Gjithe sekretet e ceremonise se cmimeve Oskar

Gjithë sekretet e ceremonisë së çmimeve Oskar

Përveç se u shpall si filmi më i mirë, drama mori një statujë Oskar dhe për regjisorët Joel dhe Ethan Coen, të cilët gjithashtu u nderuan për përshtatjen e skenarit.
Anglia u përfaqësua më së miri nga aktori që u zgjodh si më i miri, Daniel Day-Lewis, për filmin "There will be blood" dhe aktorja dytësore më e mirë, Tilda Swinton, për filmin "Michael Clayton".Francezja Marion Cotillard mori çmimin si aktorja më e mirë për "La vie en rose" dhe spanjolli Javier Bardem mori çmimin si aktori dytësor më i mirë për filmin "No country for old men". Për aktorin Day-Lewis ishte çmimi i dytë Oskar, kësaj radhe për rolin e tij si një naftëtar i pamëshirshëm. Oskari i tij i parë ka qenë në vitin 1989 për filmin "My left foot". t'


Fituesit teknikë
Kategoritë teknike i dhanë filmit "The Bourne Ultimatum", ku interpreton Matt Damon tre çmime Oskar. Filmi fitoi për miksimin më të mirë të zërit, montazhin më të mirë dhe efektet e zërit. "There will be blood" fitoi për kinematografinë, ndërsa kënga "Falling slowly" nga filmi "Once" u zgjodh si kënga më e mirë. Ndër prezantuesit e çmimeve ishin Nicole Kidman dhe Owen Wilson. 
Në kërkim të humanizmit
Përpara ceremonisë aktori 50-vjeçar Lewis u pyet në lidhje me gjetjen e humanizmit në rolin e tij si Daniel Plainvieë, i cili mashtron, vjedh, përjashton nga trashëgimia djalin e tij, e madje dhe vret. Aktori u përgjigj, "Unë mendoj se një pjesë e jetës së tij e kreu vetë misionin". Ndërsa Bardem foli në spanjisht, duke i dedikuar çmimin nënës së tij. Ajo ishte e ulur diku në audiencë dhe u përlot teksa djali i saj iu drejtua me fjalët: "Mama, ky çmim është për ty...për Spanjën e për të gjithë ne".


Veshjet
Femrat kryesore të Hollivudit e ndezën flakë tapetin e kuq, teksa parakaluan me fustanet e tyre ngjyrë gjaku. Fustani i modeles Heidi Klum ra në sy më shumë nga të gjithë. Klum, e cila u paraqit në ceremoni me bashkëshortin e saj, muzikantin Seal, kishte veshur një fustan të kuq nga John Galliano, i cili do të dalë në ankand si pjesë e fushatës "The heart truth", për femrat me sëmundje zemre. Anne Hathaway mbante veshur një fustan të kuq nga "Marchesa" dhe Katherine Heigl po të njëjtën ngjyrë nga "Escada". Ndërsa, Jennifer Garner, Hilary Swank dhe Penelope Cruz u shfaqen me fustane në ngjyrë të errët. Ndërkohë aktoret shtatzënë, Jessica Alba, Cate Blanchet dhe Nicole Kidman shkëlqyen si rrallëherë në tapetin e kuq. Ajo çka ra në sy, ndryshe nga vitet e tjera ishte se kësaj radhe nuk kishte gabime fatale në veshjen e personazheve të pranishëm në ceremoni.


Lista e fituesve

Filmi më i mirë:
"No Country for Old Men" me Scott Rudin, Ethan Coen dhe Joel Coen, producentë.
I përshtatur nga romani me të njëjtin titull i Cormac McCarthy, filmi ka të njëjtën temë të rrezikut dhe fatit. Tregon historinë si një marrëveshje droge nuk shkoi ashtu si duhej dhe dramën e tre burrave në shkretëtirën e West Texas.

Regjisori më i mirë :
Ethan Coen dhe Joel Coen - "No Country For Old Men".

Aktori më i mirë:
"Daniel Day-Lewis" në filmin "There will be blood" (Do të ketë gjak).
Filmi është frymëzuar nga një novelë e Upton Sinclair dhe tregon historinë e një hajduti që kërkon naftë në fillim të shekullit të 20-të.

Aktorja më e mirë:
Marion Cotillard në "La Vie en Rose".
Me performancën fenomenale nw interpretimin e këngëtares  Edith Piaf në "La Vie en Rose", Cotillard u vlerësua si aktorja më e mirë duke ia marrë edhe Julie Christie.

Aktorja joprotagoniste më e mirë:
Tilda Swinton në filmin "Michael Clayton".
Aktori joprotagonist më i mirë:
Javier Barden në "No Country for Old Men".
Skenari origjinal:
Diablo Cody - "Juno".
Skenari i përshtatur:
 Ethan dhe Joel Coen - "No Country for Old Men".
Dizajni i kostumit:
"Elizabeth: The Golden Age".
Filmi i animuar:
"Ratatouille".
Grimi:
"La Vie en Rose".
Efekte vizive:
"The Golden Compass".
Regjisori i artit:
"Sweeney Todd The Demon Barber of Fleet Street".
Filmi aksion me metrazh të shkurtër:
"Le Mozart des Pickpockets"
Filmi i animuar me metrazh të shkurtër:
"Peter and the Wolf".
Montimi i zërit:
"The Bourne Ultimatum".
Miksimi i zërit:
The Bourne Ultimatum".
Montimi i filmit:
"The Bourne Ultimatum".
Filmi i huaj më i mirë:
 "The Counterfeiters" - Austri.
Kënga origjinale:
"Falling Slowly" nga "Once".
Kinematografia:
"There Will be Blood".
Dokumentari i shkurtër:
"Freeheld".
Reportazhi:
"Taxi to the Dark Side".

Fakte për çmimet Oskar

¨    Emri zyrtar i statujës Oskar është "Çmim i Akademisë për Merita".
¨    Një statujë Oskar është e gjatë 34 centimetra dhe peshon 3.58 kilogramë.
¨    Statuja Oskar, e skicuar nga drejtori artistik i "MGM", Cedric Gibbons, është në formën e kalorësi që mban një shpatë dhe qëndron në një bobinë filmi me pesë cepa, të cilët përfaqësojnë degët origjinale të Akademisë: aktorët, skenaristët, regjisorët, producentët dhe teknikët. 
¨    Për të bërë një statujë Oskar duhen 12 persona.
¨    Për punimin e një statuje duhen 40 orë.
¨    Një spot publicitar prej 30 sekondash gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve Oskar, kushton 1.7 milionë dollarë.
¨    Që prej krijimit të çmimeve janë ndarë 2658 statuja Oskar.
¨    Pothuajse 50 statuja Oskar krijohen çdo vit në Çikago nga prodhuesi R.S. Ownes. Nëse këto statuja nuk i plotësojnë kriteret strikte të cilësisë së kërkuar, ato priten dhe shkrihen menjëherë.
¨    Çdo statujë Oskar lahet në bakër, nikel, argjend dhe flori 24-karat.
¨    Ceremonia e parë e ndarjes së çmimeve është mbajtur në vitin 1929 dhe ka zgjatur vetëm pesë minuta.
¨    Ceremonia e ndarjes së çmimeve është transmetuar për herë të parë në televizion më 19 mars 1953, në SHBA dhe Kanada. Më 18 prill 1966, ceremonia është transmetuar me ngjyra për herë të parë.
¨    Çmimet Oskar mbaheshin të hënë, por trafiku i madh që karakterizon Los Anxhelosin në këtë ditë, bëri që ato të mbahen të dielën pasdite.
¨    Marka e njohur e shitjes së bizhuterive "Asprey" jep çdo vit borxh më shumë se 25 milionë dollarë bizhuteri të çmuara për yjet që i mbajnë ato në ceremoni.
¨    Fustani i veshur nga Elizabeth Taylor në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oskar në vitin 1969 është shitur për rreth 200 mijë dollarë në një ankand, dy vite më vonë.
¨    Në përvjetorin e 61-të të ceremonisë "Academy Award" në vitin 1989, Akademia vendosi ta zëvendësonte frazën e përhershme "Dhe fituesi është..." me "Dhe çmimi Oskar i shkon...".
¨    Ceremonia e ndarjes së çmimeve Oskar është shtyrë tre herë. Në vitin 1938, ceremonia u shty një javë për shkak të përmbytjeve në Los Anxhelos. Në vitin 1968 u shty dy ditë për shkak të funeralit të Martin Luther King Jr. Ceremonia u shty një ditë dhe në vitin 1981 për shkak të atentatit ndaj presidentit amerikan Ronald Reagan.
¨    Rrënja e emrit Oskar për çmimet ka disa versione. Teoria që përdoret më shumë për këtë rast është se sekretarja ekzekutive e Akademisë, Margarita Bauza, e cila e pa statujën për herë të parë në vitin 1931 u shpreh se i ngjan xhaxhait të saj Oskar. Që atëherë mendohet se statujës i mbeti ky emër.
¨    Statuja Oskar është refuzuar tre herë. Nga Dudley Nichols, për skenarin e filmit "The Informer", nga Marlon Brando për rolin e tij në filmin "Kumbari" dhe nga George C. Scott për filmin "Patton. Regjisori Woody Allen s'ka qenë asnjëherë i pranishëm në ceremoni për të tërhequr çmimet e tij për skenarin dhe regjinë e filmit "Annie Hall", por nuk i ka refuzuar ato publikisht.
¨    Walt Disney është personi që ka fituar më shumë çmime Oskar. Ai është dominuar 64 herë dhe ka fituar 26.
¨    Të drejtën ekskluzive të ceremonisë e ka televizioni amerikan ABC që prej vitit 1976 dhe deri në përfundim të kontratës në vitin 2014.

Ku i mbajnë fituesit statujat Oskar

¨    Elizabeth Taylor, Emma Thompson dhe Susan Sarandon e mbajnë secila statujën Oskar në tualet.
¨    Russell Crow e mban statujën Oskar në një kotec pulash në fermën e tij në Australi dhe është shprehur që kjo ka ndikuar në rritjen e masës së vezëve të pulave.
¨    Marlon Brando ka shkruar në autobiografinë e tij se s'ia kishte idenë se ku e kishte lënë statujën Oskar që fitoi për filmin "On the Waterfront" dhe se s'e kishte parë atë prej dekadash.
¨    Gwyneth Paltrow e mban çmimin e saj Oskar në depo, sipas gazetës "Scottish Daily Record". "Nuk e dua atë gjë në shtëpinë time. Më tremb", është shprehur ajo.
¨    Martin Landau e mban çmimin e tij Oskar në zyrën në Los Anxhelos, të rrethuar nga fotot ku ai ka dalë me familjen Reagan dhe Clinton.
¨    Cuba Gooding Jr. e mban statujën e tij Oskar mbi dollapin, ku ndodhen shishet e verës.
¨    Jack Nicholson e përdor një prej statujave Oskar që ka fituar si mbajtëse për të vendosur kapelën.
¨    Statuja Oskar e Goldie Hawn gjendet në dhomën e saj të meditimit në Los Anxhelos.
¨    Kur e pyetën Daniel Day Lewis se ku e mbante statujën Oskar që fitoi në vitin 1989 ai u shpreh, "E kam lënë në apartamentin e një miku pasi s'kam një shtëpi timen aktualisht".
¨    Anna Paquin e mban statujën në dollapin e rrobave në mënyrë që miqtë e saj të mos e shohin dhe të mos komentojnë.
¨    Ben Affleck e ka mbajtur statujën Oskar në një dollap librash në dhomën e gjumit.
¨    Al Pacino është shprehur se ai e lë në shtëpinë e tij në Nju Jork statujën e çmimit Oskar.
¨    Catherine Zeta Jones e mban statujën që ka fituar për filmin "Chicago" në shtëpinë që zotëron me bashkëshortin e saj Michael Douglas në Bermuda.
¨    Richard Taylor nuk ka pranuar të tregojë ku e mban statujën për të shmangur ndonjë grabitje të mundshme, siç shprehet ai.
¨    Hillary Swank shprehet se statuja gjendet në një raft librash në shtëpinë e saj.
¨    Tom Hanks është shprehur se statuja e tij Oskar gjendet në një raft trofesh bashkë
¨    Olympia Dukakis e mban statujën e saj në një bibliotekë në Nju Jork. Dy ditë pasi fitoi çmimin, shtëpia e saj u grabit dhe të vetmen gjë që vodhën ishte statuja. Akademia e zëvendësoi statujën e vjedhur duke i dhënë asaj një tjetër.
¨    Isaac Hayes e mban statujën në restorantin e tij në Memphis. Ai ia dha Oskarin gjyshes së tij, menjëherë pas ceremonisë, kur ajo ishte 80 vjeçe. Ajo ia ktheu atij statujën në ditëlindjen e saj të 100-të.
¨    Olivia de Havilland i mban dy statujat Oskar në shtëpinë e saj në Paris.
¨    Oskari i Ernest Borgnine u shkatërrua, kur shtëpia e tij mori flakë, por Akademia i dha një tjetër.
¨    Statuja Oskar e Shelley Winters për "Ditari i Ana Frank" qëndroi disa vite në varrin e Ana Frank në Amsterdam.

Blendina Cara : Gazeta TiranaObserver


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama