Helmi i gjarprit qe kthehet ne ilac

Helmi i gjarprit qe kthehet ne ilac
Kafshimi nga një gjarpër me zile, mundet, që brenda pak minutash, të shkaktojë paralizë dhe gjakderdhje masive të brendshme. Nëse nuk trajtohet shpejt, të vret. Por ky helm mund të fshehë gjithashtu sekretin për trajtimin e presionit të lartë të gjakut, sëmundjeve të zemrës apo atakut.

Më 1998-n, dy ilaçe për parandalimin e atakut të zemrës, u krijuan përmes studimit të helmit të gjarprit me zile. Që nga ajo kohë, disa helme të tjera kanë rezultuar pozitive për trajtimin e disa llojeve të kancerit apo sëmundjeve mendore si Alzheimeri apo Parkinsoni, por përfitimi i lejes për tregtimin e këtyre medikamenteve ka rezultuar deri më sot disi i vështirë.

Një pjesë e arsyes për këtë është se rezulton shumë e vështirë shmangia e toksinave, në mënyrë që të përfitohet vetëm efekti pozitiv i helmit, duke shmangur efektet negative në sistemin e qarkullimit të gjakut apo në sistemin nervor.

Por së fundmi, një grup shkencëtarësh në Britaninë e Madhe kanë arritur të zbulojnë elementet e mekanizmit evolucionar që mund t’i bëjë modifikimet e helmit të gjarpërinjve shumë më të lehta. Shkencëtarët studiuan gjarpërinjtë dhe zhapikët për të zbuluar se çfarë kanë të ngjashme këto dy specie. Ata kanë shumë dallime, ku një prej tyre është se shumë zhapikë helmues i kanë dhëmbët në nofullën e poshtme, ndërsa gjarpërinjtë, në atë të sipërme. Por një gjë e përbashkët është që ato kanë të njëjtat gjene që prodhojnë helm, gjë që sugjeron se kanë një paraardhës reptil helmues të përbashkët.

Rrjedhimisht, shkencëtarët ia dolën të krijojnë të dhënat gjenetike për lloje të ndryshme gjarpërinjsh dhe zhapikësh. Kjo punë solli zbulimin e gjeneve që prodhojnë enzima me funksione bazë fiziologjike, të cilat qëndronin krah më krah me gjenet që prodhonin helm. Zbulimi i këtyre gjeneve pritet që në të ardhmen e afërt, t’i lejojë shkencëtarët të ndajnë siç duhet helmin e gjarpërinjve nga ilaçi i marrë prej këtij helmi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama