Granti japonez prej 130 milionë lekë do të japë një shtysë të re për investimet në agroindustri deri në mbyllje të këtij viti. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministria e Financave, publikuan kushtet e reja për përfituesit për huat pa interes. Fondet e krijuara nga arkëtimet prej subjekteve që kanë përfituar nga projekti i qeverisë japoneze dhe të mbledhura nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR), në shumën e 130 milionë do të trajtohen si të ardhura jashtë limiti dhe të përdoren nëpërmjet llogarisë së thesarit, brenda vitit 2014. Ky fond do të përdoret për financimin e projekteve investuese në agroindustri, në formën e huave pa interes me kohëzgjatje 7-vjeçare, ku viti i parë është periudhë e “papaguar”.
Kjo do të bëhet me qëllim nxitjen, rritjen e prodhimit bujqësor e blegtoral dhe përpunimit të produkteve. Kriteret për të përfituar huan pa interes Huanë pa interes, grantin, do ta përfitojnë subjektet fizike dhe juridike që përmbushin kriteret. Subjektet duhet të ushtrojnë aktivitet në një nga fushat e përcaktuara, si dhe paraqesin projekt-investimin në përputhje me përcaktimet e vendimin të Këshillit të Ministrave. Duhet të ofrojnë garanci pasurore (kolateral) për garantimin e kredisë. Si koletarale të pranueshme konsiderohen pasuri të paluajtshme: tokë truall, ndërtesa, linjat prodhimi/përpunimi, garanci bankare me kohëzgjatje të njëjtë me atë të huas. Vlera e kolateralit të ofruar nuk duhet të jetë më pak se 100 për qind e vlerës së financuar nga AZHBRja. Do të përfitojnë hua ata që nuk kanë detyrime të pashlyera ndaj organeve tatimore, si dhe institucioneve të tjera huadhënëse. Gjithashtu, fermeri duhet të garantojë, nëpërmjet një vetëdeklarimi, se huaja e marrë nuk do të ndryshojë destinacionin e përfitimit.
Fushat e investimit dhe shkalla e financimit
Në varësi të llojit të investimit, shkalla e financimit për subjektet përfituese do të jetë për ndërtim/rikonstruksion të stallave, pularive apo modernizim të komplekseve blegtorale dhe instalimin e impianteve të tyre ndihmëse deri në 70 për qind të vlerës së përllogaritur të investimit, por jo më shumë se 25milion lek. Do të përdoren për ndërtim/ rikonstruksion të serrave, blerje dhe instalim të linjave për ruajtje, përpunim dhe ambalazhim të produkteve bujqësore deri në 80 për qind të vlerës së përllogaritur të investimit. Edhe ky financim nuk do të jetë më shumë se 25 milionë lekë.