Gjermeni Per Shqiperine ka shume paragjykime. Ja sfidat per 2015

Gjermeni: Per Shqiperine ka shume paragjykime. Ja sfidat per 2015

Të gjithë ata që e kanë vizituar një herë Shqipërinë, nuk ngurojnë të kthehen një herë të dytë. Bukuritë e shumta natyrore që ka ky vend i vogël i kanë mahnitur të gjithë, duke mbushur faqet dhe kopertinat e shumë prej revistave dhe gazetave më prestigjoze të botës.

Turizmi në Shqipëri po shihet çdo vit e më shumë si e ardhmja e këtij vendi, si motorr i zhvillimit ekonomik e punësimit të njerëzve. Ka akoma shumë punë për t’u bërë në drejtim të zhvillimit të turizmit, ndaj dhe vëmendja e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit është e gjitha e fokusuar këtu.

Gjermeni thotë se sezoni veror turistik ka qenë goxha pozitiv për Shqipërinë krahasuar me vitin 2013. Ajo tregon se është rritur numri i turistëve me mbi 20 % apo 25 %, është rritur koha e qëndrimit të tyre në Shqipëri, është rritur edhe niveli i të ardhurave që turizmi jep për ekonominë shqiptare mbi 30 %, krahasuar me vitin 2013 (për 6 mujorin e parë sipas Institutit të Statistikave).

Ministrja thotë se është punuar shumë që të lehtësohen të gjitha procedurat e kalimit dhe pritjes në kufi. Veçanërisht për ardhjen e shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, në mënyrë që të lehtësohet ardhja e tyre e mos të presin me orë të tëra në kufi.

“Kemi punuar fort që të lehtësohen të gjitha procedurat e kalimit dhe pritjes në kufi, sidomos të ardhjes së shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe Mal i Zi, duke e lehtësuar ardhjen e tyre dhe duke mos lejuar të presin me orë të gjata aty.

Nga ana tjetër, mendoj që edhe përsa i përket mikpritjes këtu, edhe për sa i përket kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre dhe gjeografisë së vizitave në Shqipëri, këtë vit ka qenë më e madhe se vitet e kaluara.

Nëse pak vite më parë kryesisht vizitohej Durrësi, shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia shkojnë tani në Shëngjin, Velipojë, Dhërmi, Sarandë, edhe Pogradec pse jo”, thotë Gjermeni për Kosovapress.

“Në 2014 patëm një rritje të konsiderueshme të numrit të turistëve që vijnë nga vende të ndryshme; Itali, Poloni, Çeki, Austri, Gjermani, Japoni, Suedi, SHBA.

Pra ka pasur edhe këtu një gjeografi më të madhe të përfaqësimit të vizitorëve përgjatë sezonit veror turistik”, tha ajo.

Gjermeni thotë se turizmi kulturor mbetet komponent i rëndësishëm dhe trashëgimia kulturore mund të vizitohet përgjatë të gjithë vitit e jo thjesht vetëm për sezonin veror.

Ajo thotë se strategjia e zhvillimit të turizmit 2014-2020 është fokusimi i punës me intensitet për të promovuar Shqipërinë. Ajo përmendi zhvillimin e produkteve turistike të cilat janë atraktive për turistë vendas dhe të huaj.

Gjermeni thotë se promovimi i Shqipërisë është një sfidë e hapur. Sipas saj, shpesh ka pak informacione për Shqipërinë, edhe në ato raste që ekziston, perceptimi nuk është ai i duhuri.

“Komponent kryesor është patjetër pjesëmarrja në panaire ndërkombëtare dhe përfaqësimi me dinjitet aty, patjetër marrëdhënia shumë e ngushtë me mediat; bashkëpunojmë me ambasadat tona kudo në botë; bashkëpunojmë me artistë apo me emra të njohur nga Shqipëria, që janë në botë, që jetojnë atje dhe që janë me të vërtetë ambasadorë shumë të mirë për të na promovuar”, tha Gjermeni.

“Këtë vit që kaloi kemi bërë dhe një konkurs ndërkombëtar ‘Branding Albania’ dhe një kompani amerikane ishte fituese e konkursit.

Me këtë kompani po përgatisim një strategji promovuese për ‘brandimin’ e Shqipërisë për vitin 2015. Ne kemi licencuar si ministri disa guida që ishin guida profesionale të trajnuara dhe që ushtrojnë veprimtarinë këtu dhe kemi realizuar një projekt pilot për trajnimin e guidave të tjera.

Mendojmë që me miratimin e ligjit të turizmit ligj që thuajse ne e kemi përfunduar do të vendoset një standard i ri në fushën e turizmit në Shqipëri, konkretisht për licencimin e guidave, operatorëve turistikë; kriteret për to, klasifikimin e hoteleve si dhe tërheqjen e investimeve të huaja në fushën e turizmit”, thotë ajo.

E për vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri, ministrja Gjermeni thotë se i ka bërë një promovim të mirë imazhit të Shqipërisë. Sipas saj, ajo vizitë nxori në pah vlerat e Shqipërisë.

Megjithatë, ajo thotë se me ligjin e turizmit do të ketë kritere dhe standarde qoftë për të punësuarit, qoftë për nivelin profesional të tyre.

Një nga problemet që e ka shoqëruar përherë turizmin shqiptar është mungesa e kulturës së shërbimit ndaj turistëve, akomodimi ku hotelet reklamohen si shërbim luksi me 4 apo 5 yje, e që në realitet është krejt e kundërta. Për këtë, Gjermeni thotë se nuk është në të gjithë Shqipërinë.

“E kemi pjesë të strategjisë edhe këtë komponent në bashkëpunim edhe me sektorin privat. Kemi shkruar edhe projekte, po kërkojmë mundësi bashkëpunimi edhe me donatorë që të na mbështesin për të ofruar trajnime.

Ky problem i cilësisë së shërbimit, nuk është kudo në Shqipëri, shikojmë Tiranën dhe Durrësin që dallon; kanë investuar shumë edhe në formimin profesional edhe në trajnimin e tyre.

Shpesh herë më ka ndodhur që emigrantë shqiptarë që kanë punuar në Itali, Greqi apo diku tjetër po kthehen dhe po investojnë, dhe po shikojnë që kultura e shërbimit është vërtet shembullore dhe shumë profesionale.

Sërish dhe me ligjin e turizmit do të ketë kritere edhe standarde qoftë për të punësuarit, qoftë për nivelin profesional të tyre, që të klasifikohen, kështu që mendoj se do të jetë edhe interesi i sektorit privat për të rritur profesionalisht stafet e tyre”, thotë ajo. /gj.k/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama