Gjirokastra Qyteti i gurte qe po betonohet gri

Gjirokastra, Qyteti i gurte qe po betonohet gri
E vetmja gjë, e cila e lidh gurin e Gjirokastrës dhe origjinën nga e cila ka marrë dhe emrin, Argyrokastrion me betonin është ngjyra. Vetëm se në kohët e fundit, betoni i qytetit është bërë gjithnjë e më i pranishëm dhe madje edhe në vende krejt të dukshme. Ai po fiton qytetari dhe nga kaosi politik shqiptar i kohës, por mbi të gjitha nga qetësia e qëllimshme e shumë njerëzve, që pak duan t’ia dinë për ligjin...

Gruaja në katin e dytë të Çenajve ka bajagi kohë që na këqyr nga sipër. Kënaqet që ngjitemi me vështirësi në një si mur para shtëpisë së saj, ku plehrat dhe barishtet jetojnë paqësisht. Nuk pushon dhe të gjithë qesëndinë(që me dialektin e Gjirokastrës bëhet më e plotë), e ka me Engjëll Serjanin, kolegun tonë gjirokastrit. “E mo ç’bën? Na kënaqët! Uhhh! Hajte të çikosh brenda! Hajde të çikosh ç’mutin kanë bërë?” Ajo për të cilën bën fjalë gruaja, ka lidhje me punën e bërë nga restauratorët konstruktorë. Kuptohet, ka të bëjë me fasadën sepse për sa i përket interierit, ajo i takon dikujt tjetër. Si ajo janë shumë familje në Gjirokastër, por problemi më i madh i banorëve të shtëpive të vjetra, apo atyre pak që kanë mbetur, është se nuk i mbajnë më dot shtëpitë. Po, nuk i mbajnë dot. Kjo urgjencë gati qytetare nuk po kuptohet. Ndaj, në këtë qerthull, ia kanë dalë më të zotët. Ata që po betonojnë gjithçka që munden, në pjesën muzeale të qytetit. Dhe, betoni nuk di të ndalet më në Gjirokastër. Ai ka marrë këtë masë saqë të duket se do t’i betonojë dhe ato 200 e pak kilometra, që e ndajnë qytetin me Tiranën.

Për të Çenajt

“Hë... janë nga Tirana”. Tund kokën. Polikseni Çeni nuk pushon së foluri në një formë ankim-qesëndie dhe problemin më të madh e ka sot e mot me restauratorët e shtëpisë së saj. Ata janë objekti i saj i nëmies së saj të pareshtur. Për dreq, i themi që e kemi mik restauratorin. Kaq duhet. A mund të futemi pak brenda, i themi nga poshtë. Që nga lartësia që na sheh, duhet t’i dukemi shumë të vegjël gruas, që nuk pushon së ankuari. Kush është nga Çenajt, i themi sapo hymë në shtëpi, pak minuta më vonë: “E ç’ju duhet? Kush ka mbetur?-doni të thoni. Burri im ka mbetur. Naimi, Rolandi Çene. Si e bënë?-e pyesim. E kanë blerë. E blenë nga fisi Baca. U bënë me para atëkohë Çene sepse janë puro gjirokastritë. Është shtëpi 400 vjeçare dhe kjo është blerë nga ata”. Si e ke mbajtur e pyes?- dhe në kokë kam shtëpinë e familjes Shimshia në Berat. “E kam mbajtur me thonjë. Më tregon duart. E kam mbajtur me thonj. Pa asnjë ndihmë. Shiko e shkruaj…Jam e sëmurë me ilaçe. Në kohën e Enverit kishte disa që i shikonin dhe që i bënin si duhet punët. Na bënë dhe rregullime dhe pastaj paguanim pak nga pak, po këta...”. Shtëpia, është e ngritur vertikalisht dhe aty ka qenë prej qindra vitesh pronë e një familje tjetër, derisa Çenajt blenë një seksion të shtëpisë, që dekada më parë ruante dhe një si afresk, në mos gaboj. Sot, e restauruar, ajo është si një zonjë e bukur, që brenda është e kalbur, më thotë një vendas. Shtëpia është restauruar mrekullisht nga një studio e Reshat Gegës, ish drejtor i Institutit të Monumenteve, por gruaja kuptoj pas pak se do që të punohej dhe brenda...Në pjesën e sipërme, ku është dhoma me oxhak, gati s’është bërë asgjë dhe për të na provuar batërtinë, ajo na lë një copë të oxhakut karakteristik të shtëpisë gjirokastrite në dorë...për ta këqyrur.

Betoni

E sapo dalim nga shtëpia hasim me burrin e gruas, që po vjen nga pazari, një burrë i urtë, që ndryshe nga gruaja nuk ankohet. E takojmë bash rrugës, ku ai mezi ngjitet dhe që është betonuar komplet pasi i është hequr ish kalldrëmi i dikurshëm. Sokaku i Çenajve apo ky vend që njihet si aksi kryesor i Varoshit kuptohet që s’është më si më parë, sepse është shqepur për t’i lënë vend betonit. Njësoj si këtu dhe akse të tjera, u kanë gërryer kalldrëmin dhe u kanë lënë në përdorim thjesht hapësirën e re me beton. Gjithsesi, kjo do të duket asgjë, para asaj që të shfaqet në fund të kryqëzimit. 80 metra më tutje, mu bash në kryqëzim, dikush duket se nuk do t’ia dijë fare. “Shiko dhe këtu, -na thotë njëri nga gazetarët e qytetit koleg i Serjanit, shiko ky këtu si e ka shtuar një kat dhe të mendosh se në këtë vend nuk lejohet që të bësh asgjë”. Nëse ky do të ishte i vetmi do të ishte mjaft, por betoni s’është vetëm këtu, ai është dhe pak më tej, sa merr rrugën kryesore, mu përballë një lapidari të luftës dhe ngjitur me oborrin e një shkolle të qytetit. Një dykatësh betoni duket se ka zënë mirë rrënjë. Impozanti i betonuar, tregon se pronarët nuk mund të ndalen. Një nga gratë e shtëpisë veshur me të zeza del dhe fjaloset me kolegun tonë. Nuk i bëjnë përshtypje fare gazetarët por kërkon myshterinj për të qëndruar. Edhe kjo është temë e qytetit sot. Gjirokastritët kujtojnë se turizmi i tipit familjar mund të bëhet thjeshtë dhe nga kushdo. Ndaj edhe ajo insiston që t’i shikojmë shtëpinë, sesa mirë e ka rregulluar dhe se është gati që të presë njerëzit. Me vështirësi, gazetari gjirokastrit që është me ne i shmanget, por gruaja qëllon këmbëngulëse. Me dialektin e qytetit i kërkon madje edhe si llogari sepse ai po i qëndron ftohtë.

Vazhdojmë rrugën tej deri në qendër të pazarit dhe në pak metra mund të shikosh ngado pjesë betoni, që gëlojnë mes shtëpive. Më parë, ashtu tinëz të fshehura, ndërsa tani gati açik dhe pa ua dridhur fare syri. Aty ku është xhamia i kërkoj drejtimin drejt Mexhides një burri. Ky i fundit është nga Gostivari dhe e ka ngjitur me sakrificë deri sipër makinën e tij të vogël, që të shikojë shtëpinë e komandantit. E ka lënë makina ngjitur me xhaminë dhe tash pasi të falet do të kërkojë një mekanik. E ka lënë makina për shpirtin patriotik. Është besimtar i vërtetë dhe nuk ngutet. Na habit sesa rigoroz pret sa bën adetet e avdesit e shoqja. Ai rri jashtë, pa turfulluar dhe pa i sikletosur, si ne bashkatdhetarët e tij. Myftiu i Gjirokastrës, që vjen menjëherë, na thotë se mund të fotografojmë por vetëm pa ardhur xhemati. Kur të vinë ata është pak vështirë, duan dhe ata paqëtimin e tyre, na thotë. Xhamia e ndërtuar në kohën e Bajazitit të Dytë është një ndërtesë impresionuese dhe nga të paktat objekte të kultit mysliman të mbetur në qytet. Sa keq, për një qytet që ka gjithë këtë trashëgimi myslimane. Myftiu i Gjirokastrës na sqaron se është edhe një në Dunavat dhe tjetra tek Zekatët dhe na shton edhe njohuritë për një xhami të re në Lazarat, një në Mashkullorë etj, që sapo janë ndërtuar. Në qytet është vetëm kjo e Pazarit dhe hamamet poshtë, sqarohemi. Duam ta pyesim njëherë për këtë dhe për tollovinë e ndërtimit, por një besimtar që pret radhën të marrë avdes është më i shpejtë. Gjithë këtë punë duhet një projekt që të eliminojë bulierët, kabllot dhe syri të arrijë që të kapë peizazh tjetër dhe të jetë i kompletuar dhe me detajet e tjera se vetëm kabllot po të marrësh i japin pamje të rënduar pjesës historike, na thotë pak a shumë. Vetëm se e gjitha ngjan shëmtuar nga betoni dhe nga ndërhyrjet pa sens që bëhen kudo në qytet dhe që duket se hija e UNESCO-s, as i ka turbulluar fare.

Ardhja e betonit...

Në fakt s’është histori e re. Ka gjithnjë ndërhyrje. Edhe në zonë dhe në monumente. Disa arsye, që më rendisin banorët në udhëtimin në mes të lagjes së Mexhides, ku busti me hundën e shqyer të Andon Zako Çajupit rri vetmitar roje, janë gjithnjë prezente. Në të gjithë këto objekte që banohen prej 200-300 vjetësh më parë zhvillimi ka sjellë gjëra të tjera në evidencë. ”Pse nuk duam tualet, banjë etj. Kjo është nevoja”, më thotë një grua e re lozonjare. Kurse arsyeja e dytë mbetet indiferenca. Po, këtë e shikon lehtë. Institucionet që duan të bëjnë punë ankohen për restaurimet. Ka mungesë fonde dhe ndërhyrjet bëhen të pjesshme. P.sh. Çenet ankohen edhe duke e ditur se projekti kishte vetëm eliminimin e shembjes dhe çatinë, ndërsa pjesët e drurit dhe interiorët duhen specialistët e interiorëve dhe jo të konstruksioneve.

 Në fakt, problemet duket se janë të lidhura me mungesën e fondeve...Me ç’pashë unë, më sqaron Serjani që kam jetuar 14 vjeç aty, konstruktori kish bërë dhe ndryshimet e 40-50 vjetëve përpara dhe i ka kthyer në autencitet. “Kjo konsiderohet si ndërhyrja dhe si kredi për ta. Jo të paguajnë interesa por të paguajnë raportet që përmban ligji 40-60%. Në disa raste prioritetet nga shteti janë për fasada, kurse punët që bëhen në pjesët e brendshme ndahen. Kjo pjesa e shtetit asnjëherë s’është e paguar dhe asnjë nga pronarët nuk e ka shlyer ndonjëherë vleftën e ndërhyrjeve”. Në fakt, në qytetin simbol të kurrnacërisë, kjo është e tepërt të kërkohet. Duhen jetëzuar, në fakt,-na thotë një burrë i vjetër, sepse fryma e mban godinën. Edhe në majë të malit dhe në qytet po s’pati frymë të lëvizë në shtëpi gjithçka konsumohet...Çenajt para 100 vjetësh kanë blerë gjysmën e shtëpisë, por dhe tani ankohen kot sepse gjërat i kanë në vijë, më thotë një banor atypari me zakonin vendas për të përfolur njëri-tjetrin...

Rreth 30 minuta më vonë jemi në lagjen Mexhite. I vetmi vend ku ka pasur ujë në Gjirokastër. Në Hazmurat. Kjo ishte shtëpia e Gurgajt, na thotë një koleg yni, që afrohet për të na shoqëruar. Këtu ndërtimi ka filluar që pas vitit ‘90. Është tërësisht beton. Dy godina të mëdha i shquan menjëherë poshtë sheshit të Çerçizit “Këtu vinin gjirokastritë sepse këtu ishin 7 krojet e Mexhides, pas sheshit të Çerçizit..Në pjesën si të thuash në qendër të zonës muzeale...Kjo ishte xhamia dhe kroi. Raste të rralla që të bashkohen kroi me xhaminë”, më sqaron pak më tej Serjani, që banorët e konsiderojnë si një lloj kryetar bashkie informal sepse i kërkojnë llogari për gjithçka. Një grua e vjetër e veshur me të zezë, vjen sakaq e shoqëruar nga një më e re rreth 45-50 vjeçe, që e flasin keq shqipen. Jo vetëm që s’na thonë gjë por na ngatërrojnë pafund.

 “Këtu jemi ne familja Koçi. Burri është kaur. Të gjithë kaurë jemi. Vetëm ky është mysliman te muri”, me përbuzje. “Këtu është një kaur tjetër”. Qeshim, por kjo s’ka më lidhje fare me tolerancën fetare. Biseda kalon te sistemi i ujit sepse aty kalon një nga gypat e ujit që me motopompë shkon deri në kala dhe ndërsa e këqyrim kemi kohë të diskutojmë sesi. Gjirokastra është një nga vendet që e ka vuajtur më shumë ujin se kushdo tjetër dhe kjo ishte mrekullia e Ali pashës, kur solli nga 10 kilometra tutje ujin e Sopotit. Largohemi. Është e pamundur që të këqyrësh lehtë sepse pas do kesh gjithnjë dikë që do të shqetësojë. Që aty, kolegu ynë gazetar na tregon sesi në këtë seksion betoni ka marrë dhenë.

Dhe, në fakt, që aty gjithçka është e dukshme. Jo më shumë se pak muaj më parë, kur filloi fushata, kandidati sfidant Sinojmeri për bashkinë u kujtoi qytetarëve se “Duam edhe një herë t’i bëjmë thirrje qeverisë dhe pushtetit lokal, që të kthejë sytë nga Gjirokastra, pasi ky qytet nuk e ka të ardhmen tek ndërtimi i pallateve, i heqjeve të kalldrëmit dhe shtrimit të rrugëve me beton, por tek zhvillimi dhe ruajtja e vlerave të këtyre shtëpive, me qëllim që të rinjtë tanë të kenë një të ardhme sa më të mirë”. Por qytetarët se besuan.

Piramida betoni

Ashtu si nuk besojmë dikë ne që na ofron birrë. Dikush na pyet për zgjedhjet ndërkohë që afrohemi më këtej Hazmuratit. Ja këtu janë këto shtëpitë e mëdha. Ndërhyrjet janë të jashtëzakonshme. Këtu është një piramidë betoni, më thotë me pëshpërimë kolegu. Ja dhe një tjetër andej, shton pas pak. Në fakt, vendi do mbetej disi i panjohur nëse vetëm pak metra më tutje të mos ishte shtëpia e Profesor Çabejt, apo rrugica ku u vra Bimbashi i famshëm...Për të shmangur kuriozitetin në fotot tona pyesim pak sesi u zhvillua skena e vrasjes. “Kur erdhi këtu bimbashi e dinin. Ata erdhën që këndej...” dhe kthehet...Në atë vend tashmë luajnë fëmijë të vegjël. Kush e vrau Hodoja apo Bajrami?-pyesim. Kaq duhet që biseda jonë të shkasë. “Po ku dihet sot? Të vranë o bimbash të vranë, Bajram me Hito Labnë, këndohet...Janë këto krahinizmat, më thotë pas këngës burri...Kënga thotë se e vrau Çerçizi, po ai thjesht mori vendimin. Çerçizi thonë se ka qenë burrë, më shton pastaj. E shoqja jetoi deri vonë. Rinte te një Topollar dhe ka rrojtur deri vonë fare. Një grua e vogël me origjinë nga Zhulati. Nuk patën fëmijë dhe bënë pak jetë bashkëshortore, po ai ishte deli burrë. Dhe feminist”, më shton me fytyrën që i shkëlqen.

Kokobobojt dhe Skëndulajt

Shkëlqimi i tyre është i lidhur me librat. Në mos të ishin përmendur në vepra këto shtëpi do të ishin harruar. Por ja që Kokobobajt janë vetëm pak metra nga “Sokaku i të marrëve”. Ne fotografojmë në kërkim të ndërtimeve pa leje në Palorto, kur nag Kokobobajt, del rrufe dikush. “Kam bërë një kërkesë,- thotë një grua e re. Ja do futesh në këtë shtëpi kaçakshe, më shton fjalën dhe më heq udhë në një errësirë. Kam motrën këtu. Është me vajzën dhe me burrin. Kupton? E ndihmoj ç’ka mundësi...Do të jap një shtëpi e kanë gënjyer bashkia. Me forcë është futur këtu...Gjendja: dhe një qen e mace nuk jetohet këtu. S’ka banjo. Në oturak ja shiko. Është turp. Ankohen gjitonët për ne”...E tmerrshme indiferenca dhe si është përfunduar këtu. Pak metra më andej është dhe shtëpia e Skëndulajve. Është në pronësi private, por betoni është i pranishëm aty dhe përballë..Këtu në lagjen “Partizani” kemi shumë, më thotë me gjysmë zëri kolegu im, por betoni vazhdon në Mexhite, Hazmurat, Manalat, Dunavat...Pak kohë më parë lëvizja MJAFT do të bënte apele për bashkinë e qytetit që të mos ndërtohej më buzë rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavijë te ish zona e Postbllokut sepse terreni ishte njësoj i rrëshqitshëm me terrenin në të cilin u rrëzua pallati 5 katësh, pak kohë më parë. Asgjë. E gjithë kodra mbi të sot është e banuar. Leja është dhënë pa kriter në Drino, ku shtrati i lumit përmbyt ashtu si betoni ka marrë për mbarë të gjithë damarët e sipërm të qytetit janë. Betonizuar dhe mbaruar. Nga shumë prej rrugëve tradicionale me kalldrëm tani nuk ka më asnjë gjurmë.

Kotonat te Angonatët

Ka edhe raste të tjera. Këto janë të paktat pozitive. Kotonat bënë fillimisht një hotel në shtëpinë që u blenë Angonatëve. Familja Kotoni nga pak e rriti biznesin dhe punët për mirëmbajtjen e shtëpisë kryesisht i bëri dhe vetë. Punoi duke ruajtur vlerat dhe arkadat e brendshme dhe e kthyen në guest house, ku 7 dhoma janë pajisura të gjitha me banjë private. “Kemi krevate dopio dhe teke përfshirë dhe mëngjesin, më thotë amvisa e shtëpisë, një grua simpatike “E vërteta është se ky është investimi i parë i UNESCO, që u bë nga qyteti. Te pjesa jonë është bërë fasada dhe ne e kemi riparuar vetë. Arsyeja pse e bëmë vetë dhe nuk u qamë ishte se kishim biznesin dhe ai ishte funksional dhe ne investojmë ta bëjmë tradicionale. Filloi ndryshimi dhe vazhdoi se ishte i pari objekt i tillë në qytet. Shtëpia ka vlera jo vetëm të trashëgimisë, por sot ka arritur që të ketë nga e gjithë bota klientë”.

Dropullitja Vitori Kotoni është martuar me Haxhi Kotonin dhe ky biznes u ndryshoi vërtetë jetën. Sot kanë miq nga e gjithë bota dhe bujtës nga gjithë kontinentet. Kjo ishte përvoja ndryshe, ku në vend të betonit u mendua për gjënë tradicionale. Këtej filluan ndryshimet sepse kjo ishte dallëndyshja. Ata që e përflisnin në fillim Kotoni B&B (bread and breakfast) shpejt do të mikloheshin duke i imituar, kurse Kotonajt, do të përhapnin traditën e tyre në të gjithë Palorton. Anipse, kjo traditë e bukur ashtu si shpirti i gjirokastritëve, është i pafuqishëm përballë katrahurës së ndërtimeve, që po i merr frymën qytetit të gurtë. Largohemi me këtë imazh të mirë. Vetëm se në verën e vitit 2011, betoni është bërë shumë e më shumë familjar për banorët e qytetit të UNESCO-s.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama