Verifikimet në kompaninë ‘Xhoi Lloto’ dhe në telefonin celular të të dyshuarit duket se po e kthejnë hetimin e policisë në pikën zero. Dy janë pikëpyetjet që përbëjnë “thembrën e Akilit” në këtë hetim: në ç’orë Arben Frroku ka qenë në kompaninë ‘Xhoi Lloto’ dhe cila ishte vendndodhja e tij në momentin kur breshëritë e automatikut u shkrehën mbi trupin e Dritan Lamajt? Të kontaktuar nga MAPO, burime të sigurta pranë grupit hetimor pohojnë se kanë tashmë përgjigjet paraprake të këtyre pyetjeve.
Dëshmitë te ‘Xhoi Lloto’
Operatorët e kompanisë ‘Xhoi Lloto’, që ndodhet në ambientet e ish-kombinatit “Misto Mame” kanë kaluar të gjithë “në sitën” e grupit hetimor. Dëshmitë e punonjësve të Arben Frrokut përputhen sa i përket kohës kur i dyshuari ndodhej në këto ambiente. Një burim i tha MAPO-s se mund të konsiderohet tashmë e zbardhur ajo pjesë e alibisë së Arben Frrokut, që lidhet me vajtjen në kompaninë e tij ‘Xhoi Lloto’. Operatorët e marrë në pyetje kanë pohuar për grupin hetimor se Frroku është parë të hyjë në ambientet e ‘Xhoi Llotos’ para orës 17.00 të 24 shkurtit. Ai ka qëndruar për pak minuta në ambientet e kompanisë dhe pasi është takuar me të afërmin Jak Jaku janë larguar së bashku nga ambientet.
“Dëshmitarët pohojnë orën 17.10 minuta, si kohën kur Arben Frroku dhe Jak Jaku janë larguar nga ambientet e Xhoi Lloto-s”,-tha burimi i MAPO-s lidhur me këtë episod. Mësohet se dëshmitë e punonjësve të kompanisë së basteve do të ballafaqohen edhe me prova të tjera, si pamjet filmike të sekuestruara në këtë kompani, vërtetësia e së cilave pritet të certifikohet nga ekspertët e IT-së. Sa i përket pyetjeve mbi vrasjen e Dritan Lamajt, punonjësit e Arben Frrokut nuk kanë dhënë asnjë informacion me rëndësi për hetimin. Në intervistat e tij televizive Arben Frroku ka pohuar se është kthyer në zyrat e kompanisë për pak minuta, pasi ka mbërritur në Tiranë nga Laçi, e më pas është larguar në drejtim të Greqisë.
Ora e atentatit
Një tjetër element i rëndësishëm i këtij hetimi, ku vareshin shpresat e drejtuesve të policisë për të “mbërthyer” Frrokun është kthyer kundër tyre. Verifikimi i vendndodhjes së telefonit të biznesmenit përmes antenave telefonike, më shumë sesa policisë i ka dhënë pikë vetë Frrokut. MAPO mësoi dje përmes hetuesve të çështjes së në orën 18.10 minuta, kur edhe ndodhi vrasja e Dritan Lamajt, aparati telefonik i Arben Frrokut ndodhej në Kërrabë. Ky verifikim është bërë përmes qelizës së aparatit telefonik dhe antenave të zonës, që megjithatë nuk tregon vendndodhjen e vetë të akuzuarit. Hetuesit thonë se vendndodhja e telefonit celular të Frrokut, në zonën e Kërrabës mund të përdoret më shumë nga mbrojtja sesa nga akuza, megjithëse ky fakt nuk vërteton aspak vendndodhjen e biznesmenit në kohën e ekzekutimit të Dritan Lamajt. Të kapur fort pas konfliktit Frroku-Lamaj, hetuesit e çështjes pohojnë, megjithatë, se veç biznesmenit, nuk gjejnë person tjetër që të kishte një motiv të fortë për eliminimin e një oficeri karriere në Policinë e Shtetit. Ndaj edhe përtej sfidës së provave, dyshimi kryesor për këtë vrasje të bujshme mbetet biznesmeni Arben Frroku
17:10
Arben Frroku ka dalë nga ambientet e ‘Xhoi Llotos’, i shoqëruar nga i afërmi i tij Jak Jaku. Kështu kanë pohuar për policinë operatorët e kompanisë, por edhe vetë biznesmeni i arrestuar në Selanik
16:10
Telefoni celular i Arben Frrokut rezulton në Kërrabë, në kohën e ekzekutimit të Dritan Lamajt. Ky fakt ka vështirësuar hetimet për këtë ngjarje, megjithëse nuk vërteton vendin ku ndodhej vetë Frroku
Dëshmitë
Arben Frroku
“Ditën e vrasjes kam udhëtuar nga Laçi drejt kompanisë, e më pas jam nisur në drejtim të Kapshticës. Kam kaluar doganën në orën 20:00. Kam pasur konflikte me Lamajn, por nuk kam gisht në vrasje”
Miku i Lamajt
“E kam telefonuar në momentin e plumbave. Më tha: Më vranë. Më qëlluan pas shpine. Në atë moment lajmërova eprorët dhe u nisa me urgjencë drejt shtëpisë së Tanit, por atë e kishin nisur në spital”
Anila Lamaj
“Tani e linte makinën të parkuar në oborrin e pallatit. Ditën e vrasjes kishte planifikuar të shkonte diku me të motrën. Hyri në garazh, mori disa sende personale dhe u nis drejt makinës, ku edhe e vranë”
E motra e Lamajt
“Kam dëgjuar kërcënime, në një nga herët që ndodhesha në makinën e tij. E morën në telefon dhe Tani u përgjigj: Nëse keni burrni, merruni me mua. Mos e prekni familjen time”
Prova vs.alibi, hetimi ngec tek ekzekutori
Tiranë Ekzekutimi i Dritan Lamajt po i ngjan përditë e më shumë një ekuacioni me shumë të panjohura. Përveç hendekut të madh mes provave dhe alibisë së të dyshuarit kryesor Arben Frroku, grupi hetimor nuk i ka dhënë përgjigje një dyshimi të dytë rreth përfshirjes së vrasësve me pagesë në këtë krim të bujshëm. Vetëm pak kohë pas ekzekutimit, policia shpalli në kërkim Arben Frrokun. Dyshimet e para ishin për një vrasje të kryer direkt prej tij. E ndërsa mbledhja e provave po bëhet përditë e më e vështirë, hetuesit po shikojnë edhe mundësi të tjera për ngjarjen. Në raste të ngjashme, vrasësit me pagesë kanë qenë një pistë e rëndësishme e hetimit. Por vendi i krimit, ku u zbrazën dy breshëri të gjata kallashnikovi, nuk jep shumë argumente bindëse në këtë drejtim. Specialistë të Policisë së Tiranës thonë për MAPO-n se ekzekutimi i Dritan Lamajt nuk klasifikohet ndër vrasjet profesioniste. “Autorët kanë qëlluar kuturu, ndryshe nga mënyra sesi veprojnë vrasësit me pagesë”,-shtoi më tej burimi i MAPO-s. Nga ana tjetër, asnjë nga dëshmitarët nuk ka arritur të njohë personat që kanë qëlluar. Dëshmitarët okularë kanë përshkruar me detaje makinën, e cila është parë të qarkullojë në zonë edhe dy apo tri ditë para atentatit, por jo personat brenda saj. Ata kanë pohuar se autorët ishin dy veta të maskuar, çka e vështirëson edhe më tej hetimin lidhur me këtë vrasje. Një nga provat e siguruara është makina e krimit, në të cilën janë gjetur disa gjurmë, por nga ana tjetër mungon arma e krimit.