Gaqo Cako Luiza me ndihmoi ne sukseset e mia artistike i jam mirenjohes

Gaqo Cako: Luiza me ndihmoi ne sukseset e mia artistike, i jam mirenjohes

“Gaqo Çako është ndër ata artistë të mëdhenj që shndritin në porsaformuarën skenë të Teatrit të Operës dhe baletit. Ai la gjurmë të pashlyeshme në jetën e këtij teatrit dhe në të gjithë jetën muzikore të vendit. Gaqo Çako është një ndër tenorët më të pëlqyer të publikut operistik si dhe të gjinive më të lehta...”. Këto fjalë shkruan Albert Paparisto në parathënien e librit “Gaqo Çako legjenda e gjallë e tenorit”, shkruar nga Eno Koço. Libri promovohet sot në orën 11.00 në Akademinë e Shkencave dhe përmban dhjetë kapituj, ndër të cilët “Nga Korça në Kuçovë e nga Liceu në Ushtri”, “Moska”, “në operën e Tiranës dhe Italia”, “Turnetë”, “të bërit i njohur dhe fama” etj. “Shekulli” boton sot pjesën ku autori i librit, profesor Koço ka ndalur te familja, bashkëshortja e tij Luiza, dhe te njerëzit që i kanë qëndruar pranë këtij tenori të madh të skenës shqiptare.

Gaqoja dhe Luiza u martuan në janarin e vitit 1963. Njiheshin prej kohës, që në Liceun Artistik. Ishin në këtë shkollë që të dy, nga viti 1952 deri në 1957 dhe të dy mësuan në klasën e kantos të Jorgjia Trujës. Gaqoja kishte ardhur në Lice nga Kuçova, ndërsa Luiza vinte nga gjimnazi i Tiranës. Nga viti 1959 deri më vitin 1961 të dy studiuan për kanton ë Moskë dhe jetuan në të njëjtin konvikt të studentëve të Konservatorit “Çajkovski”. Gaqoja ishte ambientuar me Moskën pasi kishte dy vjet që jetonte atje.

Me ardhjen e Luizës në Moskë do të duhej që edhe ajo t’i përshtatej vendit të ri me gjithçka, por nuk mbeti shumë kohë për një gjë të tillë, pasi u detyruan që të kthehen në Shqipëri pas prishjes së marrëdhënies me Bashkimin Sovjetik. Megjithatë, nga ky vend do të mbeteshin kujtime të bukura, pasi atje u lidhën në dashuri, ndjenjë të cilën e ruajnë dhe sot e kësaj dite. Bëjnë shumë për njëri-tjetrin, por Luiza veçanërisht ka bërë shumë për Gaqon edhe për faktin se duke vlerësuar dhuntitë e tij ka ditur që t’i përkushtohet atij me sinqeritet dhe devotshmëri. Ashtu si Gaqoja, edhe Luiza ushtronte profesionin e saj si këngëtare lirike e Teatrit të Operës dhe Baletit me detyrimet ndaj stinës operistike vjetore, por veç punës së saj si soliste e këtij teatri, ajo do të duhej të përkujdesej edhe për të shoqin që ai të ndiqte rrugën e sukseseve të vazhdueshme.

Pas kthimit nga Rusia më 1961 dhe emërimit të Gaqos e Luizës në Opera, e derisa dolën në pension, të dy ata punuan pa ndërprerje në këtë institucion. Luiza e filloi karrierën e saj artistike më herët se Gaqoja, edhe pse ishte tre vjet më e re. Pas mbarimit të Liceut si dhe të një viti i të qenit ushtar, Gaqoja u nis për studime në Moskë ndërsa Luizën e emëruan në Opera. Ajo jetonte me familjen e saj, babanë, Sokratin, farmacist i zoti që kishte studiuar në Francë dhe që pas mbarimit të studimeve u kthye në Tiranë ku hapi një farmaci private. E ëma e Luizës ishte nga familja e dëgjuar e Dilove që për kohën totalitare konsideroheshin si borgjezë. Në momente të caktuara të dy këngëtarëve u duhej të “shtrëngoheshin” fort kur herë pas here ngrihej nëpër “instanca” çështja e “origjinës klasore” të Luizës.

Duke qenë së i gjithë libri “Legjenda e gjallë e Tenorit”, disa fjalë për Luizën do të ishin mëse të merituara. Karriera e saj artistike e Luizës është si karriera e çdo artisti, me kulmet dhe me më pak të arriturat. Këtu është rasti të flitet për sukseset e roleve, sepse jo vetëm që ishin të tilla, por ato mbahen mend edhe përse ishin të tilla. Duhet filluar me operëtën “Princesha e Çardashiz”, e kompozuar nga Emmerich Kalman më 1915, që u vu në skenë në Tiranë më 1964. Njihet muzika e kësaj vepre unike për nga meloditë e saj tërheqëse, e cila u bë një nga operetat më të famshme dhe më të dashura midis veprave të këtij zhanri në Europë. Silva (Sylva Varescu) quhej personazhi që luante Luiza, dhe me këtë personazh këngëtarja jonë nderoi një figurë plot gjallëri e tërheqëse, të Silvas.

Me zërin e saj të pastër e të fuqishëm Luiza krijoi personalitetin e spikatur, ideal për Silvan, dhe me lëvizje të shkathëta, por dhe në kërcim e sipër, ajo kapte notën e lartë me një lloj dizinvolture (disinvoltura), si për të theksuar rolin e atmosferës së hareshme cigane. Regjistro i veprës, Luigj Gurakuqi, do të shprehej se Silva e Luizës “mund të quhet” pa e tepruar, kurora e roleve të interpretuara prej saj me një sens të përsosur të kuptimit të zhanrit të operetës. Në librin e ti ’45 vjet TOB’ Gurakuqi do të përsëriste bindjen se “Silvia Verecki është pa dyshim kryeroli i interpretuar në jetën e saj artistike nga Luiza Papa, ku çdo gjë, çdo detaj, çdo nuancë në interpretimin e saj ishte në vendin e duhur. Ky rol iu përshtat plotësisht vetive të saj fizike, paraqitjes së jashtme, cilësive të vokalit të saj, që mishëroi më së miri partin muzikor të personazhit, duke shprehur muzikalitet në të gjithë numrat e saj muzikorë.

Një tjetër rol kulmor i Luizës ka qenë dhe Myzeta (Mussetta) nga “La boheme” e Puçini-t. Tesitura vokale si dhe ngjyra e zërit ishin mjaft të përshtatshme për të, duke iu nënshtruar konceptit të saj për rolin. Momente nga më të arrirat e këtij roli në këndimin e Luizës ishin pa dyshim “Skena e Këngës” së aktit të dytë “Quando me’n vo’ (Valsi i Musetta-s) dhe në mënyrë të veçantë deiminuedo-ja në Si-në e fundit. Luiza këndoi edhe role të ta si Norina në “Don Pasquale” (Donizetti), Rosina në “Il Barbiere di Sevilgia” (Rossini) dhe Gilda në “Rigoletto” etj. Pas një shkrimi në gazetë për suksesin e Luizës te “Don Pasquale” me dirigjim të Simon Gjonit, asaj iu akordua bursa për studime në Moskë.

Pas kthimit në Shqipëri më 1961 dhe pas emërimit në Opera si soliste e saj, Luiza veç aktivitetit operistik, do të aktivizohej rregullisht në Ansamblin e Këngëve dhe të valleve duke lëvruar edhe repertorin e këngëve tradicionale qytetare. Në tetor të vitit 1963 çiftit Çako do t’u vinte në jetë djali, Pirroja. Ishte ky jo vetëm një moment i lumtur i jetës së tyre, por edhe i rëndësishëm, pasi për të prioritet nuk do të ishte vetëm të kënduarit. “Më shumë mendonte për mua, sesa për veten dhe jo vetëm atëherë, por dhe sot”, më shprehej me shumë sinqeritet Gaqoja. Si për ta plotësuar mendimin, do të shtonte se: “Një nga sukseset e mia që të bëhesha artist ka qenë Luiza”.

Që kur u martuan Gaqoja dhe Luiza kishin në shtëpi edhe nënën e Gaqos, me të cilën jetuan për shumë vjet me radhë, derisa ajo vendosi të jetonte me të bijën, motrën e Gaqos. Pirroja nga martesa me sopranon e mirënjohur, Inva Mulën, patën një djalë, Antonin, i cili do të gëzonte dy palë gjyshërish, të dy palët këngëtarë, madje këngëtarë të shquar shqiptarë.

Në apartamentin e Gaqos dhe Luizës, midis sendeve të zakonshme shtëpiake, por edhe atyre me vlerë, nga ato më me vlerë ndoshta janë regjistrimet me zërin e tyre. Gaqoja tashmë e ka kthyer në CD numrin e madh të arieve klasike dhe repertorit kombëtar të fiksuar prej tij në studiot e ndryshme, por ata kanë si mjaft të veçantë edhe regjistrimet që kanë bërë së bashku në duete këngësh. Regjistrimet në shirit apo CD të këngëve “Me lule të bukura”, dhe “Kënga e fyellit”, të kompozuara nga Tish Daija posaçërisht për Gaqon dhe Luizën etj. Është kënaqësi ta jetosh jetën në plotësinë e saj, por dhe nëse gjërat nuk ecin ashtu siç do të dëshiroje... ndoshta, nga një tjetër drejtim, është edhe më mirë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama