Gjenden eshtrat e Ferit Pashe Vlores te perdhosura ne vitet 70

Gjenden eshtrat e Ferit Pashe Vlores, te perdhosura ne vitet '70

Pas kërkimesh të gjata, janë gjetur dje në Kaninë të Vlorës eshtrat e një prej kryeministrave të fundit shqiptarë të Perandorisë Osmane, Ferit Pashë Vlora.

Kanë qenë përpjekjet e një prej pasardhësve të tij, nipit të Eqrem Bej Vlorës, Ervin Vlorës, që çoi në gjetjen e vendndodhjes së eshtrave të një prej burrave më të fuqishëm të Perandorisë Osmane gjatë sundimit të Abdulhamidit II. I pranishëm në këtë proces ka qenë edhe piktori Avni Delvina, nip i patriotit Avni Bej Delvina, një tjetër degë pasardhëse e Vlorajve, i cili tregon se nuk ka qenë aspak e thjeshtë, për shkak se eshtrat e Ferit Pashës janë zhvarrosur rreth 45 vjet më parë.

“Ferit Pasha u nda nga jeta në vitin 1914 në Sanremo, duke lënë si amanet të varrosej pranë të afërmve të tij në Vlorë, në Kaninë. Pas shpalljes së Shqipërisë si shteti i parë ateist në botë, rreth viteve 1970, tyrbja ku ai u varros u prish dhe kjo figurë kolosale e shqiptarit që u ngjit në majat më të larta të hierarkisë botërore u hodh pranë një kanali”, thotë Delvina.

Që me kthimin në atdhe dhe rivarrimin e eshtrave të Eqrem Bej Vlorës, nisën kërkimet për gjetjen e eshtrave të një tjetër Vloraj, që dikur prehej në të njëjtin vend. Sipas Delvinës janë bërë kërkime të vazhdueshme, janë pyetur shumë banorë të fshatit.

Edhe pse kanë kaluar vite që atëherë dhe koha ka marrë me vete shumë dëshmitarë që e përjetuan me një gjendje ankthi prishjen e tyrbes dhe nxjerrjes prej andej të eshtrave të Ferit Pashës, ka ende nga ata që e kujtojnë mirë atë ngjarje.

Trupi i paprishur e ish-kryeministrit të balsamosur u kishte mbetur në mendje fshatarëve. Një ndër ata që ndihmoi për gjetjen e tyre ishte pikërisht i biri i kujdestarit të parë të varrezave të Kaninës, i cili asokohe ishte ende fëmijë, por imazhin e kufomës së paprekur e ka ende të gjallë në kujtesë. Pas gërmimesh në zonën ku mendohej se ishin hedhur eshtrat, u bë e mundur gjetja e tyre dhe rivarrosja në varrezat e fshatit. I vendosën mbi krye një pllakë të thjeshtë me emrin e tij, me shpresën që në të ardhmen të rindërtohet sërish tyrbja ku preheshin eshtrat e këtij burri shteti.


KUSH ISHTE FERIT PASHA

Ferit Pasha lindi në vitin 1852 në Janinë, i biri Mustafa Pashë Vlorës, një tjetër shqiptar me pozitë në Perandorinë Osmane, guvernator në provinca të ndryshme të perandorisë; vëllai i Syrja Bej Vlorës dhe xhaxhai i Eqrem Bej Vlorës, njëkohësisht kush- ëri me Ismail Qemalin. Pasi kreu shkollimin në Zosimea, do të punonte pranë të atit. Në vitin 1879, sipas programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për përhapjen e arsimit dhe lëvrimin e gjuhës amtare, u ngrit në Stamboll Shoqëria e të Shtypurit të Shkronjave Shqip, një ndër themeluesit e së cilës ishte edhe Ferit Pasha. Me një kulturë të madhe, njohës i arabishtes, frëngjishtes, italishtes, greqishtes e pa dyshim shqipes, në administratën osmane pati detyra me rëndësi, deri në caktimin Vezir i madh në vitin 1903, posti më i lartë i Perandorisë, të cilin e mbajti deri në vitin 1908.

Më tej u caktua senator, guvernator i Izmirit, ministër i Brendshëm dhe President i senatit. Gjatë sundimit të shkurtër të Princ Vidit, nuk pranoi propozimin e Fuqive të Mëdha për t’u bërë kryeministër i Shqipërisë. U vendos në Europë dhe vdiq në Sanremo në 11 dhjetor 1914. Vetëm 6 ditë më pas, trupi i pajetë u soll në Shqipëri, në Kaninë, sipas amanetit të tij.

Por diktatura ishte një sistem që dhunonte edhe varret. Eshtrat e Ferit Pashës u nxorën prej tyrbes dhe u hodhën në një gropë jashtë varrezave të Kaninës, pa i vënë qoftë edhe një gur mbi kokë. Dje, më në fund, ai u pre i qetë në një varr të thjeshtë, me një emër mbi krye dhe me tufa lulesh për të nderuar kujtimin e tij.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama