Gretel sekreti qe i besoi Frojdit

Gretel, sekreti që i besoi Frojdit

Gretel mbeti thjesht një anonime nga Vjena. Ndërsa në libraritë e gjithë botës, ditari që ajo ia dërgoi me postë Frojdit vazhdon të jetë një nga librat më të kërkuar, por pakkush e di të vërtetën e vajzës që ngjizi këtë libër. Shumë psikologë apo njerëz që merren me filozofinë mendojnë se ajo ishte një paciente e Frojdit, të tjerë aludojnë se vetëm Frojdi e di imazhin e vajzës që ka bërë këtë rrëfim kaq të ndjeshëm. Kaq vite më vonë, kur ndoshta dhe Gretel nuk është më, imazhi i saj vazhdon të përfytyrohet nga mijëra njerëz që u bie në dorë "ditari..." i saj.

Por, a ka ekzistuar vërtet Gretel, vajza që dinte t‘i hidhte aq qartë në letër ditët e saj, apo ajo ishte thjesht fryt i fantazisë së një shkrimtari? Kësaj pyetje është e vështirë t‘i japësh një përgjigje kaq kohë më pas. Por, ajo çfarë këmbëngulin psikologët që e kanë këtë ditar si një laborator ku mund të shohin mendimet më të holla të një moshe delikate në jetën e një femre, është fakti se Gretel ekziston dhe është ende gjallë te secila vajzë në moshën e saj. Nuk ka shumë rëndësi në cilën lagje të Vjenës jetoi dhe cilat ishin marrëdhëniet e saj me psikologun e famshëm, ajo që vazhdon të jetë interesante për ne, është mënyra sesi ajo na ka rrëfyer jetën e saj. "12 korrik 19...

Ela dhe unë po mbajmë ditar. E bëmë me fjalë të mbanim një ditar, që kur të fillonim gjimnazin, të shkruanim aty ndonjë gjë çdo ditë. Edhe Dora ka ditar, por ajo xhindoset kur unë e kap duke shkruar ndonjë rresht në të. Helenës i thërras shkurt Ela dhe ajo më quan Rita. Helena dhe Greta janë emra tmerrësisht vulgarë. Dora e quan veten e saj Tea, por unë vazhdoj ta thërras Dora. Ajo thotë se vajzat e vogla (që sipas saj qenkëshim unë dhe Ela) nuk duhet të mbajnë ditar. Thotë se ne mund të shkruajmë vetëm një thes me broçkulla. Ashtu vërtet, por kurrsesi një mal më të madh se ai që shkruan ajo dhe Liza".

Kjo është dita e parë në ditarin e saj, i cili më vonë do të mbushej çdo mbrëmje në tarracën e shtëpisë nën dritën e yjeve. Vajza nuk do ta harronte ta fuste në bagazhe, edhe atëherë kur familja shpërngulej për pushime në mal. Fëmija e një familjeje borgjeze të mesme, ajo u bindej rregullave dhe ashtu si çdo fëmijë i moshës së saj kërkonte t‘u jepte përgjigje mistereve të jetës nëpërmjet përfytyrimeve. Shumë e vogël ajo do të përballet me humbjen e së ëmës, nga një sëmundje e rëndë, duke sjellë në këtë ditar mënyrën si mund të perceptohet vdekja nga një vajzë-fëmijë. Gjithçka e thënë me gjuhën e saj, një gjuhë e pambushur me detaje dhe fjalë librash, gjë që e bën më të bukur rrëfimin. Interesante janë dhe flirtet e para të dashurisë dhe si konceptohej kjo nga vajza që u besonte rregullave të prindërve. Gretel nuk ishte aspak një vajzë e shpenguar, por një fëmijë që besonte se duhej t‘u bindej këshillave të të atit. Një personazh ky që merr një tjetër formë në libër. Ata që janë kujdesur për botimin e këtij ditari nuk kanë zbutur asgjë, s‘kanë shtuar e hequr asgjë, duke ndryshuar vetëm elementet thelbësore për të fshehur identitetin e autores dhe të personazheve të tjerë të lidhur me këtë rrëfim. "Si rrjedhojë ka pasur vetëm ndërrime emrash, mbiemrash, emra pagëzimesh, si dhe ndryshime vendesh", sqarojnë autorët e botimit të këtij libri. Libri është përkthyer në shqip nga Arlinda Kondi dhe botuar nga "Ideart".

Ditari i Gretel do të kishte mbetur thjesht një ditar si mijëra të tillë që mund të ruhen në arkivat e kujtimeve të secilit prej nesh, nëse nuk do të kishte rënë në duart e Frojdit. "Ky ditar është një perlë. Besoj se asnjëherë më parë nuk është shkruar diçka e tillë, një gjë që të lejon të depërtosh kaq qartësisht në atë që ndodh gjatë viteve të pubertetit në shpirtin e një vajze që i përket klasës sonë shoqërore dhe sferës sonë kulturore", shkruan ai në parathënien e posaçme për këtë botim. Burri që ia kushtoi jetën analizimit të fijeve më të holla të inkoshiencës sonë, e quan këtë rrëfim si një vepër me vlerë për të gjithë ata që do të merren me studimin e teorive të tija.

Kjo, pasi studimi i teorive të lëna pas nga Frojdi ka të bëjë me gjërat e fshehta që ndodhen thellë brenda nesh.

Këto rrëfime të Gretel nga mosha 11 deri në 12 vjeçe sigurisht që kanë pasur një impakt më vonë gjatë jetës së saj. Për gati një vit jete, ne depërtojmë në takimet dhe mendimet e një vajze ende në moshën e pubertetit, duke u mahnitur nga mënyra sesi ajo e percepton botën dhe dashuria që ka për të vërtetën.

Askush nuk e di më se ç‘u bë me Gretel. Ashtu si pacientët që mbeten përgjithmonë anonimë kur hynë në studion e një psikologu, ajo mbeti e tillë për ne.

Në fund të rrëfimeve në këtë ditar, ne shohim se si kur pasi kishte marrë pak veten nga humbja e së ëmës, ajo përgatitet të shkojë në një ekskursion në fushat e mëdha të dëborës bashkë me miken e saj të ngushtë. Ditari mbaron këtu, por Frojdi nuk mund t‘i linte lexuesit e këtij ditari pa u thënë qoftë edhe një fjali për fundin e Gretel.

"Më 29 janar, babanë e Gretelit e sollën në shtëpi me ambulancë, sepse e kishte goditur një paralizë dhe vdiq brenda pak orësh, pa u përmendur më. E shkëputur nga atmosfera e ngrohtë e shtëpisë së saj, e ndarë nga mikja e saj më e dashur, jetimes së vogël iu desh të luftonte për të gjetur pak prehje në vetminë e një qyteti provincë..."

Kjo është e gjitha çfarë dimë për fundin e vajzës me emrin Gretel, mbetjen e saj në një provincë, nga ku i duhej ta niste e vetme jetën...

Por nuk është kjo rrjedha që mund të ketë marrë jeta e saj interesante për ne, pasi në fund të fundit rrjedha e çdo jete është e tillë. Për Frojdin dhe dhjetëra studiues që kanë analizuar këtë ditar, është mënyra sesi ajo ka treguar çdo mendim të sajin, ajo çfarë e bën këtë ditar një vepër të mirëfilltë studimi psikologjik.

Letra e Frojdit

Ky ditar është një perlë. Besoj se asnjëherë më parë nuk është shkruar diçka e tillë, një gjë që të lejon të depërtosh kaq qartësisht në atë që ndodh gjatë viteve të pubertetit në shpirtin e një vajze që i përket klasës sonë shoqërore dhe sferës sonë kulturore. Shohim se si ndjenjat dalin nga egoizmi i thjeshtë fëmijëror dhe shndërrohen në pjekuri; shohim se si marrin formë marrëdhëniet me prindërit dhe anëtarë të tjerë të familjes dhe si ato pasurohen dalëngadalë me seriozitet dhe intimitet; shohim tek lindin dhe shkatërrohen miqësitë. Jemi të pranishëm në lindjen e dashurisë së parë, e cila është në kërkim të një objekti tek i cili të mishërohet. Mbi të gjitha, këto fletë libri na tregojnë se si misteri i jetës seksuale, në fillim i ngjan vagëllimthi kërshërisë, kuriozitetit, për të marrë më pas krejt pushtetin e një mendjeje që është në zhvillim e sipër dhe si fëmijë, së pari vuan peshën e një njohjeje të fshehtë, e më pas, gradualisht mëson ta mbajë mbi vete këtë barrë. Të gjitha këto dukuri janë përshkruar në mënyrë kaq të magjishme, kaq serioze dhe kaq të natyrshme në këtë ditar, saqë nuk mund të mos bëhen objekt i adhuruar leximi, studimi pedagogjik dhe analize psikologjike. Mos ngurroni ta botoni këtë ditar. Të gjithë studiuesit e veprave të mia do t‘ua dinë për nder.

Sigmund Freud

16 maj. Mami vdiq më 24 prill, të dielën pas Pashkëve. Jemi të gjithë kaq shumë të trishtuar. Kur hamë, nuk themi asnjë fjalë, vetëm babi na drejtohet shumë ngrohtë e me fjalë përkëdhelëse. Ka shumë mundësi që teze Dora të rrijë me ne përgjithmonë. Nuk kanë kaluar ende tre javë, që kur mami u varros, e megjithatë na duket sikur ka tre vjet që ka vdekur. Por, shpeshherë na duket sikur është akoma këtu dhe nisemi për në dhomën e saj për t‘i treguar ndonjë gjë, ose për ta pyetur. Dhe kur shkojmë te shtrati i saj, flasim aq gjatë për të, saqë gjithë natën e shoh në ëndërr. Pse duhet të vdesin njerëzit? Ose të paktën të vdisnin vetëm të moshuarit që nuk lënë njeri që të vuajë shumë për ta. Por një mama dhe një baba, nuk duhet të vdesin kurrë. Një natë pas varrimit Ela më tha të shkoja nga ajo për darkë, por unë preferova të rrija në shtëpi. Në mbrëmje vonë kisha frikë të shkoja vetëm në paradhomë, kështu që erdhi Dora me mua. Babi e kishte mbyllur derën e sallonin ku kishin vënë mamin, por unë prapë se prapë kisha frikë. Më 24 nuk më thirrën fare, deri sa mami dha shpirt. Do të kisha dashur ta shihja edhe një herë të fundit. O Zot i madh, po pse duhet të vdesin njerëzit? Ah, sikur të ma kishin vënë emrin Berta, si emrin e saj, por mami nuk pranoi që ndonjëra nga ne të quhej si ajo, ndërsa për Osvaldin, nuk deshi babi.

19 maj

Në varrimin e mamit Dora bëri një gjë që më mërziti shumë, ose jo më mërziti, por u ndjeva e fyer shumë, d.m.th hyri në kishë dhe doli bashkë me babin. Sepse me babin kam shkuar gjithmonë unë, ndërsa ajo shkonte me mamin, ndërkohë që mami e shkretë ishte akoma në spital me teze Dorën. Ndërkohë, babi shkoi në varrim me të, ndërsa unë me teze Dorën. Ca ditë më vonë ia thashë dhe ajo m‘u përgjigj që ishte gjëja më e natyrshme në botë se ajo ishte e madhja. Osvaldi thotë se duhet të kishte ndenjur pranë meje, kjo do të kishte qenë gjëja më e drejtë, por në fakt kishte mbetur vetëm. Një gjë tjetër që më bezdis, është se kur teze Dora erdhi të rrijë me ne, unë dhe Dora uleshim nga e njëjta anë e tavolinës dhe tezja përballë mamit, ndërsa Osvaldi në krahun tonë. Kur mami zuri shtratin, vendi i saj mbeti bosh, ndërsa tani në vend të saj ulet Dora. Nuk e di si mund t‘ia lejojë babi këtë.

19 maj

Sot në drekë nuk mundëm të hamë asgjë. Kishim gjoks viçi, e njëjta gjë që u servir edhe në drekën e varrimit të mamit dhe kur pashë që po vinte ajo copë mishi, hodha sytë nga Dora dhe pashë që ishte bërë flakë e kuqe dhe dëneste pareshtur. Atëherë nuk e përmbajta veten dhe thashë... "Nuk ha dot gjoks viçi, sepse ditën e varrimit..." dhe pastaj nuk thashë më dot gjë tjetër, sepse babi u ngrit nga tavolina dhe erdhi tek unë, ndërsa tezja dhe Dora ia krisën të qarit. Pas drekës, tezja na premtoi se s‘do ta gatuante më atë gjellë. Tezja porositi një tortë për orën e çajit, sepse asnjëri s‘kishte ngrënë drekë.

6 janar. Falë Zotit sot është pushim dhe nuk mund të shkojmë për të rrëshqitur me slita, sepse Dora është me të ftohtë!! E mora shënjuesen e librave me datë katër, punova gjithë ditën deri në mesnatë dhe dje u çova që në pesë e gjysmë dhe punova gjithë mëngjesin. Në orën dy, së bashku me Elën, i çuam të dyja dhuratat në shtëpinë e saj. Do të donim t‘ia dorëzonim vetëm, por nuk e bëmë, kështu që ia dhamë shërbyeses. - Doni ta takoni zonjën? - pyeti ajo, por Ela u përgjigj: - Jo faleminderit, nuk duam ta shqetësojmë, - dhe kur unë e qortova, ajo u përgjigj: - Jo, ishte më mirë që jo; ke një pamje kaq të tronditur dhe të çoroditur dhe ti e di mirë që të tha: "Vogëlushe e dashur, do sëmuresh, dhe unë nuk dua të sëmuresh prej meje!" - O Zot, po qaj aq shumë, saqë nuk shkruaj dot, por duhet të shkruaj sepse kam shumë gjëra për të thënë, gjëra që nuk do t‘i harroj kurrë, kurrë, edhe sikur të më duhej një javë për t‘i shkruar. Gjëja më e bukur është se do të jetoj vetëm për këtë kujtim dhe i lutem Zotit ta takoj përsëri.

Natyrisht, të premtem i çuam lule, unë një tufë me vjollca, ndërsa Ela trëndafila Krishtlindjesh. U kënaq shumë dhe kërkoi menjëherë dy vazo, të cilat e ëma ia solli menjëherë në dhomë. E ëma është e vogël si zonja Rihter, ka flokë gri dhe është shumë simpatike, por jo si profesoresha M. Kur e përshëndetëm për të ikur na dha ca ëmbëlsira të tjera, por meqë ishim gati për të qarë nuk na haheshin fare, kështu që ajo na i paketoi duke na thënë: - Për t‘ju ngushëlluar në trishtimin tuaj. - Po ta kishte thënë një tjetër do të kishte tingëlluar shumë ironike, por kur del nga goja e saj, duket hyjnore. Kishte 17 ëmbëlsira të mëdha, Ela më dha nëntë dhe për vete mbajti tetë. Do të ha nga një çdo ditë që të zgjasin nëntë ditë. Gëzim dhe dhimbje bashkë! Ela nuk është e dashuruar si unë dhe dje për shaka natyrisht tha: - Më duket sikur të është përmbysur bota, përpiqu ta marrësh veten se përndryshe do të zërë poshtë. - Pastaj më tha se si isha treguar aq budallaçkë sa të flisja me të për muajin e mjaltit dhe se kisha venë re fare Elën që vazhdonte të kollitej për të më ndërprerë fjalën.

Thotë se u tregova fare idiote se profesoresha ishte skuqur e tëra. Nuk e kisha vënë re, por kur hyri i shoqi atëherë po që ajo u bë flakë e kuqe. Do të më kishte pëlqyer të pyesja nëse ka hequr dorë nga martesa në kishë, sepse të shoqin e ka me të vërtetë hebre, edhe pse nuk duket. Sepse, në fund të fundit, ka shumë burra me mjekër të zezë. Por nuk rrezikova për të pyetur dhe Ela më tha që kisha bërë mirë, sepse për këto gjëra nuk flitet. Kush e di nëse do të lindë fëmijë? O Zot i madh do të ishte e tmerrshme. Me siguri që do të ketë bërë ndonjë kontratë martesore. Do të ishte gjëja më e mirë, por Ela është e sigurt që profesori nuk mund kurrsesi t‘i ishte nënshtruar një gjëje të tillë. Duhet të jetë shumë i dashuruar...

Marre nga : Gazeta Shqip

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama