesh të dyshimta, të cilat nuk janë miratuar nga titullari i llogarisë bankare. Bëhet fjalë për tri transferta me vlerë 995 dollarë secila, para të marra nga llogaritë e shtetasve amerikanë, Montano P Dragon Jr dhe Myrna C Dragon. Shuma prej 2985 dollarësh është përfituar nga personi nën hetim, Kejdi Stambollxhiu, i cili i ka tërhequr ato në qytetin e Elbasanit. Po ashtu në datën 29 maj 2012, po nga Banka e Amerikës ka ardhur një tjetër sinjalizim për transferimin e shumës prej 985 dollarësh nga llogaria e shtetases amerikane Ala Abdel Jalil, në llogarinë e të dyshuarit Ilir Lajthia. Por këto para nuk janë tërhequr nga personi nën hetim, pasi banka ka bllokuar kryerjen e transaksionit.