Grupi shqiptar niset drejt Eurovizionit

Grupi shqiptar niset drejt Eurovizionit

Këngëtari Frederik Ndoci, bashkëshortja e tij Aida, autorët e këngës, zërat shoqërues dhe violina janë nisur dje për në Helsink. Ata do të përgatiten të përfaqësojnë Shqipërinë në natën gjysmëfinale të Eurovizionit në 10 maj. "Balada e gurit", kënga fituese e Festivalit të RTSH-së do të prezantohet për publikun e gjerë në versionin anglisht "Hear my plea".

Gjatë ditëve që do të qëndrojnë në Helsinki, grupi shqiptar do të vazhdojë provat dhe detajet e fundit që i duhen skenës së atjeshme, në përpjekje për të fituar sa më shumë vota që do t'u sigurojnë kualifikimin për në natën finale. Ndoci, i shoqëruar nga zërat e djemve Erti Hizmo, Olti Marku, Denis Skurra si dhe violinistes Joana Kaimi do të konkurrojë mes përfaqësuesve të 28 shteteve të tjera për të hyrë në 10-tshen kualifikuese të natës së madhe të 12 majit. Ashtu si edhe vitet e mëparshme, kënga shqiptare është nisur pa asnjë promovim paraprak drejt Eurovizionit. Grupi shqiptar është nisur me optimizmin e një konkurrimi, pavarësisht se janë të varur edhe nga një votim politik që ndjekin shtete në këtë festival të madh. Regjia skenike e prezantimit është realizuar nga Blendi Laço, ndërsa për veshjet që deri diku do të reflektojnë motive shqiptare është marrë stilistja Rezarta Skifteri.

Marre nga : Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama