Të gjithë kemi dërguar e-mail gabimisht, kemi shtypur butonin dërgo tek adresa elektronike në momentin e gabuar. Kemi dërguar mesazhin personit të gabuar, kemi dërguar dokumentin e gabuar në vend të atij që duhej, apo nuk e kemi dërguar të plotë.
Tani ka një zgjidhje për këto gabime. Google ka menduar se si të zgjidhë këtë problem, pasi ka krijuar një opsion tjetër “undo send”, e cila do të vijë së shpejti edhe për përdoruesit e Gmail-it, dhe mund të përdoret nëpërmjet shfletuesit.
Sipas një njoftimi të Google, “undo send” ka qenë pjesë e “Google Labs” për shumë vite, por ky element do të vijë për pak ditë edhe për përdoruesit e Gmail-it.
“Undo send” mund ta aktivizoni tek konfigurimet. Ky opsion ju jep mundësi që të “mos dërgoni” një mesazh elektronik. Për të qenë më të saktë, nuk rikthen mesazhin nga kutia e mesazheve të personit që e keni dërguar, ajo thjesht shtyn kohën që duhet për t’u dërguar një mesazh. Gjatë kësaj kohe, ju duhet të vendosni nëse doni të ktheheni sërish tek mesazhi ose ta fshini atë krejtësisht, por, pasi të kenë kaluar 30 sekonda, mesazhi elektronik do të dërgohet menjëherë tek marrësi.
“Undo send” është në dispozicion vetëm nëse përdorni shërbimin për mesazhe Gmail nga një shfletues uebi. Përveç aplikacionit “Inbox” të Google-it, veçoria “undo send” do të jetë në dispozicion së shpejti edhe tek aplikacione të tjera.