Më 2 shtator të vitit 1957, me dekret të presidentit të Republikës Italiane Gronki, katedra e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin "La Sapienza" në Romë, transformohej në "Instituti i studimeve shqiptare". Që atëherë kanë kaluar pesëdhjetë vite. Do të arrihej në një vendim të tillë në sajë të veprës dhe personalitetit të Ernest Koliqit. I ndaluar në atdhe, i panjohur nga brezat e rinj që rriteshin nën komunizëm, i shtrënguar që ta zhvillojë të gjithë veprimtarinë e tij në vend të huaj, Koliqi do të kthehej në simbol të një realiteti të dyzuar shqiptar. I konsideruar kriminel lufte në Shqipëri nga verdiktet zyrtare dhe personalitet i shquar i kulturës shqiptare në Itali. Një nga profesorët e nderuar 'emmerito' të Universitetit "La Sapienza" që do të merrej në mbrojtje nga De Gasperi rreth vitit 1950, në një seancë parlamentare kur kërkohej rikthimi i tij në Shqipëri nga qeveria e Tiranës. Në vitin 1957 nga presidenti Gronki zyrtarizohet konsiderata italiane ndaj Koliqit dhe kulturës shqiptare, duke dekretuar Institutin i cili sot e asaj dite zë një vend jo të vogël në hapësirën e "La Sapienza"-s romane. Asnjë kulturë perëndimore apo lindore nuk ka patur një nivel të tillë përfaqësimi dhe autonomie në këtë universitet, pra në rangun e larte të institutit dhe me fond autonom financiar për botime. Tashmë jemi të qartë që çdo gjë ka gravuar rreth Koliqit, personalitetit të tij kompleks intelektual, se lehtas mund të merret me mend një gjë e tillë s'do kish ndodhur, si logjikë kulturore apo nevojë e brendshme e asaj shkolle. Në vendime të tilla, njohjet personale dhe miqësitë marrin një rol të rëndësishëm. Por për t'i patur ato në perëndim duhet të imponoheshe dhe Koliqi e kishte këtë aftësi me krejt çka përfaqësonte dhe miqësitë e tij janë me De Gasprin, Papa Montinin apo albanologu Zef Valentini e të tjerë personalitete të botës apenine. Në kohën kur ai përpiqej ta prezantonte kulturën e vendit të tij dhe ta fuste atë në një rrjellë logjike, komunikimi me atë të kombeve të tjera ndaj tij kishte tentativa për atentate dhe grabitje nga "sigurimi i shtetit", nga më të sofistikuarat deri tek ato më qesharaket me një mbështetje "morale" nga shkrimtarët e socrealizmit, ndaj të cilëv,e Koliqi kishte një gjykim mjaft kristian: "Kasneca të një ideologjie zyrtare e cila nuk përkon shpesh e nuk njipërnjisohet me idetë e tyne të njimendta... Poeti, letrari, shkrimtari nuk mund të kapen në nji cak të naltë krijimtarie kur robnohet shpirti i tyne brenda do skemave zyrtare caktue nga një pushtet epruer i cili nuk kupton as nuk don të kuptojë vlerat njerzore të përvetshme qi janë paja mâ e çmueshme e nji artisti. Nga shkrimtarët e artistat në Shqipni sot kërkohet vetëm e vetëm qi të zbukurojnë me mjeshtri e styl e metafora vetimtare urdhnimet e sunduesavet." ("Shejzat" 1973).
Në vitin 1957, përveç krijimit të Institutit të studimeve shqiptare, Koliqi themelon revistën "Shejzat", organ i cili ishte fort i lidhur me Instititutin e studimeve shqiptare dhe bashkëpuntorët e tij. Ky organ do të ishte prezent dhe bazë literature për shumë studentë shqiptarë dhe të huaj të interesuar për kulturën tonë. Në të spikasin studimet e tij kritike si "Influenca orientale në letërsinë shqiptare", "Rrânja etnike te De Rada", "Zef Skirò poet i vllazënisë pan-shqiptare" "Korrentet e reja të letërsisë shqipe", "Tre poetët e mëdhenj shqiptarë", "Dy shkollat shkodrane", "Fishta interpret i shpirtit shqiptar", "Realizmi socialist dhe letërsia e tij", "Gabriel d'Anuncio dhe shqiptarët", "Shqiptarët në Kalabri", "Islamizmi dhe Krishtërimi në letërsinë shqipe", "Faik Konica", tema këto që ai i trajtoi në mjaft seminare universitare me frymarrje më pertej se shqiptare etj.
Koliqi dhe Instituti i tij do t'i kushtoninnjë vëmendje konstante zhvillimeve letrare në Shqipërinë e izoluar, duke i shikuar gjithnjë me syrin e studiuesit dhe me këtë këndveshtrim, i përcillte ato para studenteve të tij, apo në seminaret e shumtandërkombëtare të organizuara nga ai. Ciklii dytë "Studime e tekste" botuar në pesë vëllime është dëshmi e hulumtimeve të tilla. Së pari pas ndalimit në Shqipëri të shkrimtarve si Konica, Arapi, Fishta, Camaj etj., në "La Sapienza" do të bëheshin botimet, ribotimet dhe studimet kritike.
Në këtë qasje mbi "Institutin e studimeve shqiptare", studimi i ProfXhuzepe Gradilones (koleg dhe pasues i mjeshtrit të madh) "Vepra letrare e kulturore e Ernest Koliqit" na jep një përcaktim përmbledhës mbi rolin e Koliqit, krijesë së tij Institutit dhe prezencës kulturore shqiptare në Itali.: "Për meritë të pasionit të madh dhe impenjimit të palodhur të Koliqit, edhe një herë zëri i këtij populli të vogël por bujar, vjen e dëgjohet për vlerat e tij më të pastra dhe studiohet në format e tij më origjinale nga bota e specializuar e shkencës. Frut i dëshmive sipërfaqësore që përtypen nga brezi në brez, ka qenë edhe detyra që ai ka marrë përsipër duke publikuar monografinë magjepse 'Shqipëria' në të cilën, në artikuj të dendur dhe rigorozë ka përqënduar kërkimet më të sigurta në çdo fushë nga gjeografia, historia dhe letërsia".
Pasvdekjes së Koliqit në vitin 1975, kultura shqiptare në Romëdo të identifikohej me Xhuzepe Gradilonen, profesor 'emmerito'shkalla më e lartë e vlerësimit në Universitetet italiane, personalitet i Universitetit "La Sapienza" dhe i kulturës shqiptare e arbereshe Lindur në Shën Mitër, Kozencë, qendër e rëndësishme në historinë e arbëreshëve të Italisë u diplomua në Universitetin e Romës. Në të njëjtin Universitet u specializua më tej në filologji klasike. Ka qenë lektor i gjuhës shqipe që nga viti 1952, pedagog nga 1962 e pastaj profesor efektiv i gjuhës dhe i letërsisë dhe profesori i parë i filologjisë shqipe në fakultetin e Letërsisë dhe të Filologjisë në Universitetin "La Sapienza". Ka drejtuar Institutin e studimeve shqiptare për mëse 25 vjet.
Nga viti 2001 Instituti i studimeve shqiptare drejtohet nga profesor Elio Mirako. Ardhja e Mirakos në krye të këtij institucioni është një rrjedhim logjik i punës së tij. Nxënës i mësuesve të mëdhenj (Koliqi, Gradilone), ai vjen nga S. Sofia d'Epiro, komunitet shqiptar në provincën e Kozencës, është diplomuar në Universitetin e Romës "La Sapienza" me një tezë mbi gjuhën e letërsinë shqipe. Që kur ishte student do të fillonte bashkëpunimin me Institutin e drejtuar nga Koliqi e më vonë nga Gradilone. Nëpërmjet Institutit do të botonte një sërë librash të cilët, ekspozojnë një trashëgimi të pasur gojore të arbëreshëve të Italisë që rrezikon të zhduket, dëshmi të mbledhura nga kontakte të shumta në zonat e banuara prej tyre. Ndër të tjera kujtojmë "Favole", "Fiabe", "Racconti di S. Nicola dell'Alto", "Carfizzi Pallagorio", "Marcedusa", "Andolì", "Caraffa", "Vena di Maida", "Zangarona", "Vëzhgime mbi të folurën e komunitetit të shqiptarëve në provincën e Katanxaros" etj. Ndërsa në studimin "Tetërrokshi në 'Këngët e Milosaos' të Jeronim de Radës" ka bërë objekt të analizës së tij një argument, me përgatitjen e duhur duke treguar ndikimin e traditës gojore mbi poetin arbëresh. Puna e tij filologjike-kritike është dëshmi e kritikës tekstuale që ka lidhje me traditën në shtyp të një vepre të De Radës: "Variante në edicionin e vitit 1843 të 'Këngëve të Serafina Topisë'", studim me të cilin lind filologjia e teksteve në shtyp, në albanistikë. I të njëjtës tendencë është vëllimi "Historia e tekstit të romanit 'Piramida' të Ismail Kadaresë".
Në përkthimet letrare, është përkujdesur për variantin italisht të librit të Fatos Lubonjës "Ridënimi" ('Diario di un intellettuale in un gulag albanese'. çmimi Moravia 2002).
Gjithmonë në gjurmët e një letërsie të lirë e dëshmitare të një regjimi çnjerëzor ka përzgjedhur poezitë e Visar Zhitit për vëllimin me titull "Kryq mishi" e nga i njëjti autor ka përkthyer tregimet "Këmba e Davidit" me titullin italisht "Passeggiando all'indietro". Gjithashtu ka përkthyer "Novela të zgjedhura" të Dritëro Agollit duke i shoqëruar me një studim kritik që përshkon të gjithë krijimtarinë e shkrimtarit. Si njohës i thellë i letërsisë shqipe Mirako ka shfrytëzuar çdo mundësi për të prezantuar letërsinë bashkëkohore shqiptare në Itali. Këtë e dëshmon edhe zgjedhja e autorëve në librin antologjik "12 profile shkrimtarësh" si dhe parathënia në "Historinë e letërsisë botërore të '900-ës".
Me dekret të Presidentit Sali Berisha më 14.1.1997 i është dhënë medalja e artë "Urdhëri Naim Frashëri" për kontribut të veçantë në shkencat albanologjike. Së fundi është zgjedhur president i kursit të studimeve gjuhësore e filologjike të fakultetit të Letërsisë e Filozofisë.
Një tjetër personazh i këtij Instituti është edhe Dr. Brunilda Dashi nga Tirana, lektore e gjuhës shqipe, bashkëpunëtore e prof. Gradilones dhe tani e prof. Mirakos.
Agron Gjekmarkaj : Gazeta Shekulli