Që prej fundit të muajit gusht, tregu i makinave ka filluar të “lëvizë” pas bllokimit për shkak të taksave të larta që parashikonte ligji më mëparshëm, kryesisht për shitjet brenda vendit. Një numër i madh qytetarësh kanë vendosur të shesin makinat e tyre në përdorim me qëllim marrjen e tjerave, një gjë që pasqyrohet edhe nga rritja e numrit të makinave në qarkullim me mbishkrimin “shitet” si edhe të lajmërimeve në shtyp apo internet. Pronarët janë të vetëdijshëm për uljen e çmimit të automjeteve, një gjë që prek më së shumti ata që duan të shesin një makinë, por edhe tregtarët e automjeteve. Rritja e ofertës së brendshme, por edhe mundësia për të blerë makina nga jashtë duke shmangur pagesën e doganës ka shtuar numrin blerjeve. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave konfirmon faktin se në Shqipëri zhdoganohen çdo ditë rreth 100 makina.
Çmimi i një makine në treg është ulur me mesatarisht 100 mijë lekë. Në kushtet kur kanë paguar doganën me ligjin e mëparshëm, tregtarët duhet të mbulojnë uljen e çmimeve duke zbritur paratë nga fitimi i tyre.
Më të penalizuarit nga ky ndryshim janë ata që kanë aktualisht në përdorim një automjet. Çdo automjeti që qarkullon sot në vend nuk mund të shitet më me çmimet e tregut që ishin para futjes së sistemit të ri të taksave për makinat. Aktualisht në të gjithë vendin qarkullojnë rreth 350 mijë autovetura. Pra, ligji i ri për makinat ka prekur drejtpërdrejtë këtë pjesë të shoqërisë të cilëve iu është zhvlerësuar automjeti dhe nuk mund ta shesin më me çmimin që kishin menduar më parë edhe në qoftë se kanë ndërmend të blejnë një makinë të re.
Forma tjetër e penalizmit për këtë kategori shoferësh është edhe taksa e re mbi karburantin. Kjo taksë u vendos me filozofinë e ndalimit të përdorimit të makinave të vjetra dhe që konsumojnë shumë karburant dhe stimulimit të futjes së atyre të reja me konsum më të pakët. Heqja e doganës së makinave dhe kjo politikë u bazua në taksimin me 5 lekë për litër të karburanteve (6 lekë me gjithë TVSH). Nëse me këtë vendim privilegjohen ata që kanë blerë makina pas datës 24 gusht kur ligji hyri në fuqi, penalizohen rendë ata që kishin një makinë në përdorim pasi nga njëra anë nuk përfitojnë nga heqja e doganës dhe nga ana tjetër duhet të paguajnë taksë ekstra për karburantin.
Më mirë ta blesh makinën këtu apo jashtë?
Më të fituarit janë ata që do ta blejnë tani makinën. E shoqëruar edhe me heqjen e regjimit të vizave me vendet e BE-së, ata kanë privilegjin që të shkojnë ta zgjedhin vetë makinën e tyre. Sigurisht që një gjë e tillë ka kosto shtesë aq sa ndonjëherë është më ekonomike ta blesh makinën në vend. Duhet marrë parasysh që çmimi i pasqyruar në sitet e ndryshme të makinave të përdorur nuk do të jetë ai që ju do të paguani nëse shkoni vetë për t’a blerë makinën vetë. Këtij çmimi i duhen shtuar edhe kostoja e çregjistrimit të automjetit në vendin ku e blini, koston e udhëtimit, qarkullimit atje, etj. Para një vendimi për të blerë vetë makinën në vendet e BE-së, duhet bërë një bilanc midis çmimit që do të paguhej nëse makina do të blihej në Shqipëri dhe kostos totale nëse automjeti do të blihej në vendin e origjinës duke shkuar vetë atje.
Marrja e një makine të targuar të heq kokëçarjet e nxjerrjes së dokumenteve. Nëse makina është e targuar dhe taksat e paguara i kursen vetes shpenzime të tjera ekstra por edhe harxhim kohe për përmbushjen e detyrimeve të tilla siç është kryerja e kontrollit fizik, pagesa e taksave apo kontrolli teknik siç është koalidimi. Kështu për shembull, në momentin kur blihet një makinë nga jashtë, fillimisht kryhet kontrolli fizik i saj, ku verifikohet përputhja e të dhënave teknike me dokumentacionin. Më pas, shkohet në pagesën e taksave dhe bërjen e koalidimit. Një gjë e tillë është kthyer në makth për shoferët. Përgjatë gjithë muajve të verës pika e rradhë të gjata ku shumëkujt i është dashur të shkojë për disa ditë më radhë për të bërë koalidimin. Tirana është shembulli me konkret ku pika e Kontrollit Teknik në afërsi të aeroportit të Rinasit mbi popullohet çdo ditë nga dhjetëra dhe qindra makina, të cilat qëndrojnë në rradhë për orë të tëra deri në bërjen e koalidimit.
Ekspertët kundër Kodit Rrugor: Nuk parandalon aksidentet
Ndryshimet që po i bëhen Kodit Rrugor cilësohen nga ekspertët si të gabuara dhe që nuk do të ndikojnë në asnjë rast në rregullimin e situatës. Një prej tyre, Kryetar i Shoqatës së Ekspertëve Autoteknikë për aksidentet rrugore, Gëzim Hoxha thotë për “Shekullin” se ndryshimet e Kodit duhet të bëhen mbi bazën e një studimi dhe jo nën trysninë e politikës. Hoxha, ngre si shqetësim liberalizimin e mësimdhënies në autoshkolla, mungesën e standardeve në riparimin e makinave dhe nivelin e lartë të gjobave që parashikohen në Kodin e ri Rrugor.
Zoti Hoxha, parlamenti ka kaluar në Komisionin e Sigurisë një projekt për disa ndryshime në Kodin Rrugor. A jeni njohur ju si shoqatë e ekspertëve autoteknikë për aksidentet rrugore, me këtë projekt dhe cili është mendimi juaj ?
Disa kohë më parë unë jam njohur rastësisht me këtë projekt për disa ndryshime në Kodin Rrugor dhe kam insistuar për të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, por edhe pse u futa aty, nuk mu dha e drejta e fjalës. Kjo mendoj se është tendencë për të mbyllur gojën e grupeve të interesit dhe për fat të keq Parlamenti nuk e bën për herë të parë një gjë të tillë. Në kohën kur është bërë ndryshimi i fundit përpara këtij të kryer aktualisht aksidentet ishin të shumta dhe natyrisht kërkonte edhe një vëmendje nga ligjvënësit për të forcuar ligjet për të ndikuar në parandalimin e aksidenteve. Ka ndodhur e kundërta Parlamenti e zbuti, për shembull kërkesën profesionale për mësimdhënien në autoshkolla, që është elementi kryesor dhe që i paraprin përgatitjes së kandidatëve për drejtues automjetesh. Aktualisht ndryshimet në ligj, i japin të drejtën kujtdo që është arsimuar në inxhinieri mekanike, pavarësisht se ai nuk ka kryer dhe nuk ka zhvilluar asnjë orë për automobilat në shkollë. Parlamenti, pa marrë mendimin e specialistëve, ndryshoi nenin 121. Ai nen ishte në rregull, pasi përjashtonte ata inxhinierë që nuk kishin njohuri për automobilat dhe ishte i saktë. Këto ndryshime të shpeshta që i bëhen ligjit kanë ndikuar në rritjen e aksidenteve pasi në autoshkolla japin mesim inxhinierë mekanikë, të cilët që nuk janë diplomuar në degën transport.
Ndryshimet e propozuara kanë bazën e një analize apo studimi, që vjen si pasojë e gjendjes së rrugëve në vend dhe aksidenteve të shumta të ndodhura ?
Propozimet janë tërësisht nga Drejtoria e Policisë Rrugore në kushte trysnie. Kjo vjen për faktin së të gjithë ne vijnë nga një sistem diktatorial dhe zgjidhjen e kërkojmë tek masat administrative, por në fakt nuk është kështu. Policia Rrugore ka bërë një volum të madh pune veçanërisht me strukturën e re, që të gjithë ne i shohim se ata janë të kudondodhur, po aksidentet përsëri qëndrojnë në të njëjtin nivel. Pra policia e bën detyrën, atëherë shtrohet pyetja përse ndodhin aksidentet rrugore? Kjo duhet përmirësuar
A ka një studim përse ndodhin aksidentet rrugore?
Nuk ka studim për shkaqet aksidenteve rrugore sepse nuk është ngritur asnjë një grup pune me specialistë. Kjo duket qartë edhe nga të dhënat që kanë dikasteret përkatëse, të cilat nuk janë dhe nuk mund të jenë në të njëjtin mendim, pasi Policia Rrugore mban evidence sipas raportimit të policisë së rrethit përkatës, Drejtoria e Sigurisë Rrugore mban evidencë sipas raportimeve të strukturave të saj dhe ajo që nxjerr shkakun determinant që ka sjellë aksidentin rrugor është Gjykata me vendimin e saj të formës së prerë.
Cilët janë disa nga faktorët më kryesorë që ndikojnë në parandalimin e aksidenteve rrugore ?
Një ndër faktorët që ndikon në parandalimin e aksidenteve rrugore është gjendja teknike e automjeteve. Në këtë drejtim ka një kthesë pozitive që është e përkohshme, e cila vjen si rezultat i heqjes së doganave dhe qytetarët kanë futur në këtë periudhë një sasi të konsiderueshme mjetesh relativisht të reja që ndikojnë mirë në përmirësimin e gjendjes teknike të inventarit të mjeteve në vendin tonë.
Përse është e përkohshme përmirësimi i gjendjes teknike ?
Nga Kuvendi është miratuar ligji për serviset, por ai ligj edhe pse ka shumë kohe që është miratuar nuk vihet në zbatim. Edhe pse automjetet janë në disa raste të reja dhe kërkojnë punë cilësore, ato i nënshtrohen riparimeve amatore nga specialist që më parë kanë qenë çobanë, këpucarë, apo riparues televizorësh.
Në draftin e ri, parashikohet që rritja e gjobave të shkojë deri në 40 mijë lekë të reja. A mendoni se ky ndryshim do të ndikojë në uljen e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë, si për uljen e shpejtësisë, apo shkelje të tjera rrugore të parashikuara në Kod?
Kjo nuk rregullon shumë gjëra. Sepse nuk ka një studim se sa duhet të jetë shpejtësia e lejuar në rrugë të caktuara dhe të vendosura me sinjalistikë vetëm sipas përcaktimeve të Kodit Rrugor në nenin 2 që bën klasifikimin e rrugëve dhe jo si deri tani që sinjalistika vendoset sipas mendimeve të punonjësve të emëruar në sektorin e transportit rrugor. Veç kësaj ka një hapësirë për abuzim, pasi lihet një diferencë e përafërt nga 18-40 mijë lekë të reja që parashikohet për shkeljet. Mbetet kompetencë e plotë e punonjësit të policisë për të ndëshkuar kundravajtësin dhe të përcaktojë kufirin e gjobës. Kjo krijon premisa për abuzim nga të dy palët për të rritur korrupsionin. Një drejtues mjeti do të ishte më i gatshëm t’i paguante policit një shumë nën mesataren e gjobës se sa të paguajë atë të plotë.