Djaloshi 10-vjeçar, Tanishq Abraham, i cili në moshën 4-vjeçare ishte një nga amerikanët më të rinj të pranuar në shoqërinë e inteligjencës së lartë Mensa, ka mbaruar sot gjimnazin. Abraham tha për stacionin e lajmeve vendas KXTV se puna nuk ishte e vështirë por as e lehtë. “Mënyra sesi funksionon truri im është kështu, ti më thua diçka, informacioni rreth asaj çështje vjen në mendjen time,” sqaroi ai. “Nuk e di se çfarë është, por di që kështu funksionon për mua.” 10 vjeçari tha se ai aspiron të bëhet doktor ose shkencëtar, por shpreson që një ditë të bëhet edhe president. Tanishq Abraham është gjithashtu një person shumë i njohur te vendasit, ku ka mbajtur edhe një fjalim për TedX në moshën 9-vjeçare. Djaloshi do fillojë studimet universitare në Universitetin e Kalifornisë.