Giffoni Festival/ Edicioni i X fton femijet te njihen me eksperiencat kinematografike

TIRANË, 17 Nëntor / ATSH / Është çelur sot gjatë ditës në ambientet e Kinemasë Millenium në Tiranë edhe edicioni i 10-të i "Giffoni Festival", i cili do të zhvillohet nga data 17 deri 21 nëntor ne oraret 9:30-13:30 dhe 17:00-19:00.

Në kinemanë Millenium e cila tashmë është rikthyer si vendi më i frekuentuar nga të gjithë fëmijët e shkollave dhe jo vetëm, projeksioni i filmave ka filluar sot gjatë ditës me filmin " Le vacanze del piccolo Nicolas" ndërsa ka vijuar me " Living is easy with eyes closed'.'

Organizatorët bëjnë me dije se "Regret" do të jetë filmi i cili do të projektohet pasditen e nesërme për të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesëmarrës në këtë edicion.

Ndërsa gjatë konferencës për shtyp me drejtorin e "Giffoni Film Festival", Claudio Gubitosi dhe drejtorin e Giffoni Shqipëria, Namik Ajazi, u bë me dije se i ftuari special i Edicionit të 10-të Giffoni Shqipëria Film Festival është aktori italian, Giulio Berruti.
Giulio Berruti do të marrë pjesë gjatë festivalit, ku do të flasë për eksperiencat kinematografike dhe si i ka përjetuar ai.

Një bllok prej 12 filmash janë përzgjedhur për të rinjtë nga 12 deri në 20 vjeç, por gjatë pasditeve hyrja do të jetë e lirë edhe për grupmoshat e tjera.

"5 djem dhe vajza, të ardhur nga Italia do t'i bashkohen jurisë së madhe, që shtrihet në pesë qytete të Shqipërisë, ku janë rreth 3500 anëtarë të jurisë, që ne kemi përzgjedhur për të parë një bllok filmash, që do t'i prezantojmë në të pesë qytetet ku do të zhvillohet Giffoni" theksoi Namik Ajazi gjatë fjalës.

"Sivjet nuk do të ketë juri të mirëfilltë në ndarjen e çmimeve por janë disa çmime mirënjohjeje dhe çmimi special mban emrin e Atjon Zhitit, ndërsa mbrëmjes gala do t'i bashkohet grupi pop rock "Zero assoluto", dhe dy aktorë të kinemasë italiane, Paulo Kontiçini (Paolo Conticini) dhe Xhulio Berruti (Gulio Berruti)", tha Ajazi.

Ndërsa për herë të parë në Shqipëri hyn një mënyrë e re që në Itali është aplikuar, ku të rinjtë mund të ndërtojnë idetë e tyre në video brenda pak ditësh. "Këtë duam që ta sjellim edhe vitin tjetër, idetë i kemi të qarta, sepse e dimë se projektet e startuara dixhitale mund të kenë më shumë interaktivitet tek të rinjtë" u shpreh Claudio Gubitosi, drejtori artistik i "Giffoni Film Festival X".

'Ajo që do të jetë risi këtë vit është se shqiptarët kanë edhe një mundësi tjetër, e cila quhet "Eksperienca e Dronit", vijoi Gubitosi.

"Praktikisht janë tre veta që do ta ndjekin këto ditë Tiranën nga një kënd tjetër. Ne nëpërmjet një video do ta shikojmë këtë në fund". Festivali do të shtrihet në pesë qytete, si Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër dhe Korçë. "Giffoni Shqipëria Film Festival" në vendin tonë ka nisur në vitin 2005, nën drejtimin e Namik Ajazit. Pjesë e këtij festivali janë bërë mijëra fëmijë

/k.m//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama