Gjete Ndoj Ja deshmite e panjohura nga jeta dhe veprimtaria e Gjin Markut

Gjete Ndoj: Ja deshmite e panjohura nga jeta dhe veprimtaria e Gjin Markut
Cili është mendimi juaj i përgjithshëm për trevën e Mirditës?

Treva e Mirditës dhe populli i kësaj treve është vërtetë një popull që ekonomikisht mund të jetë mbrapa vendeve të tjera. Kjo ka një shpjegim sipas fakteve që unë kam përcjellë te libri “Mirdita dhe katolikët”. Zonat katolike rreth kësaj treve janë zonat më të veçanta të shqiptarëve në aspekt të përpjekjeve dhe të luftës për mbijetesë të vlerave themelore të kombit tonë. Kjo dëshmohet në histori dëshmohet kur studion personalitete, kur studion Klerin Katolik, veçanërisht institucionin e kishës Katolike që ishte një institucion ku nuk u tha thjeshtë fjala e zotit, po aty u mbajtën vlerat më themelore të mbarë popullit shqiptar.

Aty u ruajt gjuha shqipe që është vlerë e të gjithëve. Klerikët kryen gjithashtu dhe misionin e udhëheqjes së popullit dhe racës së tyre kundër armikut shekullor, kundër Turqisë, kundër pushtuesve. Kjo lidhet me një rrethanë historike sepse Turqia e pushtoi Shqipërinë goditi aristokracinë shqiptare. Familjet më të mëdha kanë qenë Kastriotët, Dukagjinët, etj. Të cilat krahasoheshin me familjet fisnike të Evropës. Pushtuesit janë përpjekur të shfarosin aristokracinë si pjesa drejtuese e popullit, ajo u godit shumë ashpër, kush mundi shpëtoi, iku nga Himara dhe në Italinë e Jugut. Një pjesë tjetër pranuan të islaminizoheshin. Në këto kushte aristokracia nuk mund të ishte elita e kombit. Dhe këtë mision e morën klerikët. Arsyeja  ishte se klerikët morën përsipër udhëheqjen e popullit të tyre.

Si është kuptuar kanuni nga të huajt, apo studiues të ndryshëm?

Ne shqiptarët duhet të pranojmë të vërtetat tona të cilat nuk na turpërojnë, por përkundrazi duhet ta shohim me realizëm dhe të kemi guximin e mjaftueshëm për ta thënë të vërtetën ashtu siç është. Ne jemi të nderuar para Evropës, sepse në qoftë se do të hulumtojmë shumë pak për të parë të vërtetën, ne do të dallojë thjeshtë se jemi një popull evropian. Për këtë ne më tepër po na merr zvarrë Evropa, se sa po tregojmë që jemi evropianë duke vazhduar nga mentaliteti, politika, dhe me institucione të tjera akademike që varen nga shteti.Ne kemi një lloj kanuni i cili është i rrallë ndër kombet e tjera, është një lloj kushtetute edhe shpirtërore, por dhe shtetërore në kuptimin e organizimit të këtyre vendeve që ju përmendët. Ç’mendim keni ju për këtë?

Kur perandoria osmane filloi të kalbëzohej, filloi të rilindë një shtresë fisnike, treva siç ishte Mirdita, Miran Shuflaj thotë “Mirdita, Himara, Lunxhëria qenë qelizat e para të shtetformimit të shtetit shqiptar”, kjo sepse krijuan më parë shtetin ose institucionet që i ngjajnë shtetit, të cilat kanë qenë të udhëhequra nga disa rregulla siç ka qenë Kanuni. Ne jemi një nga themelet e Evropës, gjuha shqipe sot është një nga dëshmitë jo thjesht e shqiptarëve, por është dhe një dëshmi autentike evropiane siç janë baskët, keltët. Gjuha shqipe është e vetme në botë e mbijetuar. Përsa i përket kanunit ne sot jetojmë në kohën e shtetit modern dhe nuk duhet të bëhet krahasimi i kanunit me shtetin, po për kohën që ka ekzistuar ka patur vlera të jashtëzakonshme të mbijetesës sonë.

Cilat janë ato ngjarje dhe shenja, të cilat janë ato më kryesore në tipizimin e shqiptarit?

Vlerë e rëndësishme themelore përveç gjuhës shqipe, do të theksoj faktin se sa po hyjmë në hulumtimin e historisë sonë, ne shikojmë se kemi një histori evropiane.  Shtëpia e lirisë shqiptar, tharmi i tyre është ruajtur në kishën katolike. Ne patëm një rilindje të vështirë, po më në fund shpëtuam, pavarësisht nga gjurmët që kanë lënë pushtuesit, gjurmë këto që nuk përkojnë me kulturën evropiane, pavarësisht nga kjo, ne mbetëm evropianë. E them këtë  sepse ne mbajtëm ato vlera themelore që karakterizojnë popullin tonë. Ruajtëm me fanatizëm gjuhën, traditën, zakonet dhe ne në fund të fundit dhe vendi jonë gjeografikisht është në Evropë, ne jemi në atë pozicion që kemi kontribuar për Evropën dhe ajo duhet të na përkrahë për këtë fakt. Po të isha romancier, do bëja një roman interesant, është shumë frymëzues ky fakt. Ne shqiptarët duhet të jemi krenarë dhe nuk duhet të jemi fare inferiorë para Evropës pasi kemi kontribuar ne më shumë për ata sesa ata për ne.

Sa vlejnë këto ngjarje, këto simbole në kohët e sotme për shoqërinë shqiptare?

Nga pasuritë më të mëdha të trashëgimisë tonë kulturore natyrisht  janë dhe simbolet, ku futen dhe heronjtë. Gjergj Kastriot Skënderbeu është i pranuar nga të gjithë si hero, për shkak të organizimit të qëndresës, ashtu siç kemi dhe Nënë Terezën që ka vlera humane botërore dhe për fatin tonë të mirë është pjesë e gjakut tonë. Këto vlera na japin një farë imazhi dhe na bëjnë pse jo krenarë. Natyrisht këto vlera ndikojnë në ndërgjegjen tonë, të heqin dhe komplekset që mund të ketë dikush. Shqiptarët janë të zotë të merren me shkencë, të merren me kulturë, janë të zotë të përfitojnë nga qytetërimet kanë egon dhe kurajën për të menaxhuar ekonominë, dhe lirinë.Le të kalojmë të figura historike nga Mirdita, Gjin Marku? Në ç’konkluzion keni arritur ju për këtë figurë?

Së pari do të doja të thosha diçka për të kaluarën e familjes së tij.  Pikërisht diku në shpatin e Malit të Skënderbeut, vargmal që e ndan territorin e kësaj treve të dëgjuar të Kthellës, me Malësinë Krujë-Tiranës, ndodhet Fushë-Molla, vendlindja e Gjin Markut. Ky fshat është më tepër një pikë panoramike, me një pamje të mrekullueshme. Në vitin 1927 Pjetër Marku vritet pabesisht në krye të detyrës, duke lënë katër fëmijë jetimë, dy djem e dy vajza. Më i madhi qe vetëm nëntë vjeç dhe e kishte emrin Gjin.

- “Gjin Marku kishte lindur më 2 qershor 1918  në fshatin Baz , në një familje me emër në atë krahinë. Kur vdes i ati i Gjinit,  Pjetër Marku, miku i këtij të fundit, Hysen Selmani, si dhe byrazeri i tij Abaz Kupi, e merr Gjinin 9-vjeçar dhe e dërgon në Tiranë, atje në “Strehën Vorfnore”.  Këtu Gjini mori mësimet e para të fillores dhe arsimit 5-vjeçar.  Në vitin 1932-1936, Gjin Marku mbaron shkollën e mesme Teknike “Harry Fultz”, po në Tiranë dhe më vonë në Kavajë(vetëm dy muaj), dega bujqësi. Pas mbarimit të shkollës emërohet agronom në rrethin e Korçës”.

Po pjesëmarrja e tij në lëvizjen komuniste si fillon?

Sapo emërohet në Korçë, Gjin Marku bie në kontakt me intelektualë korçarë, dhe bashkë me ta fillon dhe aktivitetin antifashist e komunist (1936), në kuadër të Grupit Komunist të Korçës, duke qenë një nga drejtuesit kryesorë të këtij grupi. Nëpërmjet Koço Tashkos, vëllezërve Gaço e Pilo Peristeri, etj. Gjin Marku njihet dhe me Enver Hoxhën, në atë kohë profesor në Liceun e Korçës. Propaganda antifashiste kishte nisur më përpara se Shqipëria të pushtohej nga Italia më 7 prill 1939, pasi ky(fashizmi) ishte një rrezik për njerëzimin shumë vite më parë(sidomos kur Partia e Musolinit në Itali, e sidomos kur Partia Nacional-Socialiste e Adolf Hitlerit kishte ardhur në pushtet në Gjermani. Gjin Marku ka qenë pjesëmarrës shumë aktiv që në fillimet e lëvizjes antifashiste e kjo duket në pjesëmarrjen e tij në demonstrata, e më vonë dhe në formimin e njësiteve e çetave partizane.

Në vitin 1940 formohet Dega e Grupit të Korçës në Tiranë, duke shënuar dhe zgjerimin e veprimtarisë antifashiste e komuniste të këtij grupi. Shumë veta kalojnë në ilegalitet, ndër to patjetër dhe Gjini. Në dokumentet e kohës të Zyrës Mbretërore të Policisë dhe të Kuesturës Fashiste, personat kryesorë të kësaj fotografie si: Gjin Marku, Vasil Shanto, Mihal Duri, Gaco Nasto, Niko Llagi, Ali Reci, Ferit Xhajku, Kajo Karafili, etj, tregohet se ishin në ndjekje nga organet e Pushtetit Fashist të vendosur në Shqipëri që më 7 prill të vitit 1939. Veprimtaria antifashiste e Gjin Markut në vitin 1941 e në vazhdim ka qenë intensive dhe e shumanshme. Përveç dëshmive, këtë e mësojmë dhe në dokumentet e kohës që po analizojmë, kryesisht në ato dokumente që bëhet fjalë jo vetëm për veprimtarinë e tij, por dhe ndjekjen e vazhdueshme të tij nga karabinieria dhe regjimi fashist.  Me 8 nëntor 1941,  formohet Partia Komuniste Shqiptare, ku Gjin Marku, një nga themeluesit kryesorë të saj, zgjidhet një ndër shtatë anëtarët e parë të Komitetit Qendror Provizor të Partisë Komuniste Shqiptare.

Një rol të rëndësishëm Gjin Marku ka luajtur në organizimin e lëvizjes komuniste në Pezë. Si qëndron e vërteta?

Pas themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare u zgjodh Komiteti Qendror Provizor i cili kishte si detyrë parësore organizimin e Partisë në gjithë vendin, për të luajtur rolin e saj në organizimin e luftës antifashiste. Në këtë kuptim u përcaktua si përparësi formimi i organizatave bazë të PKSH, veçanërisht pranë çetave territoriale që kishin filluar të krijoheshin në këtë kohë. Premisat për ta bërë një gjë të tillë, siç e përmendëm pak më lart për të formuar një organizatë partie qenë krijuar në Pezë. Përveç kësaj, ky organizim kishte një rëndësi të posaçme edhe se Peza ishte një zonë e përshtatshme për të qenë një bazë shumë e rëndësishme e veprimtarisë antifashiste të udhëhequr nga PKSH.  Kështu ndodhi. Komiteti Qendror Provizor ngarkoi Gjin Markun për të ndjekur dhe menaxhuar këtë mbledhje themeluese në Pezë pranë Çetës. Në këtë mbledhje morën pjesë 8 luftëtarë të kësaj çete si: Vasil Shanto, Mihal Duri, Ferit Xhajko, Pandi Nashi, Baki Staria, Loni Grazhdani, Qazim Prishtina dhe Zoi Themeli me në krye të deleguarin e PKSH, Gjin Markun.

Si e kujtojnë bashkëluftëtarët e Çetës së Pezës Gjin Markun?

Ish-luftëtari i kësaj çete, Sali Verdha, kujton se i ishte bërë qejfi kur kishte parë ish shokun e shkollës “Harri Fultz” Gjinin, si i deleguar i PKSH në Pezë. Verdha tregon se mbledhja vazhdoi debatet dhe punën për dy ditë. Në fillim propozimi për sekretar të organizatës u propozua Vasil Shanto. Ky propozim u hodh poshtë nga Gjini duke sqaruar se Vasili ishte më i madh se sekretar organizate pasi ishte Komisari i kësaj Çete. Pas kësaj ndërhyrje, u propozua Mihal Duri si Sekretar dhe u miratua njëzëri nga pjesëmarrësit, zv/sekretar u zgjodh Pandi Nashi. Më vonë kjo organizatë u rrit me shpejtësi, ndërsa Komandanti Myslim Peza u bë komunisti i vetëm pas çlirimit. Kështu u formua organizata e parë e PKSH në Shqipëri dhe fati ose diçka tjetër deshi që të ishte Gjin Marku përfaqësues i Komitetit Qendror Provizor të PKSH.

Si i shërbeu Gjin Markut përvoja e Pezës për t’u hedhur gjetiu në luftë?

Pas transformimit të Çetës së Pezës në një çetë partizane, ajo u kthye në një bazë shumë të rëndësishme të luftës Nacional Çlirimtare. Për këtë Sali Verdha kujton: “Edhe unë u bëra pas dy muajsh komunist. Të gjithë drejtuesit kryesorë të PKSH jo vetëm vinin në Pezë për të dhënë orientime e për të bërë plane, por këtu në Pezë ata vinin edhe për të mësuar artin ushtarak, Gjini i njihte të gjithë luftëtarët e çetës së Pezës, Komandantin Myslim Peza, por mikun më të ngushtë ka patur Mihal Durin”.

Një veprimtari të gjerë Gjini ka edhe në Qarkun e Beratit. A mund të na thoni diçka për këtë?

Në dhjetor të vitit 1941 caktohet me detyrë për ngritjen e njësive guerile antifashiste dhe orientimin e qartë të veprimtarisë antifashiste të çetave për çlirimin e Atdheut.

Kjo veprimtari organizative e luftës kryengritëse antifashiste e Gjin Markut, përfshin në fillim territoret e Lushnjës, Fierit, Mallakastrës, Beratit e deri në Skrapar e më gjerë.  Kur erdhi në Berat, Gjini u takua fillimisht me Kristo Isakun dhe me dy arsimtar nga Skrapari; Nuro Dobrusha dhe Tajar Grepcka. Takimi me ta ishte i rëndësishëm pasi nëpërmjet tyre Gjin Marku u njoh me situatën dhe u orientua shumë shpejt në të. Këta e njohën që në fillim Gjin Markun me çetën e Mestan Ujanikut, një çetë territoriale kaçakësh kjo deri në fillim të vitin 1942. Që në bisedën e parë që bënte fjalë për transformimin e çetës nga territoriale në një çetë me program antifashist, komandant Mestani e shikoi me shumë simpati Gjin Markun, për frymën antifashiste dhe atdhetare që manifestonte dhe sidomos  për shkak të një mënyre komunikimi shumë interesante që kishte i ngarkuari nga Qendra. Me formën e re që mori çeta, me flamur në dorë shëtitën në shumë fshatra të Skraparit. Gjatë këtyre lëvizjeve Gjin Marku përcillte mesazhe antifashiste e patriotike, ndërsa mënyra e komunikimit tërhoqi vëmendjen dhe simpatinë e atij populli trim e bujar. Skënder Malindi në lidhje me këtë lidhje shumë të çuditshme të Gjinit me popullin e Skraparit thotë: “kjo ndër të tjera ndodhi edhe pse dy trevat; Skrapari e Mirdita ngjasojnë në shumë gjëra, zakone e tradita me njëra-tjetrën. Për një kohë shumë të shkurtër Gjini fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm dhe në këtë kuptim fjala e tij ishte ligj”.
                                
Ky autoritet dhe gatishmëria e atij populli për t’iu përgjigjur thirrjeve dhe udhëzimeve antifashiste të Gjin Markut, organizimi i njësive luftarake antifashiste etj, përbënin tashmë një shqetësim jo vetëm për komandot e njësitë ushtarake fashiste në Çorovodë e Berat, por një shqetësim serioz për autoritetet fashiste italiane deri në Tiranë. Veprimtaria organizuese, me frymë dhe karakter antifashist e Gjin Markut u shtri jo vetëm në Qarkun e Beratit që përfshinte zonën nga Skrapari e deri në Lushnjë- Fier-Mallakastër, por dhe jashtë tij si: në Vlorë, Tiranë, etj. Këtë veprimtari e faktojnë edhe dokumentet e asaj kohe

Si ishin marrëdhëniet e Gjin Markut me “Ballin Kombëtar”?

Në vitin 1942 Skrapari bëhet vendi ku lindi e u frymëzua “Lëvizja Balliste”. Frymëzuesit e kësaj lëvizje ishin intelektualë skraparllinj si Abaz Ermenji, Muharrem Kapllani etj. Megjithëse skraparllinjtë -tregon Skënder Malindi-, nuk mundën asnjëherë të kishin influencën e Gjin Markut. Ndoshta kjo edhe për arsye se “Balli” u krijua, kur misioni që kishin skraparllinjtë me Gjin Markun për lirinë e vendit në luftën kundër fashizmit,  kishte nisur dhe ishte e pamundur të mbetej në gjysmën e rrugës. Nga ana tjetër siç e pohojnë bashkëkohësit veteranë të Luftës na rezulton se një nga meritat e mëdha të Gjin Markut është se; Ai nuk e shfrytëzoi asnjëherë fuqinë e tij për të djegur e për të vrarë kundërshtarët e tij ballistë etj. Kjo qe pikërisht pika më e fortë e tij ç’ka e bënte atë të ishte njeriu më influent, jo vetëm në Skrapar, por edhe në Berat , Përmet, Mallakastër, Fier, Lushnje etj.

Në pranverë të vitit 1943 krerët ballistë, Abaz Ermenji dhe Muharrem Kapllani i propozuan Gjinit organizimin e një aksioni të përbashkët “Ballisto-Partizan”, për çlirimin e Beratit. U ra dakord, por në momentin kur ballistët ngulën këmbë që në shtabin drejtues të këtij operacioni do të kishte tre ballistë dhe vetëm 1 partizan Gjin Marku e hodhi poshtë këtë projekt që mbeti vetëm në letër. Arsyeja kryesore lidhej me faktin se raporti i forcave ishte krejt tjetër në terren në mënyrë të pakrahasueshme dhe në favor të forcave partizane të udhëhequra nga Gjini. Po kështu kundërshtimi lidhej dhe me faktin tjetër se në rast fitoreje, Balli kërkonte të përfitonte në kurriz të forcave partizane kredibilitetin e udhëheqjes së “Luftës” , kur në terren kishin pak forca. Megjithatë ballistët provuan të nisnin një aksion i cili dështoi, pothuajse pa nisur.

Dhe si shpërblim për gjithë këto energji, ideale dhe përkushtim që i kushtoi komunizmit, Gjin Marku u shpërblye me “me vdekje”, në mungesë. Si ndodhi?

Pas çlirimit Gjinit i dhanë disa dekorata e grada, por duke u trajtuar më pak se disa të tjerë që për nga kontributi i tyre në luftë ishin shumë larg Gjin Markut. Kuvendi Popullor, në vitet e para të pas çlirimit e pati dekoruar me Urdhrin “Medalja e Kujtimit”, me Urdhrin tjetër “Medalja e Çlirimit”, etj, por asnjëherë me medaljen “Hero i Popullit” që e patën përfituar disa drejtues të Luftës Nacional Çlirimtare. Deri në vitin 1948, Gjini kishte vazhduar Akademinë Superiore “Voroshollov” në Moskë dhe njëkohësisht Atasheu ushtarak pranë Ambasadës tonë në Bashkimin Sovjetik. Me debatet që bëri Gjini në Kongresin Parë të PKSH me Enverin, nuk u lejua të vazhdonte më në Moskë. Në vitin 1949 qenë dhënë gradat, ku me Gradën e Gjeneralit u graduan disa, ndër to dhe Gjini.

Pas Kongresit I të PKSH, (Që në këtë Kongres mori emrin Partia e Punës e Shqipërisë, PPSH), u dhanë postet kryesore të Pushtetit të Komunist. Caktimi i Gjin Markut në detyrën e Komandantit të Artilerisë në vitin 1948 dhe në vitet 1951-1953 Komandant i Shkollës së Bashkuar e shprehte qartë tendencën për ta spostuar gradualisht ish udhëheqësin dhe ish komandantin e famshëm të luftës. Më tej koha na ndihmon ta shohim më qartë këtë tendencë.

Në vitin 1953-1955, Gjin Marku emërohet Komandant Korpusi në Elbasan.  Në vitin 1955, kthehet nga Elbasani në Tiranë për tu emëruar në detyrën e Komandantit të Komandës Lokale Kundër Ajrore, detyrë të cilën Gjini e mban deri në vitin 1961. Në fillim kjo Komandë që në vartësinë e Ministrisë së Brendshme dhe vazhdoi edhe dy muaj të tjerë kur shkoi këtu Gjini. Më vonë kjo Komandë u bë pjesë e Ministrisë Mbrojtjes. Gjini gjatë kësaj periudhe e kishte zyrën jashtë godinës së Ministrisë diku pranë ish Hotel “Internacional”, një zyrë shumë e thjeshtë dhe pa ndonjë rëndësi të madhe.  Në korrik të vitit 1961, Gjin Marku shkarkohet edhe nga kjo detyrë për t’u emëruar Drejtor i Fermës Llakatundit, në rrethin e Vlorës, deri në prill të vitin 1963. Problemi më i madh që ka patur Enveri për Gjin Markun ka qenë gjithmonë fakti se ishte shumë e vështirë të formulonte një akuzë për të.

Gjini ishte kaq i njohur si patriot dhe komunist njëkohësisht çka përbënte një problem për ta dënuar atë. Megjithatë u krijuan struktura nga ish Sigurimi i Shtetit, jo vetëm për ta survejuar hap pas hapi atë, por dhe për ta denigruar nëpërmjet shpifjeve, inskenimeve e kombinacioneve të pafundme, duke u futur deri në jetën e tij familjare. Dënimi i Gjinit dukej se ishte detyrë që duhej kryer me çdo kusht dhe kështu ndodhi.

Dhe, sikur të mos mjaftonin këto, duhej edhe burgosja e Gjin Markut. Apo jo?

Po. Saktë. Në këtë situatë të vështirë, në prill të vitit 1963, Gjin Markun e internojnë në Zvërnec të Vlorës, internim që zgjati deri në vitin 1967. Në këtë kohë bashkëshorten Natali Markun bashkë me të katër fëmijët e ndajnë nga Gjini, duke i internuar në Kënetën e Hoxharës, në Fier. Kështu  internimi i Zvërnecit nuk qe një internim , por një burg i vërtetë. Këtu Gjini u takua ndër të tjerë dhe me disa shokë të luftës që vuanin dhe ata të njëjtën gjë, si: Kasem Trebeshinën, Pëllumb Dishnicën, të cilin Gjini e pati vlerësuar qëndrimin e tij këtu si shumë dinjitoz, Maco Comon, Xhavit Qesjen, etj.

Vetëm pas 4 vjet përpjekje të Sigurimit të Shtetit, arriti të montohej një akuzë për Gjin Markun ajo e “Agjitacion-Propagandës” kundër Partisë e Pushtetit Popullor, duke e dënuar me 10 vjet burg. Kështu Gjin Marku u dënua për herë të tretë nga Diktatura Enveriste. Në vitin 1986, Gjini vuan nga një sëmundje e pashërueshme. Kishte edhe një vit sipas llogarisë për të vuajtur në burg. Në raportin mjekësorë qe përcaktuar qartë se sëmundja e tij qe e pashërueshme. Mbi këtë bazë familja e Gjinit bëri një kërkesë-lutje, për ta nxjerr para kohe nga burgu me qëllim që të paktën të vdiste në shtëpi. Kjo kërkesë  nuk mori përgjigje pozitive. Pasi sëmundja e rëndoi shumë, Gjinin, në maj 1986 e dërguan  në spitalin e burgut në Tiranë, ku ndërron jetë më gjashtë gusht 1986. Ndoshta ky qe i vetmi shpëtim për Gjin Markun.

Ndonjë detaj nga jeta e tij intime dhe familjare?

Në vitin 1945 u bë njohja dhe Gjini bën fejesën me Natalin. Në vitin  1947 u bë martesa dhe zoti i fali këtij çifti të mrekullueshëm katër fëmijë, dy vajza e dy djem, përkatësisht: Svetllanën me 31 tetor 1948, Aleksandrin më 1950, pastaj vjen Rita në 1952 dhe i fundit lindi Kastrioti në vitin 1954.

Që në vitin 1963, kur Gjini internohet në Zvërnec, bashkëshortja Natali dhe të katër fëmijët internohen në Fier, në Hoxharë, duke i ndarë për së gjalli nga babai i tyre. Fillojnë dhe ata një kalvar vuajtjesh që s’ka fund. Natyrisht që në fillim ata vuajnë,  ndonëse arsyen e persekutimit i mësojnë më vonë, kur rriten. Dhimbje, mall për babanë e tyre, diskriminimi në shoqëri, përndjekja sistematike nga sigurimi i Shtetit, varfëria ekonomike, humbja e së drejtës për tu arsimuar etj, janë disa nga komponentët e kësaj dhimbje tragjike. Jo vetëm kaq, por njëri prej djemve, Aleksandri bëri dhe ai pesë vjet burg politik, vetëm se kishte babin e tij “armik”. Pas vitit 1990, Aleksandri figuron i humbur dhe akoma s’dihet saktësisht fati i tij.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama