Guri Magjik shfaqja per femije qe synon te formoje shijen e tyre estetike

TIRANË, 21 Tetor /ATSH / -"Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që jam pjesë e festimit të një jubileu të madh, të 65- vjetorit të krijimit të Teatrit të Kukullave në Tiranë", u shpreh Dagor Dragojevic, autori dhe regjisori i "Guri Magjik", shfaqjes që do të vihet në skenën e Teatrit të Kukullave si premierë në 23 tetor ora 19:00, dhe 24 dhe 25 tetor 10 : 30 dhe 11 : 30, për të gjithë miqtë e vegjël të teatrit.

"Besoj se ky bashkëpunim kulturor, si dhe pjesëmarrja e Teatrit të Kukullave nga Tirana në Festivalin Ndërkombëtar në Podgoricë, është vetëm një pjesë e vogël e asaj që mund dhe duhet të bëjmë në zhvillimin e raporteve të miqësisë dhe fqinjësisë midis Malit të Zi dhe Shqipërisë", vijoi Dragojevic.

"Shfaqjet për fëmijë nuk kanë qëllim vetëm argëtimin por shumë më e rëndësishme është që me to të rriten, të piqen me kulturë, dhe të formojnë shijen e tyre estetike", shtoi regjisori dhe autori Dagor Dragojevic.

"Në saj të shfaqjeve me kukulla, fëmijët hyjnë në botën e lojës dhe fantazisë të Teatrit, mësojnë vizionin e artit për të mirën dhe të keqen, për dashurinë dhe urrejtjen, mësojnë mësime nga jeta", theksoi Dragojevic gjatë fjalës së tij.

Sakaq, tema kryesore në shfaqjen " Guri Magjik" është miqësia, një nga vlerat më të mëdha njerëzore. "Duhet të kesh mik, dhe duhet të dish ta ruash atë".

Personazhet kryesorë të kësaj përralle kalojnë nëpër tundime të ndryshme. Falë vetisë që ka "Guri Magjik", mund të krijojë gjithçka që dëshirojnë, pasuri, shtëpi të re, kështjellë. Por çfarë mund të humbin?!! Midis të tjerash në shfaqje, qëndron edhe tema, tashmë me vlerë shumë të rëndësishme njerëzore.

"Falja"- Çdokush që di të dojë me shpirt, di edhe të falë me shpirt! "Nëse e gjejmë lumturinë në gjërat e vogla që na fal jeta, do të jemi gjithnjë të lumtur dhe do të dimë të çmojmë edhe gjërat e mëdha. Së fundmi, si mesazh do të përcillja fjalët e këngës së fundit të shfaqjes. Miqësia e vërtetë, është më e madhja pasuri, ruani miqtë që keni, kjo nuk është aq e lehtë, është pasuri e madhe, më e madhja në këtë jetë", shtoi Dragojevic. /k.m//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama