Pas përfundimit të 3 provimeve të detyruara, rreth 45 mijë maturantë, do të testohen nesër në provimet me zgjedhje. Për të gjitha shkollat e mesme janë gjithsej 21 lëndë, ndër të cilat numrin më të madh të krediteve e ka Gjuha e Huaj, me gjithsej 10 të tilla, e ndjekur nga Historia e Thelluar me 9 kredite. Për herë të parë provimeve me zgjedhje u është vendosur në dispozicion një orë më tepër për kohën e provimit.
Ndërkohë sipas rregullores, gjatë plotësimit të formularëve, maturantët kanë zgjedhur 2 lëndë, duke përmbushur shumën e krediteve më të lartë se 8. Maturantët e shkollave artistike, kanë pasur 3 lëndë shtesë si mundësi zgjedhjeje, Histori Muzike, Histori Arti dhe Histori Baleti ndërkohë që shkollat profesionale kanë vetëm 1 lëndë shtesë, Teorinë Profesionale. Pas daljes së rezultateve të provimit të Gjuhës së Huaj me zgjedhje, i cili nuk ndikon në pikët përmbledhëse të maturantit dhe rezultateve të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, të gjithë nxënësit tashmë presin notat e Matematikës dhe mbylljes së provimit të nesërm. Kjo do të jetë edhe ndarja përfundimtare e tyre me shkollën e mesme, për të bërë më pas edhe llogaritjen e pikëve që do t’i çojë drejt rrugës në universitet.
Duke u ndalur konkretisht në rregullat që duhen zbatuar mbi listimin e dy provimeve me zgjedhje në udhëzim specifikohet se maturanti mund të zgjedhë lëndët për provimet me zgjedhje sipas 4 kritereve ku bëjnë pjesë :“ Shuma e krediteve të këtyre lëndëve, cila duhet të jetë jo më e vogël se 8. Numri i lëndëve që duhen zgjedhur është vetëm 2. Kriteri i tretë është kushti që maturantët kanë të drejtë të zgjedhin vetëm një gjuhë të huaj, e cila në planin mësimor të shkollës së mesme trajtohet si “gjuhë e huaj e parë” , pavarësisht nëse është zhvilluar apo jo në shkollë.”
Niveli gjuhësor i këtij testi do të jetë i një vështirësie më të madhe (B2). Lista e gjuhëve të huaja, si lëndë me zgjedhje, është përcaktuar në udhëzimin për plotësimin e formularit A1 dhe A1Z, publikimi i të cilëve është bërë në fillim të muajit shkurt. Maturanti i shkollave artistike ka të drejtë të zgjedhë vetëm njërën nga lëndët e dhëna në listë, e që janë të specifikuara vetëm për shkollat profesionale. Ndërsa kriteri i katërt përcakton se maturanti kur zgjedh një lëndë të thelluar, nuk mund të zgjedhë njëkohësisht të njëjtën lëndë bërthamë (përjashtuar lëndët e provimeve të detyruara).
Kontestimi i provimit, 400 lekë për të marrë testin e korrigjuar
Një pjesë e madhe e maturantëve nuk kanë qenë të kënaqur me rezultatet e tyre, duke pretenduar se përgjigjet e tyre të sakta nuk janë vlerësuar siç duhet. Disa prej tyre kanë protestuar para ambienteve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ditën e shtunë. Por për këto pretendime, Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron se për vlerësimin e testeve të Maturës Shtetërore është hartuar një skemë vlerësimi (për çdo provim), e cila publikohet në faqen e internetit të MAS dhe AKP, e cila përdoret nga të gjithë vlerësuesit që korrigjojnë përgjigjet e nxënësve.“Korrigjuesit e testeve janë mësues të shkollave të mesme me një përvojë jo më pak se 5-vjeçare në arsimin e mesëm. Testet e nxënësve vlerësohen në mënyrë të pavarur nga dy korrigjues dhe verifikohen nga një i tretë. Bazuar në Rregulloren e MSH, nxënësi ka të drejtën e kërkesës për të marrë fotokopjen e testit. Kjo kërkesë paraqitet në shkollë, e cila më pas kërkesat e mbledhura i dërgon pranë Drejtorisë Arsimore përkatëse.
Më pas,kërkesat e nxënësve dërgohen në mënyrë zyrtare në AKP”,- thuhet në reagimin e ministrisë. Ndërsa AKP procedon me fotokopjimin e testeve dhe i dërgon në DAR-in përkatës me postë, të gjitha procedurat e ankimimit janë sqaruar në faqen zyrtare të AKP-së. Sakaq, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka përcaktuar procedurën për të gjithë ata maturantë, të cilët dëshirojnë të marrin një kopje të provimeve të Maturës Shtetërore. Sipas udhëzimit të MAS, kërkesa e maturantit për fotokopje të provimit të Gjuhës Shqipe e Letërsisë dhe Matematikës duhet të dorëzohet pranë shkollës ku ai ka aplikuar përmes Formularit A1 ose A1Z, ndërsa afati i aplikimit është nga data 20 deri 25 qershor 2014. Bashkë me kërkesën, maturantët duhet të dorëzojnë edhe faturën për arkëtim, e cila mund të shkarkohet në faqen online në Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Vlera që duhet të paguajnë maturantët për të marrë kopjen e provimit përkatës është 400 lekë, ndërsa ajo mund të paguhet pranë çdo banke të nivelit të dytë ose pranë zyrave të Postës Shqiptare në vend.
Pikët
Në Guidën e Maturës Shtetërore është përcaktuar edhe formula e përllogaritjes së pikëve. Këtë vit është rritur pesha e notës mesatare të viteve shkollore me 6 për qind dhe kjo ka bërë të mundur uljen me 3 për qind për provimet me zgjedhje. Por si do të procedojnë maturantët për llogaritjen e pikëve që do të mbledhin në provime? M, D1,D2, Z1 dhe Z2, janë përkatësisht pikët mesatare të shkollës së mesme, vlerësimet në lëndët e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje. K, F1 dhe F2 janë simbole për koeficientin e shkollës dhe koeficientet e lëndëve me zgjedhje të propozuara nga Institucionet e Arsimit të Lartë Publik (IALP). Llogaritja e shumës “S”, të pikëve, të kandidatëve që rezultojnë kalues në provimet me detyrim dhe zgjedhje bëhet me formulën: S = [26*M + 20 (D1 +D2) ]*K +17*(Z1*F1 + Z2*F2)]*5.
Penalizimet
Në deklaratat, e bëra publike nga zv. ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj pas përfundimit të provimeve të para janë dhënë detaje edhe për masat ndëshkimore që kanë marrë nxënësit apo administratorët, të cilët kanë shkelur rregulloren. Kështu, provimi i Gjuhës Shqipe dhe i Letërsisë, i zhvilluar në 212 qendra provimi nga 3856 administratorë, solli përjashtimin e nga procesi të 17 nxënësve, 13 prej të cilëve u kapën me celularë dhe 4 të tjerë, me karta identiteti të rreme. Përpos kësaj, sipas rregullores janë pezulluar edhe 3 administratorë. Ndërsa testi i matematikës, që konsiderohet si një nga provimet më të vështirë solli një numër më të lartë penalizimesh. Masat e administrimit për provimin e matematikës kanë qenë nga më të rreptat, ku nxënësve nuk iu janë mbledhur celularët në një prej klasave, por ata që janë konstatuar me aparate telefoni janë përjashtuar nga provimi. Ndërkohë që edhe shkelje të tjera janë vërejtur dhe për pasojë 50 maturantë janë pezulluar nga provimi i maturës, për shkelje të rregullave të vendosura nga Ministria e Arsimit. Ministria e Arsimit ka pohuar se tetë maturantë të tjerë janë kapur me kopje. Megjithatë sipas drejtuesve të saj, provimi tregoi dhe njëherë se administrimi shkoi mirë. Zv.ministrja Nora Malaj ka theksuar se edhe 13 administratorë janë pezulluar nga procesi i maturës shtetërore dhe ndaj tyre janë marrë masa sipas rregullores se maturës, por edhe Kodit të Punës. Pritet që rezultatet e provimit të Matematikës të dalin rreth datës 25 qershor. Gjatë kësaj periudhe të gjithë korrigjuesit e provimeve janë të ngujuar.