Gruaja me e bukur shtatzene

Gruaja me e bukur shtatzene
Kohët e fundit dëgjojmë të organizohen shumë konkurse. Ka nga ato që nxjerrin bebin më të bukur, ka nga ato që nxjerrim maturantet më të bukura, por për konkursin “Babi dhe Bebi” nuk besoj se keni dëgjuar. Enida Xhumari,  një nga organizatoret e Qendrës së vetme në Tiranë,  që zhvillon kurse përgatitore për çiftet që së shpejti do të bëhen prindër të rinj,  rrëfen për “Shekullin”, eksperiencën e saj me konkursin e “Babi dhe Bebi” dhe iniciativën e saj të re, një konkurs fotografie për gruan më të bukur shtatzënë.

Enida, si lindi ideja e këtyre konkurseve, së fundmi të një konkursi të tillë?

Në Qendrën tonë, kemi fatin të takojmë çifte që do të sjellin në jetë një jetë të re. Tek ta shikojmë shumë dashuri, frikë, përgjegjësi, dhe një të ardhme më të mirë. Bashkëbisedimet ma ta çdo ditë, emocionet që përcjellin çdo muaj, ndikon dhe në vetë jetën tonë duke e përmirësuar atë. Ato kërkojnë më shumë nga vetja, duke u kujdesuar për veten dhe bebin, duke bërë kështu një tjetër investim të vlefshëm për të ardhmen. Në qendër të kësaj kuptohet është gruaja, e cila bashkë me lumturinë, mbart në vetvete dhe frikën, frikë për të panjohurën. Tashmë të afta t’ia dalin jetës në mënyrë të pavarur dhe të jenë partnere në lidhje, femrat kujdesen për gjithçka në detaje, dhe momenti i shtatzënisë dhe pritjes së bebit u kërkon atyre të jenë të mirinformuara. Janë pra gratë shtatzëna, të cilat frekuentojnë kursin, të cilat me bukurinë e tyre, dashurinë që përcjellin dhe ëndrrat që kanë na çuan në idenë e këtij konkursi. Ky konkurs, nëpërmjet këtyre fotove,  tenton të nxisë debatin mbi perceptimin e shtatzënisë, procesit të lindjes, hallkës së mundësisë së përdorimit të medikamenteve qetësuese nga nënat gjatë lindjes dhe nevojës për informacion.

Këto foto nxisin debatin e perceptimit që shoqëria ka rreth shtatzënisë dhe lindjes. Këto foto përcjellin mesazhe të forta:“Gratë shtatzëna: Janë të bukura? Janë krenare? Janë të lumtura?". I ftojmë të gjitha gratë që janë në pritje të fëmijës, të dërgojnë foton e tyre gjatë shtatzënisë duke e bërë pjesë të foto-profilit tonë “Kursiilindjes” në Facebook përgjatë një dite.

Edhe sa kohë ka mbetur për të dërguar fotografitë? Dhe çfarë dhurate do të përfitojë shtatzëna më e bukur?

Ne kemi vendosur një afat kohor prej 15 ditësh, që do të thotë, që Konkursi “Gruaja më e bukur shtatzënë” u lançua më 1 Qershor – Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve dhe afati do të jetë deri me 15 Qershor. Çdo ditë, Kursi Përgatitor i Lindjes do të përfaqësohet në profilin e vet, jo më me femra të bukura shtatzëna të ofruara nga interneti por me gratë e bukura shtatzëne shqiptare. Besoj se kjo do të vazhdojë dhe përtej kësaj date, jo vetëm për t’i dhënë mundësi të gjithave që do të dërgojnë foto, të kenë foton e tyre në profilin tone, por, edhe për shkak se dëshirojmë të jenë vetë ato që ta përfaqësojnë këtë identitet të nevojës për kulturë shëndetësore duke u bërë promotorë të asaj që kjo periudhë të ofron. Portreti i mamasë së ardhshme që fshihet pas fotos së “Gruas më të Bukur Shtatzënë”, do t’i ofrojë çiftit, Paketën Dhuratë Partner Yoga dhe Praktikën me Maminë, ku përfshihet praktika për larjen e bebeve mulazh, dhe informacionin praktik mbi dokumentet, çantën e mamit dhe bebit në maternitet.

Ka pasur shumë fotografi?

Deri më sot që po bashkëbisedojmë, na kanë ardhur mbi 100 foto J. Besojmë dhe shpresojmë që foto të tjera të na vijnë. Ne mendojmë, që çdo grua shtatzënë është e bukur dhe i mirëpresim.

Ju keni organizuar edhe një konkurs tjetër me foto. Ishte konkursi i “Babit dhe Bebit”. Si shkoi?

Të them të drejtën shumë më mirë seç e prisnim, pasi menduam skeptizicmin e meshkujve shqiptarë, në fakt tani mund të them mund edhe ta kemi “paragjykuar” disi, pasi jo vetëm nga numri i madh i fotove të dërguara, të cilat i gjeni të publikuara në faqen tonë të Facebook-ut, por dhe nga çfarë ato foto përcillnin, dashuri, përkushtim, përgjegjësi. Dhe pikërisht fotoja fituese nuk qe një foto artistike, ose më saktë e realizuar në studio por ishte rastësore dhe e përzgjedhur nga fotografi i njohur Bevis Fusha, pikërisht për momentin e shprehjes së dashurisë, marrëdhënies, lidhjes midis babit dhe fëmijës. Këto janë çaste dhe momente që zbukurojnë dhe jetën tonë dhe që ai fëmijë të rritet me besim tek vetvetja. Konkursi i mëparshëm, “Babi dhe Bebi”, kishte si qëllim të ekspozonte foton që shprehte më së miri marrëdhënien baba– fëmijë dhe jo thjesht një foto të bukur profesionale. Ky konkurs tentonte të nxiste një tjetër debat, atë të përfshirjes së partnerit në kujdesin ndaj bebit që ditët e para pas lindjes. Aktualisht, bashkëshorti është pak i mënjanuar nga kjo, jo për neglizhencë të tij, por për preferencën e vetë grave, të cilat ndonjëherë mendojnë se duhet të kenë kontrollin mbi gjithçka dhe se vetë e bëjnë çdo gjë më mirë. Konkursi, kishte pikërisht këtë synim, të nxirrte në pah rolin e pazëvendësueshëm të bashkëshortit, babait.

Si është të punosh për një “jetë” të re dhe projektet e së ardhmes

Procesi i lindjes është një e panjohur e madhe për të dy prindërit e rinj. Informacioni i marrë nga interneti shpesh është i pasaktë, shqetësues dhe kërkon një selektim të kujdesshëm, herë të vjen në ndihmë e herë të ngatërron. Ritmi i jetës në kushtet e ditëve të sotme ka bërë që gjithçka të evoluojë vrullshëm dhe informacioni të jepet në sasi marramendëse. Intensiteti i punës, kualifikimi profesional, karriera dhe arritja e pavarësisë ekonomike ka sjellë rritjen e moshës së nënave të reja. Të bëhesh nënë është një udhëtim personal për shumë gra. Të jesh prind është sfidë për burrin. Kjo është koha e rritjes dhe transformimit. Shtatzënia më tepër konceptohet si proces lindjeje se sa një celebrim i një mëmësie të re, ku akoma ekziston ndrojtja e ushqyerjes me gji në publik duke ndikuar në zgjedhjet e shumë grave. Në qendrën që unë punoj, gjeni informacione dhe këshilla për prindërit e rinj, si ta përjetojnë shtatzëninë, duke reflektuar në atë çka ata besojnë. Nëpërmjet punës sime unë shpresoj që njerëzit të mendojnë dhe të flasin rreth këtyre temave kaq të ndjeshme dhe të rëndësishme. Shtatzënia është ushqimi për një jetë të re dhe dashuri. Shtatzënia dhe fëmijëria janë periudhat personale më të rëndësishme të jetës dhe duhet të përjetohen si eksperienca shumë pozitive.

Tani po punoj me një fushatë më të ndjeshme, mbi ndërgjegjësimin e komunitetit, familjarëve, vetë çiftit mbi depresionin postpartum (postlindjes) i quajtur ndryshe “Baby Blues”.  Këtë mendojmë ta quajmë “Ejani të bëhemi 1 milion mama”. Rëndësia për t’u informuar. Siç kanë thënë dhe dy psikiatër të famshëm Hamilton e Herberger, fusha e psikiatrisë është ndër të paktat fusha, ku parandalimi është i dukshëm. Po nxisim, gjithashtu, nënat e reja të marrin pjesë në një tjetër konkursi, në konkursin  “10 Nënat më të mira të vitit”. Konkursi, si iniciativë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe UNICEF, ka si qëllim nxitjen e nënave të reja dhe atyre me fëmijë të vegjël drejt informimit për mënyrat e reja dhe më të mira të ushqyerjes së fëmijëve. Këto mënyra do të nxisin e përmirësojnë jo vetëm informacionin e nënave mbi këto praktika të rekomanduara kudo në botë nga specialistët e mirërritjes dhe të ushqyerit të fëmijëve por ne shpresojmë që nënat të mund të përmirësojnë praktikat e qëndrimet e tyre rreth ushqyerjes së fëmijëve. Përmirësimi i praktikave e qëndrimeve duhet të jetë në të gjithë spektrin e vet, duke filluar nga ushqyerja me gji, përbërësit e ushqimeve dhe kombinimet në dietën ushqimore të fëmijës, shpeshtësinë e ushqyerjes, trashësinë e ushqimeve të gatuara, gatimin e sigurt, mënyrën e të të ushqyerit, etj.

Goditja që çdo femër dëshiron

Përgjatë 9 muajve, gruaja shtatzënë përjeton emocione të ndryshme, të cilat shkaktojnë ulje dhe ngritje humori sikur të jenë në garë me njëri-tjetrin, si rrjedhojë e ndryshimeve hormonale.  Megjithatë, ato harrohen pas një minute, sapo ndjen që të jep një shkelm të vogël, apo fillojmë të blejmë rrobat e para, prandaj shfrytëzojeni kêtë kohë dhe në një aspekt tjetër.

Fakte:

Mosvendosja e rripit të sigurimit, gjatë shtatzënisë


Të dhënat që flasin për mosvendosjen e rripit të sigurimit gjatë udhëtimit më makinë janë tronditëse, ndaj sa herë që dëshironi të dilni me miqtë tuaj apo të kaloni një ditë të këndshme me bashkëshortin, bëni mirë të vendosni rripin e sigurimit.
• Rreth 6 – 7 % e grave shtatzëna janë pjesë e aksidenteve rrugore.
• Ndër aksidentet rrugore të cilat kanë rezultuar në dëmtime serioze të fetusit, 62% e grave shtatzëna të përfshira kanë qenë pa rrip sigurimit të vendosur.
• Vendosja e saktë e rripit të sigurimit nga gratë shtatzëna do të parandalonte rreth 84% të dëmtimeve të rëndësishme fetusit, përfshirë edhe vdekjen, gjatë aksidenteve rrugore.
• Ka më shumë vdekje të fetuseve si pasojë e përplasjeve të makinave sesa vdekje të fëmijëve si pasojë e aksidenteve me biçikletë, apo sesa vdekje të fëmijëve si pasojë e aksidenteve rrugore në vitin e parë të jetës.

Këshilla:

Mos harro të dalësh me shoqërinë!


Shfrytëzoje këtë kohë për të takuar këdo që dëshiron të takosh. Edhe nëse je në javët e fundit të shtatzënisë dhe e ndjen veten të rënduar. Lëvizja dhe komunikimi janë aktivitete shumë të bukura në këtë periudhë. Dhe nëse bashkëshorti ju ofron të dilni akoma më mirë. Putheni dhe përqafojeni fort të shtrenjtin tuaj. Kur je shtatzënë gjithçka shijon sa për dy.

Mos e lër veten pas dore, ndiq modën!

Jemi të qartë që është stres fakti se pas çdo muaji duhet të veshim një masë më të madhe. Por mos u mërzit, është e përkohshme. Kryesorja është që gjithçka të jetë e bukur... dhe e rehatshme. Shmang veshjet me një ngjyrë dhe përdor sa më shumë ngjyra të ngrohta. Mund të veshësh çdo gjë me vija dhe lule. Ato do t’i zhdukin kilet e tepërta. Atëherë do të jeni më e bukur se kurrë!

Kompjuteri dhe Bashkimi Evropian!

Je shtatzënë dhe punon me orë të gjata para kompjuterit? Jo më. Pavarësisht cilësisë së kompjuterit rrezatimet që lëshon ai janë të dëmshme për ty dhe bebin. Kodi i punës në Bashkimin Europian i lejon gratë shtatzëna të punojnë maksimalisht 4 orë para kompjuterit.Edhe pse kodi ynë i punës është ende larg normave të Bashkimit Europian, përpiqu t’i zbatosh praktikisht ato.

Gjumë dhe muzikë


Është fundjavë dhe mund ti lejosh vetes të flesh pak më gjatë. Kini parasysh, të gjeni pozicionin tuaj të përshtatshëm, të mundoheni të flini në krahun e majtë, kështu ndihmon në shtimin më të shpeshtë të qarkullimit të gjakut. E shtuna është gjithmonë e ëmbël, s’ka rëndësi me shi apo me diell. Dëgjo muzikë, atë që të pëlqen. Mund të jetë “Gangam Style”, por edhe “Vivo per lei”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama