Bastri Mata - Babai i Qamiles, Bastri Mata, u shpreh se nëse vajza e tij është e përfshirë në zhdukjen e Bleonës do e vrasë vetë me shtatë plumba
Policia do të verifikojë telefonin e të arrestuarit, nëse ka kontaktuar me Qamile Matën
Halla e Bleona Matës është rikthyer nën hetim nga policia e Kukësit, pasi dyshohet se ajo ka bashkëpunuar me të arrestuarin Begzim Isa për rrëmbimin e 6-vjeçares. Qamile Mata është shoqëruar dje në ambientet e policisë së Kukësit, menjëherë pas arrestimit të kushëririt të saj, ku është pyetur për 22 majin e vitit 2010, por ajo nuk ka pranuar të bashkëpunojë me policinë, duke deklaruar se nuk e mbante mend nëse e kishte parë Begzimin atë ditë në Zapod.
Sipas policisë, shoqërimi i Qamile Matës është bërë për shkak se janë ngritur dyshime se ajo mund të ketë gisht në zhdukjen e Bleona Matës, duke bashkëpunuar me 20-vjeçarin Isa, i cili që në atë kohë studionte në Kosovë. Për gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme vajza nga Zapodi është marrë në pyetje nga oficerët e policisë së Kukësit, të cilët i kanë kërkuar shpjegime asaj, nëse kishte parë Begzim Isën në fshat ditën e zhdukjes së Bleona Matës. Në dëshminë e dhënë në polici, Qamile Mata nuk ka pranuar të tregojë nëse e kishte parë kushëririn e saj në fshat, duke thënë se nuk ishte në gjendje të kujtonte rreth asaj që i kishte ndodhur tre vite më parë.
Pavarësisht kësaj, oficerët e policisë kanë këmbëngulur, duke i ripërsëritur disa herë pyetjet, por mësohet se Qamile Mata nuk ka treguar detaje që mund t’i çonin ekspertët në lidhjen me prova të zhdukjes së Bleona Matës me 20-vjeçarin Begzim Isa. Një gjë të tillë nuk e ka pranuar dhe vetë i arrestuari, i cili është shprehur gjatë dëshmisë së tij se nuk ka asnjë lidhje me rastin e Bleona Matës, pasi sipas tij, ai ka qenë në Kosovë dhe jo në fshatin Zapod. Megjithatë, gjetja e fëmijës së rrëmbyer në shtëpinë e tij, të cilin e kishte lidhur këmbë e duar me litar, ngre shumë dyshime për përfshirjen e tij edhe në raste të tjera rrëmbimesh. Aktualisht, policia po verifikon edhe telefonatat e Begzim Isës për të zbuluar nëse ai ka komunikuar me Qamile Matën, qoftë gjatë ditëve të fundit që është kthyer nga Kosova, qoftë edhe në kohën, kur është zhdukur Bleona Mata, por tabulatet do duan kohë që të zbardhen nga kompanitë celulare. Bleona Mata u zhduk në mënyrë misterioze, në malin e fshatit, teksa shoqërohej nga 5 kushërirat e saj.
Kërkimet për të u shtrinë në të gjithë vendin, por edhe jashtë tij, por deri tani nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e saj. Vajzat pohuan se vogëlushja iu drejtua shtëpisë dhe ato nuk dinin më gjë për fatin e saj. Për gati një muaj me radhë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kryer marrjen në pyetje të pesë vajzave, duke i ballafaquar me njëra-tjetrën, por sërish ato nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë atë se çfarë ndodhi me fatin e Bleona Matës. Herë pas herë, vajzat kanë dhënë dëshmi kontradiktore, duke bërë që policia dhe prokuroria të ngrenë dyshimet mbi to, por për shkak të mungesës së provave, pesë vajzat, përfshirë këtu edhe hallën e saj, kanë shpëtuar nga përgjegjësia penale.