Hapet sezoni turistik ne Vlore

Hapet sezoni turistik ne Vlore

Qyteti i Vlorës ka hapur zyrtarisht sezonin turistik për 2015-ën, ku ka qenë Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në këtë qytet që ka bërë çeljen e sezonit.

Në faqen zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Ministria e Kulturës, ka njoftuar për hapjen e sezonit turistik në Parqet Arkeologjike Amantia, Finiq, Orik. Gjithashtu është bërë çelja e disa objekteve të tjera të vizitueshme si Kalaja Kaninës, Kalaja e Porto Palermos, Manastiri i 40 Shenjtorëve, Sinagoga, Kalaja e Himarës, Manastiri i Mesopotamit, të cilat janë të hapura për turistët gjatë gjithë sezonit turistik në oraret e martë-e diel, ora 09:00 – 14:00 dhe 17:00 – 20:00.

Turistët nga vendi dhe jo vetëm tani do të kenë mundësinë që të vizitojnë nga afër ambientet dhe historinë që ofron ky qytet. Pas ndërhyrjeve restauruese, apo mirëmbajtës dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme nga ana e specialistëve të DRKK-së, monumentet e trashëgimisë kulturore vlonjate janë tashmë krenarë dhe gati të mirëpresim turistët.

Manastiri “Burim Jetëdhënës” ose “Stavridhit”, që sipas legjendës uji dhe ikona, shërbyen si fillesat e këtij manastiri, i cili mendohet se i ka fillesat rreth 700 vjet më parë, janë një ndër destinacionet që  sugjerojnë specialistët e DRKK-së në Vlorë.

Një tjetër destinacion i veçantë për t’u vizituar është edhe Foinike, kryeqendra e Kaonëve dhe kryeqyteti i koinonit Epirot (midis 230-168 p.Kr.).

Pa lënë pas edhe teatrin, i cili është një ndër veprat më të realizuara me karakter ndërtimor publik e social në periudhën romake. Po ashtu, monument tjetër i rëndësishëm gjatë kësaj periudhe është dhe bazilika paleokristiane me tre nefe dhe një atrium në pjesën e përparme (shek. V-VI m.Kr).

Manastiri i 40 Shenjtorëve është një vend tjetër i bukur për tu vizituar nga turistët, i cili ndodhet në lindje të qytetit të Sarandës, i cili i përket periudhës së antikitetit të vonë të shek. VI. Ky manastir është ndërtuar dhe rindërtuar gjatë qindra vjetëve. Në katin mbitokësor përbëhet nga salla e madhe, kisha me shtatë apsida dhe dy nartekse, tre dyer të mëdha dhe dy rreshta dritaresh ishin ndërtuar në fasadë. Në katin e nëndheshëm ose kriptoriku ruhen galeritë (qelat), galeritë me qemer, qemerët e dyfishtë, afreske të periudhës Bizantine, cisterna uji dhe varre.

13 km në perëndim të qytetit të Vlorës është Kisha e Shën Mërisë Zvërnec, e cila ndodhet në ishullin e manastirit me të njëjtin emër. Kisha është ndërtuar në shek. XII dhe mbart vlera të kulturës bizantine. Është e tipit kryq të brendashkruar dhe përbëhet nga naosi, narteksi dhe dhoma e pagëzimit. Në veri kisha ka hajatin e hapur, të formuar nga sistem arkadash të mbështetur mbi kolona guri cilindrik. Midis naosit dhe altarit ndodhet ikona mbajtësi i punuar në dru. Teknika e thellë e daltimit, zbukurimet zoomorfe e floreale e datojnë ikona mbajtësin në shek. XVII. Brenda në kishë ruhen ende fragmente të pikturave murale që i përkasin shek .XVII-XVIII. Çdo 15 gusht, “Ditën e Fjetjes së Shën Mërisë”, këtu organizohet pelegrinazh.

Ndërsa, kalaja Ilire e Kaninës i ka fillimet në shek. VI p.e.s, është rindërtuar nga Justiniani në shek. V., si dhe është meremetuar në vitin 1531 nga Sulltan Sulejmani. Kalaja ka një sipërfaqe rreth 3.6 ha dhe një lartësi rreth 380 m mbi nivelin e detit. Në sistemin e mureve fortifikues vërehen disa faza ndërtimi. Brenda kështjellës ka gjurmë të banesave, si dhe elementë të tjerë ndërtimor si puse, sterra, rrugë të shtruara me gur, etj. Ruhen në gjendje të mirë Porta Mbretërore, ajo e beut e kulla mesjetare e sahatit.

Vranishti i Vlorës, fshati me histori ku dallon Kalaja e Horës, fshati i monumenteve të kulturës dhe atyre të natyrës, i urave mesjetare dhe ujësjellësit të famshëm të ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës, fshati i Kapedan Sali Vranishtit, fshati i valles burrërore të trima ve, i poetit popullor Muhamet Tartari “Mjeshtër i Madh” dhe i këngëtarit virtuoz Arap Çeloleskaj.

Ura mbi lumin Theollogo, Cerkovë Sarandë, shërben për kalimin e përroit të Leshnicës në fshatin Cerkovicë. Ura ka një gjatësi prej 37 m, me një hark në formë segmenti rrethor me hapësirë 13 m e lartësi 5.6 m mbi nivelin e ujit. Qemeri përshkohet sipër nga kornizë guri. Kalldrëmi me gjerësi 2.60 m vjen i shkallëzuar në të dy anët. Harku i madh në formë gjysmë rrethi ka rreze 4 m dhe harku i vogël ka një rreze prej 3.50 m. Është ndërtuar në shek. XVIII.

Më 16.02.1979 ka marrë statusin e Trashëgimisë Kulturore, Monument Kulture Kategoria e I

Një tjetër fshat i dëgjuar dhe i shkruar që në lashtësi është fshati i Armenit në Vlorë. Pamja e tij me këndvështrim të gjerë drejt perëndimit, jugut e veriut me disa kodra nga lindja, i jep atij një pamje me perceptim estetik natyror, të gërshetuar me lagjet e sistemuara me banesa të ndërtuara në sup të njëra- tjetrës, të cilat krijojnë pamjen e një qyteti. Mbi këto lagje me vlera arkitekturore qëndron qyteza e lashtë e Armenit. Në majën e kodrës që quhet “Maja e Qytezës” ka me shumicë fragmente qeramike, shpesh janë gjetur dhe monedha me mbishkrimin AMANTION, APOLLONIAT, BYLION.


Ato pak fragmente muri janë të punuara me gurë kuadratik të lidhur në të thatë. Qeramika e gjetur në këtë zonë i takon shek. IV p.e.s dhe të periudhave të më vonshme. Kisha e Shën Kollit datohet në Shek. IX, është një kishë e tipit sallë me kupolë. Në plan është drejtkëndësh me një absidë të vogël në anën lindore. Hyhet në një portë perëndimore që duhet të ketë qenë me arkitra guri të rrafshët. Bën pjesë në grupin e kishave njënefëshe.

Muret Rrethuese të Aulonës Antike, Kalaja e Himarës, Kalaja e Borshit, Parku Arkeologjik i Orikut,“Rrënojat e Tragjasit të Vjetër”, Kisha e Shën Spiridhonit, Vuno”, Kalaja e Kaninës etj etj, janë vetëm disa nga destinacionet e shumta që ofron Vlora.

Me gjithë këto monumente që ofron qyteti i bukur i Vlorës, Kalaja e Ali Pashës në Porto Palermo, vazhdon të mbetet një atraksion i veçantë turistik për turistët e huaj dhe shqiptarë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama