Gropat thithese te nje skandali

Gropat thithese te nje skandali
Përshkallëzimi i përplasjeve publike, që së fundmi kanë filluar të marrin edhe konture ligjore mes dy partive kryesore të vendit, ka nxjerrë në pah një tablo të trazuar të marrëdhënieve klienteliste mes familjarëve të zyrtarëve të lartë publikë dhe përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë përmes kontratave me institucionet publike. Bëhet fjalë për kontrata prej miliona dollarësh, të cilat ekspozojnë përplasje të qarta me legjislacionin në fuqi.

Në qendër të historisë së përballjes mes dy kampeve rivale të politikës shqiptare nisi me akuzat e ngritura nga deputetet socialiste mbi konflikt interesi në drejtim të deputeteve të PD-së, ministres Majlinda Bregu dhe Albana Vokshit. Këto akuza për njëfarë kohe u përshkallëzuan në një “shkëmbim zjarri” ndërmjet dy partive rivale, por brenda të njëjtit kamp gjinor, për t’u pasuruar më pas edhe nga zëra të tjerë të gjinisë mashkullore nga të dy krahët.

Deputetja Vokshi akuzohet se kur ka qenë anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë shtetërore Albpetrol, në kushtet e konfliktit të pastër të interesit, i ka kaluar kompanisë Stream Oil, kompani 100% në pronësi të shtetasit Arjan Tartari, bashkëjetuesit të saj, 4 nga 6 vendburimet kryesore të naftës dhe gazit. Dosja është dërguar në Prokurori, duke e akuzuar atë për korrupsion. Ndërsa ministrja Bregu është akuzuar se bashkëshorti i saj, Namik Beqir Ajazi kishte në pronësi 30% të aksioneve të kompanisë MIA intenational, e cila deklarohet se ka marrë në shfrytëzim disa HEC-e.

Pse HEC-et?

Ndërsa nafta është një burim i sigurt përfitimi, historia e HEC-ve është disi më e ngatërruar. Vetëm për vitin 2009 janë lidhur rreth 90 kontrata koncensionare ndërmjet investitorëve privatë dhe qeverisë shqiptare për ndërtimin e 231 HEC-eve, me fuqi deri në 150 Megavat. Megjithatë, duhet theksuar se pjesa dërrmuese e tyre kanë kapacitet tepër të vogël, ndërsa HEC-et operative janë jo më shumë se 5 syresh. Në këtë pikë është e qartë se ka një mbingopje licencash e HEC-esh teorikë; pra që parashikohet të ndërtohen një ditë dhe rentabiliteti i këtyre projekteve është në pikëpyetje të madhe. Atëherë çfarë do ta justifikonte korrupsionin shtetëror, nëse në fund të fundit, bëhet fjalë për mundësi shumë të diskutueshmë përfitimi?

Disponimi i një licence hidrocentrali nuk nënkupton detyrimisht ndërtimin e menjëhershëm të tij. Mund të kalojnë vite para se punimet të fillojnë, madje me arsyet e duhura të “jashtëzakonshme”, mund të justifikohet edhe shtyrja e tyre për vite të tjera. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme se për çfarë licence e në ç’vend bëhet fjalë. Sikurse ka rrëke që me vështirësi do të furnizonin dy-tre shtëpi, ekzistojnë edhe përrenj e lumenj të vegjël që ofrojnë mundësi shumë më të mira përfitimi. Nga ana tjetër, një licencë me njohjet e duhura dhe ekseprtizën e nevojshme ligjore, mund t’u rishitet firmave të interesuara, nëse përfituesi fillestar i licencës nuk i ka paratë e nevojshme për të ndërtuar një hidrocentral.

Një mundësi tjetër përfitimi është ajo e certifikatave të gjelbra. Këto janë një lloj letrash me vlerë që lëshohen nga autoritetet përkatëse në vende të ndryshme. Firmat që prodhojnë energji nga burime të certifikuara si natyrale dhe jo ndotëse, pajisen me këto certifikata, të cila ato mund t’i shesin me një vlerë të përafërt me vetë energjinë që prodhohet. Ato shiten në bursë duke u vlerësuar rreth 90 euro për megavat energji të prodhuar. Këto certifikata i blejnë kompanië që emetojnë më shumë CO2 nga sa lejojnë rregulloret. Si rregull, vendet e zhvilluara – rasti i Italisë – blejnë certifikata të gjelbra nga vendet e pazhvilluara ose në zhvillim e sipër, si Shqipëria. Ligji shqiptar ua lejon shitjen e certifikatave të gjelbra firmave private që pordhojnë energji të pastër, përmes një ndryshimi ligjor që u bë enkas për HEC-in e Kalivaçit, një investim italian ky. Nga e njëjta skemë përfitojnë edhe HEC-et e tjera.

“Deklarata e pafajësisë”

Ndërsa akuzat mediatike mes palëve në konflikt, janë përqendruar në vërtetimin e aseteve dhe posteve të familjarëve apo bashkëjetuesve të titullarëve të PD-së, ekziston edhe një plan tjetër, i cili nuk është qëmtuar me hollësi: aspekti juridik. Sipas përcaktimit ligjor, “konflikt i interesit është gjendja e konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave private të një zyrtari, në të cilën ai ka interesa private, të drejpërdrejta ose të tërthorta që ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në kryerjen në mënyrë të padrejtë të detyrave dhe përgjegjësive të tij publike”. Në këtë kuptim, janë një sërë postesh publike, të cilat janë subjekt i këtij ligji, duke filluar nga Presidenti i Republikës e deri te sekretarët e përgjithshëm të institucioneve qendrore, drejtorët e përgjithshëm, si dhe çdo zyrtar tjetër, në çdo institucion publik, që është të paktën i barazvlefshëm për nga pozicioni me drejtorët e përgjithshëm.

Të tillëve iu ndalohet në mënyrë absolute të përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga lidhja e kontratave nga një palë me një institucion publik. Në fakt, citimet e mësipërme janë pjesë e deklaratës mbi konfliktin e interesave që çdo subjekt biznesi, i cili është përfitues nga çfarëdolloj procedure të prokurimit publik, duhet të nënshkruajë. Kjo deklaratë e nënshkruar nga përfaqësuesi juridik i një firme, është pjesë e dosjes së dokumenteve që duhet paraqitur në mënyrë të detyrueshme pranë institucioneve përkatëse. Por, ky dokument nuk bën pjesë në dosjen e dokumenteve që duhen nënshkruar në rastin e koncesioneve, megjithëse përfshirja e tij në dosjen e përcaktuar me ligj është e detyrueshme, duke qenë se sipas ligjit për prokurimin publik, ankandi, prokurimi dhe koncesioni konsiderohen njëlloj pasuri publike. Ka gjasa që në rastin e koncesioneve, ky dokument i lënë jashtë qëllimisht, për të shfajësuar personat e duhur sipas rasteve specifike, duke qenë se gjithmonë mund të nxirret në shesh alibia: “kjo deklaratë nuk na u kërkua asnjëherë”.

Të afërmit në fokus

Ligji për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike, në nenin 5 të tij, sqaron interesat private të zyrtarit, të cilat nuk duhet të qasen me interesat publike. Në këtë pikë bëjnë pjesë të drejta dhe detyrime pasurore të çfarëdolloj natyre; çdo marrëdhënie tjetër juridiko-civile; dhurata, premtime, favore, trajtime preferenciale; e të tjera. Pikë me interes është “angazhime në veprimtari private me qëllim fitimi ose çdo lloj veprimtarie që krijon të ardhura, si dhe angazhime në organizata fitimprurëse dhe jofitimprurëse, sindikata ose organizata profesionale, politike, shtetërore dhe çdo organizatë tjetër” dhe mbi të gjitha, marrëdhëniet familjare apo të bashkëjetesës.

Kjo do të thotë se nëse provohet që vërtet bashkëshorti i ministres Bregu dhe bashkëjetuesi i deputetes Vokshi kanë përfituar nga sipërmarrje me pasuri publike, atëherë të dy personat në fjalë preken nga ligji “për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Si rrjedhojë, nëse provohet se të afërmit e Bregut dhe të Vokshit – sidomos në rastin e kësaj të fundit, duke qenë se është depozituar sakaq një dosje në Prokurori – janë përfshirë në afera të tilla, atëherë institucionit të akuzës i lind e drejta që t’i kërkojë parlamentit heqjen e imunitetit, në mënyrë që të nisë ndjekja penale. Por, Kuvendi i Shqipërisë e merr në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë dhe, vetëm nëse gjykon të arsyeshme, e përmbush atë.

Një institucion tjetër që mund të hyjë në veprim është edhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), i cili ka, gjithashtu, të drejtën të verifikojë faktet dhe të dërgojë dosjet përkatëse në Prokurori. Ndonëse ligji në këtë pikë është tejet i qartë, kjo mbetet një lojë me shumë aktorë dhe nevojitet një verifikim i kujdesshëm i fakteve të depozituara, si dhe një funksionim demokratik dhe jo klientelist i institucioneve përkatëse nga Prokuroria e Përgjithshme deri te Kuvendi i Shqipërisë.

Anulohen kontratat?

Një rrezik real që iu kanoset firmave përfituese nga kontrata me karakter publik është shfuqizimi i marrëveshjeve përkatëse, nëse provohet – në rastin konkret – se drejtuesi i një kompanie ka marrëdhënie të afërta, siç përcaktohet në ligj me një titullar të lartë publik. Një manual i botuar nga ILDKP, i cili ka për qëllim lehtësimin e zbatimit të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesave, trajton në mënyrë të veçantë pavlefshmërinë e akteve në prokurimin publik. Sipas këtij materiali sqarues (kapitulli 5), veprimet e kryera nga institucionet publike, që me ligj kanë për detyrë dhe kompetencë të ndjekin e të monitorojnë procedurat e prokurimit publik, koncesioneve, ankandeve apo të jenë pjesë e kontratave publike, janë veprime administrative.

Manuali thotë se natyra e veprimeve administrative që miratohen përgjatë proceseve të prokurimit publik është e shumëllojshme. “I çfarëdolloj natyre qoftë veprimi administrativ, për të cilin flitet në këtë manual e që ka lidhje me procesin e prokurimit publik, sipas ligjit PKI, kreu V, nëse është marrë në kushtet e konfliktit të interesit, është ose bëhet i pavlefshëm pikërisht për këtë shkak”, sqarohet në këtë dokument zyrtar. Në terma të thjeshtuar, firmat në fjalë rrezikojnë seriozisht të humbasin kontratat e koncesionet e tyre, në rast se provohet se ato i kanë përfituar vërtet ato.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama