Google nderon fizikanin italian qe shpiku baterine

Google nderon fizikanin italian qe shpiku baterine

Motori gjigant i kërkimit, Google ka festuar sot 270-vjetorin e fizikanit italian, Alessandro Volta. I lindur në Como, Alessandro Giuseppe Antonio Anastasio Volta njihet për shpikjen e baterisë. Po ashtu, ai i dha emrin e tij njësisë elektrike “volt” në vitin 1881.

Në vitin 1774, Volta u bë profesor i fizikës në Shkollën Mbretërore në Como. Një vit më vonë, ai shpiku elektroforin, pajisjen që përdoret për të prodhuar elektricitet statik. Gjatë viteve në universitet, ai zbuloi dhe izoloi gazin metan. Në vitin 1779, Volta u emërua si shef i departamentit të fizikës në Universitetin e Pavias.

Pika e kthesës për Voltën ishte viti 1780, kur miku i tij, Luigi Galvani, zbuloi se kontakti i dy metaleve të ndryshme me muskulin e një bretkose çonte në krijimin e rrymës elektrike. Volta filloi të eksperimentonte në vitin 1794 me metale dhe gjeti se nuk nevojiteshin inde kafshësh për të prodhuar rrymë.

Vetëm gjashtë vite më vonë, Volta shpiku baterinë e parë elektrike, të cilën do ta paraqiste një vit më vonë para Napoleonit në Paris. Lideri u impresionua aq shumë saqë e bëri Voltën senator të mbretërisë së Lombardisë. Më vonë, perandori i Austrisë e bëri atë drejtor të fakultetit të filozofisë në Universitetin e Paduas në vitin 1815. Volta vdiq në 5 mars, 1827 në Como.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama