Harvard Shkaterruan virusin ne gjenin e derrit mes tyre nje 23-vjecar shqiptar

Harvard: Shkaterruan virusin ne gjenin e derrit, mes tyre nje 23-vjecar shqiptar

Kur pasioni dhe përkushtimi bëhen bashkë, suksesi është thuajse i garantuar. I tillë është shembulli i 23-vjeçarit shqiptar, i diplomuar në maj të këtij viti, me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Massachusetts Boston, në profilin: Biologji dhe Minor në Psikologji. I vlerësuar me nderimet më të mëdha, sot Emal Lesha punon në laboratorin e George Church, një nga pionierët dhe profesorët më të famshëm të gjenetikës në botë. Shkencëtari shqiptar, me formim dhe cilësi të jashtëzakonshme në fushën e mjekësisë, ka arritur që prej fillimit të studimeve të tij deri më tani të realizojë 6 publikime shkencore, përveç projekteve të tjera me të cilat po merret aktualisht grupi i punës ku ai bën pjesë, që pritet të publikohen në vazhdim.

Por, diferencën e bëri sidomos publikimi i fundit në revistën “Science”, një ndër tre më të rëndësishmet në botën e shkencës. Botimi i rezultatit të arritur nga shkencëtarët që punojnë në laboratorin e Harvard-it, me profesor Church, ku bën pjesë edhe i riu nga Shqipëria, konsiderohet me impakt të madh në botën e shkencës, pasi për herë të parë arriti të shkatërrojë një virus (PERV) që ndodhej i fjetur në gjenomin e derrit, i cili në dekada ka ngjallur frikë se nëse organet e njeriut do të prodhoheshin nga kjo kafshë, duke ditur ngjashmëritë që janë gjetur me organet e tij, mund të shkaktonte epidemi botërore të përmasave të ngjashme me ato të HIV/AIDS. “Xenotransplantation ka të bëjë me përdorimin e organeve të kafshëve për trupin e njeriut. Është një fushë që është munduar të përhapet në dekada, por ka pasur një problem madhor, kafsha kryesore nga e cila mendohet që është e mundur të prodhohen organe për përdorim në trupin e njeriut është derri.

Organet e derrit kanë ngjashmërinë më të madhe me organet e njeriut (përveç majmunit). Por, vite më parë u gjet një virus i fjetur në gjenomin e derrit, pikërisht PERV. Frika ishte që ekzistonte mundësia që, nëse këto organe mund të prodhoheshin, dhe mund të përdoreshin për njeriun, një mekanizëm i virusit mund të lejonte që virusi të kapërcente nga qelizat e derrit tek ato të njeriut. Te qelizat e njeriut virusi mund të aktivizohej, duke shkaktuar epidemi botërore (mendohej me përmasa njëlloj si HIV)”, shpjegon për gazetën “Shqip”, shkencëtari shqiptar. Për këtë arsye, sipas tij, shumica e projekteve dhe fondeve që i drejtoheshin Xenotransplantation u ndërprenë. I riu Lesha tregon se Novartis shpenzoi 1 miliard dollarë për të gjetur një mënyrë si të shkatërronin gjenin e këtij virusi në qelizat e derrit, por nuk ia arritën, ndërsa grupi i tyre për herë të parë në historinë e kësaj fushe arriti ta bëjë këtë gjë. “Me anë të studimit tonë, ne treguam që mund të marrim qelizat e derrit, të fshijmë çdo pozicion ku ndodhet virusi në ADN (62 pozicione), dhe të nxirrnim një qelizë që nuk ka virus. Kjo qelizë më vonë mund të përdoret për të klonuar derra, dhe më tutje për të përdorur organe pa pasur frikë nga transmetimi i virusit. Për këtë arsye, publikimi ynë ishte i rëndësishëm jo vetëm për aspektin shkencor, por edhe atë financiar. Me këtë publikim, fushës së Xenotransplantimit i hapet një mundësi e madhe. Mungesa e organeve është një nga ato probleme mjekësore që edhe sot nuk po gjendet zgjidhje. Sasia e fondeve që përdoren për kërkime në këtë fushë është e madhe, dhe nëse tregohet që Xenotransplantimi është një mundësi për të prodhuar organe, atëherë sasia e fondeve për kërkime do të transferohet në këtë fushë kërkimore”, sqaron Emali, djaloshi shqiptar me një dëshirë dhe vullnet të jashtëzakonshëm që na bën të gjithëve krenarë për arritjet në moshë të re, në një fushë të një rëndësie të madhe për shkencën e gjenetikës në botë. Ishte pikërisht kjo arsyeja që për rezultatet e arritura në studimin e grupit të punës të drejtuar nga profesioni Church, në laboratorin e Harvard-it, u shkruan gjerë e gjatë artikuj në “The Economist”, “New York Times”, “BBC”, dhe shumë të tjera.

23-vjeçari ka kryer shkollën e mesme të përgjithshme te “Petro Nini Luarasi” në vitin 2010, ndërsa fitoi të drejtën për të ndjekur studimet e larta në degën e mjekësisë, shkollë që e ndoqi për vetëm një semestër, për shkak se emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ju desh të niste gjithçka nga e para në Massachusetts. “Gjatë kohës si student punova për më shumë se dy vjet për profesorin Ali Khademhosseini në Harvard-MIT për Shëndetësi, Shkencë dhe Teknologji, në fushën Inxhinieri biomjekësore. Në të njëjtën kohë punova edhe në Brigham and Ëomen’s Hospital (top 10 në SHBA), në departamentin e gjenetikës, në fushën e mjekësisë së personalizuar. Gjithashtu jam përshirë në disa projekte në fushën e Radiologjisë. Në vitin e fundit të studimit fillova të punoja në laboratorin e George Church, ku punoj ende, ndërkohë që paralelisht kam aplikuar për Mjekësi”, shprehet Emali, i cili rrëfen se dëshira për mjekësi ka qenë e tija që kur ishte i vogël, por duke u rritur vendosi ta ndiqte këtë ëndërr, duke iu dedikuar gjithmonë e më tepër leximit.

I pari shkencëtar shqiptar që punon në laboratorin e Harvard-it pavarësisht arritjeve spektakolare në fushën e gjenetikës dhe mjekësisë, thotë se i mungon shumë Shqipëria, shoqëria, familja se janë bërë 4 vjet pa u kthyer në atdhe për shkak të angazhimeve profesionale dhe studimeve, por pohon me zë të lartë se Shqipëria është gjithnjë në mendjen dhe zemrën e tij.

E ndërsa kujton me nostalgji vendin e tij të origjinës nuk harron t’u japë një mesash bashkëmoshatarëve të tij: “Punoni sa më fort dhe përdorni çdo mundësi që ju ofrohet për të zhvilluar edukimin dhe karrierën tuaj. Mundësinë që m’u dha për të ardhur në SHBA e përdora deri në maksimum, studiova dhe punova fort, ndonjëherë duke bërë edhe 3 punë njëherësh, ndërkohë që studioja dhe merresha me aktivitete shkencore”.

Dhe, në fakt, Emal Lesha ia doli! Për vete dhe për ne, shqiptarët që sot krenohemi me arritjet dhe emrin e tij që zë sot faqet e para të revistave dhe gazetave më prestigjioze në botë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama