Hernia diskale jo operacionit po regjimit te shtratit

Hernia diskale, jo operacionit, po regjimit te shtratit
Jo operacion. Është një gabim që duhet ta shmangni. Nëse kini dhimbje mesi e cila vjen si pasojë e sëmundjes së Hernies Diskale, mirë është të gjeni shpëtim nëpërmjet kurave dhe jo bisturisë. Studimet thonë se ata që janë operuar jo vetëm që nuk kanë shpëtuar nga dhimbjet, por kanë vuajtur më tej pasojat e operacionit. Profesor Doktor Nasi Bozhegu cilëson se ndërhyrja kirurgjikale është mundësia e fundit që mund t’i këshillohet një të sëmuri me Hernie Diskale.

Nëse një mjek ju këshillon bisturinë është mirë të konsultoheni. Bëhuni disi më dyshues, nëse nuk dëshironi të paguani para të cilat mund t’iu shkojnë dëm. “Kam vënë re që kohët e fundit çdo dhimbje mesi dërgohet për skaner si në rastin kur rezulton Hernie Diskale, ashtu edhe edhe në rastet kur ka tendencë për të kaluar në shqetësime të tilla. I sëmuri nga Hernia Diskale kërkon të operohet, pasi e sheh si të vetmen mënyrë që të shpëtojë nga dhimbjet. Marrja e vendimit për t’u operuar ose jo nuk duhet bazuar vetëm në skaner apo rezonancë magnetike, por i duhet nënshtruar një ekzaminimi të hollësishëm të mjekut.” Pas dhimbjes së kokës, dhimbja e mesit është sëmundja më e shpeshtë nga e cila ankohen njerëzit. Simptomat  janë dhimbje mesi të forta. Kjo ndodh kur përpiqemi të ngremë një peshë.

Dhimbja vijon e shtohet qoftë nga kollitja apo një teshtimë sado e vogël. Kemi të bëjmë me atë që në gjuhën mjekësore quhet Hernie Diskale, apo ç’rregullim i diskut të kolonës vertebrale. Mjeku Bozhegu thotë se 10 për qind e operacioneve për Hernie Diskale rezultojnë të jenë të pasuksesshme. Neurologu shikon të arsyeshme trajtimin mjekësor me medikamente dhe regjim shtrati për kurimin e patologjisë. “Mjekët abuzojnë me operacionet që kryejnë tek pacientët. Jo çdo dhimbje mesi është Hernie Diskale. Përveç mjekimit me ilaçe, mjeku ka për detyrë ta këshillojë të sëmurin për të ndjekur regjim shtrati.

Madje, mund të them që 95 për qind e sëmundjes shërohet me regjim shtrati dhe 5 për qind me ilaçe. Theksojmë që i sëmuri që vuan nga Hernia Diskale është më mirë që të durojë dhimbjet duke iu nënshtruar mjekimit, sesa të kryejë ndërhyrje kirurgjikale. Sepse kështu prishet struktura vertebrale dhe dhimbjet vazhdojnë herë pas here.”

Hernia Diskale më së shumti shfaqet në formën e spondiliatrozës, më pas vijnë lumbagot dhe dëmtimet tuberkulare të vertebrave dhe artritet vertebrale. Shkaku i shfaqjes së sëmundjes në shumicën e rasteve është ngritja e peshave të rënda, kapërcimi i pengesave apo një lëvizjeje të menjëhershme e pakontrolluar. Shenja kryesore që shfaqet menjëherë pas kësaj veprimtarie është dhimbja e fortë në mes, një dhimbje e padurueshme që të mbërthen në vend. Edhe lëvizja më e vogël të shkakton dhimbje. “Dhimbja përhapet gjatë këmbës, gjatë projektimit të nervit shiatik. Kur sëmundja përparon, forca e këmbës ulet shumë, anësia hollohet si dhe ulet shumë aftësia e të sëmurit për të punuar. Dhimbjet janë të tipit shpuese, shtrënguese, djegëse dhe shtohen sa herë që i sëmuri ndërron pozicion.

Pas disa ditësh dhimbjet përhapen në njërën këmbë, në të majtën apo të djathtën, sipas pozicionit të Hernies.” Po ashtu i sëmuri e ka të vështirë të gjejë një pozicion të caktuar, aq sa mund të ulërijë për shkak të dhimbjeve. Nganjëherë qëndron me këmbët e mbledhura rreth barkut, i mbështetur në një pozicion majtas ose djathtas, bëhet shumë nervoz dhe nuk dëshiron t’i flasë askujt. Pagjumësia është tepër e theksuar për shkak të dhimbjeve. Madje bën “gjumë lepuri” për shkak të frikës së dhimbjeve. Koha e shërimit të kësaj sëmundjeje varion në bazë të shtypjes që i bëhet rrënjës nervore. “Një i sëmurë mund të rrijë tre, gjashtë muaj apo deri në një vit në regjim shtrati. Fillimi i përmirësimit është i ngadaltë.

E rëndësishme është që pacienti të mos tregohet entuziast, sepse një lëvizje e pamotivuar apo marrja me punë pa këshillën e mjekut mund të çojë në përsëritjen e sëmundjes.” Në dallim nga dhimbjet e tjera të mesit, Hernia Diskale është më e rëndë dhe mund të shkaktojë dhimbje deri aty sa i sëmuri nuk kryen dot nevojat e tij personale. Ky rast sipas Prof. Dr Bozhegut përbën urgjencë kirurgjikale dhe duhet të kryejë menjëherë operacion. Në të gjitha rastet e tjera këshillohet trajtimi me medikamente dhe regjim shtrati absolut.

Nervi shiatik jo gjithmonë shkakton Hernie Diskale

Një pacient i cili gjatë gjithë kohës ka dhimbje të forta mesi, kollitet dhe dhimbjet përhapen gjatë gjithë trajektores së nervit shiatik, nuk është e thënë që domosdoshmërisht të vuajë nga Hernia Diskale. Ka një koncept të gabuar për sëmundjen e Nervit Shiatik. Kur njerëzit thonë se i ka kapur Nervit Shiatik, mendojnë që fajin e ka Hernia Diskale. “Ky koncept është i gabuar, pasi dhimbja e Nervit Shiatik vjen edhe nëse kemi të bëjmë me foramina të ngushtuara të vertebrave. Po ashtu dhimbjen e nervit shiatik mund ta japë edhe tumori i kolonës vertebrale ose sëmundje të tjera që prekin shtyllën kurrizore. Sëmundjet e mësipërme janë vetëm disa nga shkaqet që mund të japin nervin shiatik.”

Hernia diskale, të paoperuarit më entuziastë

Mjeku Bozhegu ka kryer një studim mbi bazën e rasteve të paraqitura për pesë vite rresht në Spitalin Ushtarak dhe Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Të sëmurët janë ndjekur sipas një plani të caktuar për një periudhë gjashtë mujore deri në 1-vjeçare. Janë marrë në studim 2323 persona që vuanin nga Hernia Diskale, nga të cilët 98 prej tyre u operuan. Ka rezultuar se të sëmurët që janë operuar tre apo gjashtë muajtë e parë kanë qenë entuziastë në krahasim me ata që nuk ishin operuar. Ndërsa, këta të fundit janë ndier entuziastë pas dy apo tre vitesh, pasi kanë shikuar ecurinë e sëmundjes. “Më vonë ndodhi që të operuarit ankoheshin herë pas here për dhimbje mesi apo mpirje të këmbës, sidomos kur kryenin ndonjë punë fizike. Ata që nuk kishin bërë operacion e kishin kaluar dhimbjen me sukses përmes trajtimeve.”

Shoferët, profesioni më i prekur nga sëmundja

Sëmundja e Hernies Diskale nuk futet në grupin e sëmundjeve profesionale. Gjithsesi, ka një grup profesionesh të caktuara që janë më të rrezikuara për t’u prekur nga kjo sëmundje. Profesionet më të prekura janë shoferët, minatorët, druvarët, ata që merren me punë bujqësore, si dhe nëpunësit. Po ashtu edhe personat që vuajnë nga dhjamosja kanë prirje të vuajnë nga Hernia Diskale. Neurologu Bozhegu këshillon evitimin e ecjeve të gjata, qëndrimit për një kohë të gjatë në këmbë si dhe ngritjen e peshave të rënda. Po ashtu noti është shumë i rëndësishëm për kurimin e Hernies Diskale.

Meshkujt më të rrezikuar se femrat

Hernia Diskale prek në përgjithësi njerëzit e punës. Grupmosha më e rrezikuësht është ajo  nga 30-50 vjeç, kryesisht meshkuj të cilët janë në kulmin e punës. Hernia Diskale shfaqet më së shumti në pjesën e kolonës vertebrale dhe më pak në pjesën e kraharorit. Hernia Diskale më shqetësuese është ajo e qafës e cila manifestohet me dhimbje të forta në kockën e qafës, mpirje të shpatullave, krahëve, duarve dhe të këmbëve. Në rastet kur konstatohet dhimbje prapa koke të qafës, nuk duhet neglizhuar por duhet vizituar tek mjeku. Në rastin e zhvillimit të dhimbjeve kronike, një rol të madh luan edhe gjendja sociale dhe profesionale. “Stresi dhe pakënaqësia në vendin e punës, por edhe qëndrimet e pafavorshme trupore gjatë orarit të punës si dhe duhanpirja të cilat shpien në ndryshime të theksuara në një zonë lumbale të shtyllës kurrizore.”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama