Gure trashegimie i Sejmen Gjokolit nje kontribut me vlere ne fushen e gazetarise

Perurimi librit 1.VLORË, 15 Tetor/ATSH-Harilla Koçi/.- Në qytetin e Vlorës u promovua libri "Gurë trashëgimie" (publicistikë, portrete, gjendje), i autorit Sejmen Gjokoli, njohës i thellë i kulturës kombëtare dhe traditave shpirtërore, gazetar e publicist.

Në këtë aktivitet të organizuar nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, Klubi i Shkrimtarëve "Petro Marko" dhe Shoqata "Labëria", ishin të pranishëm krijues e gazetarë, dashamirës së artit e të kulturës popullore, artistë, intelektualë, qytetarë të shumtë.

Kryetari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa, që moderoi edhe aktivitetin, evidentoi vlerat shumëdimensionale të këtij botimi, duke e cilësuar atë një kontribut me vlera të spikatura, rrjedhojë e aktivitetit të autorit në fushat e trashëgimisë shpirtërore dhe të gazetarisë në përgjithësi.

Pjesë e çeljes së këtij aktiviteti të organizuar ndryshe, ishte një material filmik, përgatitur në video nga Arben Beqiri dhe folës, aktori Artan Islami. Ndërkohë, folës të ndryshëm, mes të cilëve, Harilla Koçi, gazetar, Myrteza Mara, shkrimtar dhe kryetar i Klubit të Shkrimtarëve "Petro Marko, Ahmet Dema, kryetar i Shoqatës "Labëria" (Vlorë), publicisti Petrit Brokaj, gazetari e poeti, Arben Bllaci, u ndalën tek vlerat e këtij libri, konceptuar me përmbledhje shkrimesh e analizash, pjesa më e madhe të botuara në shtypin e përditshëm.

Nga ana e saj, kryetarja e Këshillit Bashkiak të Vlorës, Vojsava Shkurtaj u ndal tek kontributi i Gjokolit si specialist dhe qytetar, duke u shprehur se me profilin e vet, ai është shndërruar edhe në një shembull të qytetarisë.

Libri "Gurë trashëgimie", vjen si një risi e botimeve tona për mënyrën e konceptimit dhe për mesazhet që mbart dhe përcjell. Ai vlerësohet si një kontribut me vlerë i Sejmen Gjokolit në fushën e publicistikës dhe të gazetarisë në përgjithësi.

Prom lib 13m Sandri.Përmes faqeve të këtij botimi ne e spikasim atë herë si gazetar e herë si qytetar, por me një element të përbashkët, atë të njohësit të thellë të kulturës e trashëgimisë popullore, të specialistit që kontribuon në këtë drejtim për dekada të tëra.

Me këtë cilësi autori e ndërton këtë libër si një korrelacion dhe transgresion vlerash që bashkojnë vite e vite të ndihmesës së tij në realitetin shqiptar, në atë pjesë të rëndësishme dhe të prekshme, siç është trashëgimia shpirtërore, kultura e popullit tonë.

Në këtë këndvështrim, kontributi i tij, nuk limitohet në kufij gjeografikë e njerëzorë. Me mendimin e vet, ai shtrihet në një hapësirë të gjerë, atje ku shpesh është i pranishëm edhe fizikisht.

Përmes gjinive të ndryshme të gazetarisë, ai ndërton një raport efektiv mes vetes dhe mjedisit, mes asaj që sheh e përjeton, me atë që duhet të jetë sot e në të ardhmen.

Në brendinë e këtij libri, Gjokoli shfaqet sa i thjeshtë, por po aq edhe këmbëngulës, si një gazetar, si një qytetar që nuk mund të pajtohet me dukuri që cënojnë e frenojnë, por ai kërkon dhe ngulmon që të kapërcehen ato.

Gazetaria e tij përcjell mesazhetë fuqishme, duke e ngritur në piedestal trashëgiminë tonë të pasur shpirtërore, e cila është thesari ynë më i vyer, ai thesar me të cilin duhet dhe krenohemi përballë botës dhe të cilin, sikundër thotë autori, duhet ta kemi si një element identifikues, si një moment referues, pse jo edhe si një "Koncert Vjene" në çdo fillim viti.

Prandaj dhe ai nuk pajtohet me ata, ose me ato zëra, që përballë një fakti madhor siç është "Iso Polifonia", si një pasuri e njerëzimit, kapen pas formës, pas emërtimit, apo pas "izmave". Për të, në kushte të tilla, nuk është parësore etimologjia e ketij emërtimi, "këngë vençe", "polifonia", apo "Iso Polifonia".

Në fund të fundit, për të arritur në atë vendim madhor të UNESCO-s, të 25 nëntorit të vitit 2005, u përgatit dhe u shfrytëzua një dokumentacion voluminoz, u prezantuan elementë identifikues dhe dallues, krahasuar me vende të tjera ku ndeshen elementë të ngjashëm. Kjo është e rëndësishme, pra fakti se, në gjerdanin e vlerave të kulturës botërore, shkëlqen edhe margaritari ynë, "Iso Polifonia" shqiptare. Prandaj dhe në këtë këndvështrim duhet të na shqetësojë një tjetër element, mungesa e një momenti promovues për 25 Nëntorin, për këtë pasuri, mungesa e një aktiviteti të dimensioneve jo thjesht kombëtare.

Mjafton ky shembull për të perceptuar dimensionin e gazetarisë së Gjokolit, në staturën e krijimtarisë së të cilit përmblidhen së bashku, ajo e qytetarit, e gazetarit, e specialistit, në një harmoni optimale me njëra-tjetrën.

Gjokoli di të selektojë, di të kapë e të veçojë ngjarje e njerëz, në funksion të idesë së tij. Sepse për të, nuk mund të jesh një gazetar i mirë, nuk mund të jesh një specialist dhe njohës i thellë i kulturës popullore, nëse nuk e dashuron këtë dimension të historisë së popullit tonë, nëse nuk njeh njerëzit kontribues në këtë fushë, nëse nuk je një patriot i mirë në kuptimin e plotë të këtij termi.

Prandaj dhe gazetaria e Sejmenit kërkon e kërkon. Kërkon njerëzit e thjeshtë, artistët që gjenden e krijojnë në të gjithë hapësirën shqiptare, por jo vetëm. Ai e realizon këtë përmes portretit, ku dallon për thjeshtësinë dhe njëkohësisht dashurinë me të cilën e përshkruan personazhin e vet gazetaresk. Shfrytëzon dhe përdor elementë që ai dallon tek njeriu që ka përballë, duke na e dhënë atë ashtu siç edhe është.

"Historia e lindjes dhe zhvillimit të një kombi, rruga e bërë prej tij në shekuj, nuk mund të konceptohet pa vlerat që mbart trashëgimia kulturore, si ajo shpirtërore edhe materiale", shkruan Gjokoli në një nga shkrimet e veta më të mira të titulluar, "Trashëgimia kulturore dhe përmasa e munguar", që mund të cilësohet një nga shkrimet e tij analizë më të arrira dhe ku ai nuk qëndron vetëm në rolin e konstatuesit, pavarësisht gjuhës së pasur, por edhe të gazetarit, të specialistit që jep zgjidhje.

Libri, "Gurë trashëgimie" me redaktorë, Avdulla Kënaçi e Arben Bllaci, korrektor letrar, Kozma Billa, i shtohet radhës së botimeve cilësore nga autorë vlonjatë./m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama