Gjermeni Enti i banesave do te ndertoje 215 apartamente

Gjermeni: Enti i banesave do te ndertoje 215 apartamente

Studimet mbi strehimin e të pastrehëve kanë treguar që Shqipëria ka aplikuar në projekte të dështuara, kjo pasi 80 për qind e kësaj shtrese nuk përballojnë kushtet për të aplikuar në marrjen e kredisë së butë. Në prezantimin e studimeve, Eglantina Gjermeni, ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit deklaroi dje se në vitin 2015 Enti i Banesave do të bëjë ndërtimet për apartamentet e banesave sociale.

Në vitin 2015 pritet të ndërtohen 215 apartamente për strehimin e shtresave vulnerabël dhe totali i investimit për këtë qëllim do të jetë 646 milionë lekë. Fondi që është parashikuar të të kalojë për përmirësimin e kushteve të banimit për 180 familje rome është 90 milionë lekë. Këto investime do të bëhen për përmirësimin e infrastrukturës. Zv/ministrja e Mirëqenies Sociale, Bardhylka Kospiri, deklaroi se ky studim do të ndihmojë në realizimin e politikave më të përshtatshme për shtresat në nevojë. “Strehimi për familjet në nevojë është transformuar në një sfidë të vërtetë. Në bazë të një studimi të Kombeve të Bashkuara, vetëm 20 për qind e aplikuesve për një banesë sociale kanë arritur të përfitojnë, pasi kërkesat janë të papërballueshme për familjet që jetojnë në nivel varfërie” - u shpreh Kospiri. 80 për qind e kërkesave të qytetarëve për banesa sociale kanë dështuar pasi nuk i përballonin dot kërkesat.

Në bazë të një studimi programet sociale të strehimit mund ti përballojnë vetëm familjet me të ardhura mesatare 6-8 herë më të larta se niveli i varfërisë. Ndërkohë që pritshmëritë për përmirësimin e kushteve të strehimit të 700 familjeve të pastreha janë të shtrira në një plan afat gjatë deri në vitin 2020. Ndërsa për këtë vit të pastrehët në të gjithë vendin nuk do të kenë mundësi të sigurojnë një vend për të fjetur. Kjo pasi skema e kredive për banesa sociale do të vazhdojë të mbetet e bllokuar deri në fund të vitit. Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni pranoi se strehimi mbetet problem i mprehtë pavarësisht angazhimit. Me sa duket bashkëpunimi me shoqatat e ndërtuesve nuk ka rezultuar i frytshëm, pasi në treg ka banesa bosh, por nuk mund të hyjnë të pastrehët. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama