Hartohet drafti per ligjin e pensioneve te artisteve

Hartohet drafti per ligjin e pensioneve te artisteve

Dje, në Ministrinë e Kulturës u mblodh grupi i punës për “Ligjin e pensioneve të artistëve”. Mbledhja nisi me prezantimin e anëtarëve të grupit të punës dhe prezantimin e domosdoshmërisë së ndryshimeve ligjore për moshën e pensionit të artistëve të kategorisë së parë, si objektiv i Ministrisë së Kulturës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si dhe me mbështetjen e Qeverisë shqiptare. Mbledhja u bazua në një draft- të përgatitur referuar Ligjit të Minatorëve, përshtatur me specifikat e artistëve, sipas pozicioneve të përcaktuara në VKM-në e vitit 1958, konkretisht: artistë të baletit; akrobatë dhe artistë të cirkut; solistë të operas, teatrove muzikale dhe të ansambleve; muzikantë të veglave të frymës të orkestrave dhe të bandave; artistët e valleve të asambleve dhe koristët e operas, të teatrove muzikore dhe të ansambleve.

Lidhur me qëllimin dhe objektin e këtij ligji, u propozua dhe u mbështet nga të gjithë anëtarët e grupit të punës që ky ligj duhet të jetë gjithëpërfshirës për punonjësit artistë, që kanë punuar në:

institucionet e artit dhe kulturës në varësi të Ministrisë së Kulturës, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, institucioneve të tjera publike, që kanë objekt veprimtarinë në fushën e artit dhe të kulturës, njësive të qeverisjes vendore, në institucionet private të artit dhe kulturës, mediat publike dhe private, agjenci private të licencuara me objekt aktivitetin artistik dhe kulturor.

Ky propozim kërkon ndryshim të VKM për kategorizimin e pozicioneve të punës, për faktin se në VKM-në aktuale përfshihen vetëm artistë që punojnë në institucione shtetërore.

Ndryshimet në VKM e sipërpërmendur vijnë edhe si pasojë e përfshirjes së artisteve të Ministrisë së Mbrojtjes në këto pozicione, si dhe të hiqet termi gjimnastë të cirkut, pasi nuk ekziston si kategori dhe të zëvendësohet me artistë të cirkut.

Ministria e Kulturës po harton një ligj gjithëpërfshirës, jo vetëm për artistët e institucioneve shtetërore, por edhe ata privatë. Duke marrë parasysh vështirësinë sipas pozicionit, grupi i punës propozon që të kenë të drejtë të përfitojnë pension pleqërie artistët e baletit; Akrobatë dhe artistë të cirkut; Artistët e valleve të asambleve kur arrijnë moshën 45 vjeç për femrat dhe 50 vjeç për meshkujt. Solistë të operas, teatrove muzikale, të ansambleve, si dhe Muzikantë të veglave të frymës të orkestrave dhe të bandave kur arrijnë moshën 50 vjeç për femrat dhe 55 për meshkujt.

Me ligjin aktual mosha e daljes në pension është e unifikuar për të gjithë artistët e këtyre pozicioneve konkretisht 56 vjeç femrat dhe 61 meshkujt.

Siç vihet re, është propozuar ulje e moshës së pensionit në gati 11 vjet për femrat dhe 11 vjet për meshkujt e pikës a, si dhe 6 vjet për femrat dhe 6 për meshkujt sipas pikës b. 2.2/ Periudha e sigurimit u propozua të jetë jo më pak se 23 vjet në profesion, nga 35 vjet e 4 muaj që është aktualisht për meshkujt dhe 35 vjet për femrat. Kjo periudhë u përllogarit duke marrë parasysh moshën e re të reduktimit të daljes në pension 45-50, me vitet e mbarimit të studimeve rreth 18 vjeç. Për të llogaritur efektin financiar që do të shoqërojë këtë draft-ligj do t’u dërgohet një shkresë për të nxjerrë të dhëna të gjitha institucioneve në bashki, media etj., të cilët kanë në objekt aktivitetin artistik dhe kulturor.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama